Aktualitet

Qendra e Shërbimeve Arsimore do të reformohet

Përmes kësaj marrëveshjeje QSHA do të transformohet në një strukturë shërbimi më efektive, me stafe të kualifikuara, infrastrukturë moderne dhe teknologji të avancuar. Manastirliu: Hap përpara drejt cilësisë në arsim.

Firmoset marrëveshja për reformimin dhe modernizimin e Qendrës së Shërbimeve Arsimore (QSHA), mes Ministrisë së Arsimit dhe Fondit Shqiptaro-Amerikan i Zhvillimit, me ekspertizën e vyer të Qendrës së Vlerësimeve të Cambridge. Kjo marrëveshje u nënshkrua nga Ministrja e Arsimit dhe sportit Ogerta Manastirliu dhe bashkëdrejtuesit e Fondit Shqiptaro-Amerikan i Zhvillimit (AADF). Marrëveshja do të fillojë të zbatohet menjëherë, duke ndryshuar rrënjësisht mënyrën se si ofrohen shërbimet arsimore nga QSHA.

 


“Nëpërmjet këtij partneriteti të ri, transformojmë Qendrën e Shërbimeve Arsimore, në një agjenci autonome, e cila jo vetëm të mundësojë një vlerësim transparent dhe meritokratik të bazuar mbi standarde dhe metodologji të unifikuara me vlerësimet ndërkombëtare, duke i sjellë këto në kontekstin lokal, por edhe duke bërë të mundur që nga këto vlerësime, qofshin kombëtare, qofshin ndërkombëtare, ne të kemi bazën e të dhënave nga të cilat të nisemi për të përmirësuar cilësinë në arsim në të gjithë shkollat shqiptare”, tha Ministrja Manastirliu në ceremoninë e zhvilluar në TUMO, një prej strukturave më inovatore të mësimit dhe teknologjisë për fëmijët dhe të rinjtë.

 


Procesi i transformimit të QSHA-së do të ndahet në tri faza që përfshijnë rritjen e kapaciteteve dhe aftësive, zbatimin e kuadrit të ri ligjor dhe nënligjor, dhe monitorimin e qëndrueshmërisë organizative dhe financiare të QSHA-së në bashkëpunim me organizata ndërkombëtare dhe institucione prestigjioze si Qendra e Vlerësimeve të Cambrige (Cambridge Assessment Center) dhe Këshilli Britanik (British Council), eksperienca dhe praktikat e të cilëve do të jenë thelbësore për reformimin e QSHA-së.

 

Ministrja e MAS, Ogerta Manastirliu 

 

“Ne synojmë të krijojmë një strukturë efektive të shërbimeve arsimore me stafe te kualifikuara, me pajisje të standardeve bashkëkohore, me teknologji dhe informacion. Në bazë të kësaj marrëveshje, synojmë që testimet e digjitalizuara të shtrihen nga matura shtetërore, tek testet e pranimit në universitete, të zgjerojmë gjithashtu edhe gamën e shërbimeve që ofron Qendra e Shërbimeve Arsimore. Nëpërmjet tri fazave nga kalon kjo reformë e QSHA-së, rrisim kapacitetet e veprimeve njerëzore, kapacitetet procesuese dhe të përfshijmë mekanizma inovator të teknologjisë dhe vlerësimin e arritjeve të nxënësve, studentëve në sistemin tonë arsimor. Faza e dytë do të kalojë në hartimin e kuadrit ligjor dhe akteve nënligjore dhe këtu do të kemi mbështetjen e Qendrës së Vlerësimeve të  Cambrige (Cambridge Assessment Center); për të ecur drejt fazës së tretë, ku Qendra e Shërbimeve Arsimore bëhet një agjenci autonome”, tha Manastirliu.

 


Qendra e Shërbimeve Arsimore ofron shërbime nga organizimi i provimeve kombëtare, regjistrimi i maturantëve dhe studentëve, administrimi i provime shtetërore, duke përfshirë mjekësinë dhe mësuesinë deri te procedurat e legalizimit të dokumente shkollore, përfshirë dhe njësimin e diplomave të arsimit të lartë. Përmes kësaj marrëveshjeje QSHA do të transformohet në një strukturë shërbimi më efektive, me stafe të kualifikuara, infrastrukturë moderne dhe teknologji të avancuar. 

Drejtoresha e QSHA, Aurora Balliu 


Kaltra Tafani 

© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

1,673 Lexime
10 muaj më parë