Pyetje-përgjigje për portalin “Mësues për Shqipërinë 2021”
Artikulli i mëposhtëm ju jep përgjigje të gjitha paqartësive dhe pyetje që ju vetë keni ngritur pranë Portalit Shkollor Albas mbi provimin e portalit Mësues për Shqipërinë 2021. Përgjigjet na janë dhënë nga Drejtoria e Burimeve Njerëzore pranë DPAP.
Para pak ditësh në faqen tonë zyrtare të Facebook të Portalit Shkollor Albas vendosëm në dispozicion një hapësirë ku ju mund të shprehnit problematikat dhe paqartësitë që po hasni për pjesëmarrjen në portalin “Mësues për Shqipërinë” të këtij viti.
Më poshtë do të gjeni pyetjet tuaja dhe përgjigjet për çdo njërën prej tyre, sipas Drejtorisë së Burimeve Njerëzore pranë DPAP.
Klorela Rexhahmataj: Ne që kemi bërë kualifikimin(së fundmi me 08/05/2021), por që nuk e kemi marrë kartonin, si duhet të veprojmë për të marrë pikët respektive?
Me një vërtetim nga zyra arsimore ku jeni e punësuar, për shkallën e kualifikimit dhe vlerësimin që keni marrë, merrni pikët respektive.
Nela Adod: Personat që e japin për herë të parë provimin, dosjen me dokumentacionin që do e dorëzojnë me postë në DRAP duhet ta noterizojnë? Po të tjerët duhet t’i noterizojnë dokumentet?
Të gjithë aplikantët duhet të dorëzojnë në DRAP (mësuesit) dhe në ZVAP (arsimi parashkollor) thjeshtë një kopje jo të noterizuar të dokumenteve të skanuara nga origjinali dhe të ngarkuar online.
Dorina Safy Bashaliu: Unë kam marrë pjesë në testimin e informatizuar në 2019, në 2020 mora pjesë në portal duke ruajtur pikët e testimit dhe të dosjes. A më quhen pikët e testimit nëse i ruaj për të dytin vit radhazi?
Patjetër, nëse keni qenë pjesë e portalit 2020. Nëse pikët e viteve të mëparshme nuk janë bartur në portalin e fundit(2020) duhet t’i nënshtroheni testimit.
Noela Mero Najtellari: Cilat janë dokumentet që duhen dërguar online dhe cilat janë dokumentet që duhen dërguar me postë (duke i cilësuar ato)?
Online dhe me postë duhet të dërgohen të njëjtat dokumente, lista e tyre është paraqitur në shtojcën 1. Një pjesë e tyre është e detyrueshme dhe pjesa tjetër dorëzohet në momentin e punësimit. Mjafton të lexoni me kujdes shtojcën dhe do e kuptoni. Ndër këto dokumente libreza e punës është lënë jo e detyrueshme por sugjerohet ta dorëzoni pasi vlerësohet me pikë. Nëse Ju do të pyesni pse është lënë me dëshire sqarojmë se mund të ketë aplikantë që nuk kanë librezë punë dhe në këtë moment penalizohen pasi nuk mund të aplikojnë.
Ediola Braka: Aplikimi në tri ZVAP duhet të jetë vetëm në ato që mbulon DRAP ku është vendbanimi apo mund të aplikojmë edhe jashtë zonës banimit?
Çdo kandidat ka të drejtë të aplikoj në tri ZVAP sipas dëshirës edhe nëse ato janë në DRAP të ndryshme. E rëndësishme është që dosja për vlerësim të shkojë në DRAP ku bën pjesë ZVAP e vendbanimit të aplikantit.
Aaron Xhulia: Pse janë hequr pikët e licencës në vlerësimin e dosjes?
Duke qenë se licenca është një element i detyrueshëm sa i takon formimit në profilin e mësuesit s’ka arsye që të diferencohet me pikë krahasuar me kandidatë të cilët e kanë përfituar titullin mësues para hyrjes në fuqi të ligjit për profesionet e rregulluara. Pra provimi i licencës nuk është bonus por detyrim për të ushtruar profesionin e mësuesit.
Manjola Cela: Si ka mundësi që në Portalin e Mësuesit, në rubrikën vende të lira (nëse bën kërkim për lëndë të ndryshme DRAP të ndryshme) gjithmonë rezultati është zero?! Si funksionon?
Vendet e lira i njoftohen kandidatëve nëpërmjet adresë së e-mailit që kanë deklaruar në momentin e aplikimit. Çdo punësim deklarohet në librin e transparencës dhe të gjithë kandidatët mund të shohin ecurinë e punësimeve.
Besnike Likaj: Pse dokumentet duhet t’i ngarkojmë edhe online edhe t’i dërgojmë me postë pranë DRAP?
Ky është një detyrim që rrjedh në zbatimi të Ligjit 9154, datë 06.01.2003, “Për arkivat dhe Normat tekniko-profesionale dhe metodologjike të shërbimit arkivor në Republikën e Shqipërisë”.
Dalion Gjika: Në çfarë muaji do bëhet testimi i portalit apo si gjithmonë në pikun e vapës, në gusht? Nuk mund të bëhet në një periudhë tjetër?
Veprimtaria e institucioneve bëhet sipas një radhe prioritare dhe duke qenë se provimi realizohet nga QSHA e cila ka në plan veprimin e saj edhe veprimtari të tjera kombëtare apo profesionale, testimi do të zhvillohet në këtë periudhë.
Indira Krymi: Shtojcat duhet t’i plotësojmë me shkrim dore para se t’i ngarkojmë online?
Pak rëndësi ka nëse plotësohen me shkrim dore apo në kompjuter, e rëndësishme është që më pas të shtyhen, të firmosen dhe të ngarkohen online.
Malva H Bejleri: Në vlerësimin e dosjes a njihen edhe kreditet e viteve të mëparshme apo vetëm ato të këtij viti?
Nuk ka një përcaktim për vitin, e rëndësishme është të jenë të miratuara nga Agjencia përkatëse.
Mucaj Lorenc: Po neve që e kemi dhënë këtë vit licensën dhe nuk na ka dalë kartoni akoma si do të veprojmë?
Pranë zyrave arsimore kanë shkuar rezultatet e provimit të shtetit. Me një vërtetim nga zyra mund të aplikoni. E njëjta procedurë si për rastin e certifikatës së kualifikimit.
Blerina Rj: A do te merret ne shqyrtim ai peticioni ynë nga MASR apo jo? http://www.portalishkollor.al/news/mesuesit-e-rinj-kunder-udhezimit-per-portalin-2021-eshte-diskriminues
Në peticion kërkohet:
1. Rivlerësim të notës mesatare të studimeve Bachelor dhe Master.
2. Vlerësim të provimit të licencës ose provimit të rregulluar të profesionit të mësuesit.
3. Vlerësim të praktikës profesionale.
4. Vlerësim të gjuhës së huaj me më shumë pikë sipas niveleve që çdo mësues ka.
Vlerësimi për këto pika është i njëjtë për të gjithë aplikantët dhe nuk ka arsye për të pretenduar diskriminim. Në vlerësimin e dosjeve kemi një kriter të njëjtë. Qoftë për notën mesatare apo dhe për gjuhën e huaj. Peshën kryesore në këtë proces e zë testimi i cili ka 80 pikë. Sa i takon praktikës profesionale ajo bëhet pjesë e vlerësimit nëse plotësohet kriteri i të pasurit një vit kalendarik në mësimdhënie. Praktika profesionale aktualisht zhvillohet në një periudhë jo më shumë se 10 muaj. Në lidhje me pikën e provimit të licencës e kemi sqaruar më sipër arsyen përse nuk mund të vlerësohet me pikë.
Pra përfundimisht nuk shohim elementë diskriminimi në këtë proces pasi referuar nenit 7 të ligjit nr.10 221, datë 4.2.2010 “Për Mbrojtjen nga Diskriminimi”, i ndryshuar, ku çdo veprim ose mosveprim i autoriteteve publike ose i personave fizikë a juridikë që marrin pjesë në jetën dhe sektorët publikë ose privatë, që krijojnë baza për mohimin e barazisë ndaj një personi apo grupi personash, ose që i ekspozon ata ndaj një trajtimi të padrejtë dhe jo të barabartë, kur ata ndodhen në rrethana të njëjta ose të ngjashme, në krahasim me persona të tjerë ose grupe të tjera personash, përbën diskriminim.
Ergena Gjimi: Unë që dua të ruaj pikët e testit dhe dosjes duhet të dorëzoj me postë vetëm shtojcën 4 apo t’i nis të gjitha letrat që përmban shtojca 1 pranë DRAP?
Ju duhet të aplikoni online dhe një kopje jo të noterizuar të dosjes së ngarkuar duhet ta dërgoni me postë pranë DRAP ose ZVAP në rastin se jeni edukatore.
Erjona Denis Shaholli: A mund të mbarten pikët e testimit të vitit 2015 apo vetëm për ata që e kanë bërë testim e informatizuar?
Siç e shpjeguam më sipër, mund të barten pikët e testimit nëse jeni pjesë e portalit 2020.
Përgatiti Nanila Allkja Biçaku
©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Hartimi i projektit kurrikular
Letër e hapur për prindërit, mësuesit e institucionet: Për të mos neglizhuar asgjë në edukim!
Të drejtat dhe detyrat e nxënësve, mësuesve e prindërve