Punim krijues "Fisi Aroz"
Punim nga Aldo Bërziu, nxënës i klasës së nëntë, i cili është prezantuar me "Fisi Aroz"... Toka nuk u shkatërrua në 4001, por jetoi e plakur deri më 7204 dhe me ndihmën e teknologjisë 3-fish më të përparuar të alienëve, u përmirësua...
Ishte janar, viti 3018. Planeti Tokë ishte totalisht i ndryshëm që nga fillimet e tij. Njerëzit e pakët në bashkëpunim të madh me qeniet e tyre të shpikura, robotët, që ishin rreth 72% e krijesave që jetonin në planet, arritën të krijonin një urë lidhëse mes Tokës dhe Hënës. Të gjithë kishin një dëshirë të paparë për të shkuar në Hënë, ama vetëm njëri ishte më i guximshmi që tha emrin e tij pas pyetjes së presidentit. Ishte Xho Harper. Ai do të ishte i pari njeri që do të jetonte deri në vdekje në Hënë.
Të nesërmen u nis. Kaloi përmes një portali elektrik dhe menjëherë u gjend në Hënë. I pari peizazh që pa ishte një hapësirë e pafund, e shkretë dhe me gropa. Ngjante me Tokën pothuaj 100%. Si fillim ndihej i huaj në atë botë të panjohur ku nuk shihje asnjë shenjë jete. Kishte frikë. Pothuajse sa nuk po i binte të fikët nga frika. Aty u tremb më shumë kur pa se po i drejtohej një qenie e çuditshme. Ishte alien. E dalloi menjëherë sepse ai lloj ishte shumë i njohur në Tokë dhe të dhënat për të ishin të shumta. Dallohej me një ngjyrë lëkure të gjelbër, me një kokë të madhe pa kafkë e flokë. Kishte një sy të madh dhe një gojë të madhe pa dhëmbë, por me disa kunja të hollë që as Xhoja vetë nuk e dinte se si përtypej ushqimi me to. Xho nuk u tremb shumë. Nga të dhënat e “ASAN”, kompania tokësore që merret me studimin e alienëve, e dinte se ai ishte miqësor.
Shkoi qetësisht, sikur po takonte shokun e tij, Bill Morenin, një shakaxhi të madh. Sapo Xho i zgjati dorën, alienit iu rrudh balli dhe në fytyrë kishte përmbajtje inati. Në librin kushtuar këtij lloji alienësh, “Aroz”, emri i alienit, pika 47/d në faqen 721 thoshte se ky lloj alienësh është miqësor. Zakonisht ata përshëndeten duke i zgjatur këmbën ose duke e goditur lehtë në kokë. Aroz bëhet shumë agresiv nëse i zgjatni dorën, prandaj nuk duhet kurrsesi ta bëni një gjë të tillë. Kur Xho Harper e kuptoi se ç’kishte bërë vrapoi pas e u fsheh nën një gropë të thellë. Mendoi se alieni nuk do t’i bëntë gjë. Fundja ai nuk kishte as armë me vete! Xho priti që situata të qetësohej e Aroz të miqësohej me të, ama nuk kaluan as 10 sekonda, kur Xho ngriti kokën të shihte nëse alieni ishte qetësuar apo fundja ishte larguar, veç kur i fëshëlleu diçka e shpejtë pas veshit. Ishte një lloj gjyleje jeshile dhe e rrëshqitshme që nisën të buronin pa pushim nga goja e madhe e alienit. Panik. Panik. Xho Harper ishte në një rrezik të madh sepse sipas librit “Aroz”, thuhej qartë që nëse një qenie njerëzore preket nga ato lloj topash, që përmbanin silic, gomë, klor dhe natrium, lëkura do të infektohej, njeriut do t’i merrej fryma, trupi do të deformohej dhe brenda 6.5 sekondave ai do të vdiste. Kura e vetme ishte një lloj bari, Mentadinolfok, por ajo gjendej vetëm në pyjet tropikalë në Medellìn të Kolumbisë. Meqë Xho s’kishte nga ta gjente një ilaç të tillë, mendoi të shfletonte disa faqe nëse mund të gjente ndonjë mënyrë që ta qetësonte Arozin.
Në paragrafin 21744, thuhej se e vetmja mënyrë ishte që Aroz të lagej me ujë të nxehtë. Menjëherë rendi të kërkonte në çantën e tij të shpinës për vatrën elektronike dhe ujë. U vonua pak sepse vatra nuk po punonte mirë, aq sa i jepte kohë Arozit të shkonte te Xho dhe ta vriste. Sapo Aroz drejtoi kokën drejt Xhosë, gati për ta goditur me gjylet jeshile, Xho me shpejtësi i hodhi ujin e nxehtë. Gjithçka u normalizua. Xho u bë mik me Aroz dhe shkoi të vizitonte fisin Aroz. S’kishte parë kurrë kaq shumë alienë së bashku. Kur komunikonin ata pas emrit Aroz vendosnin një tingull të çuditshëm që ngjante si një “muuuuu...”, diçka të pakuptueshme për Xhonë. Përderisa ishin të gjithë identikë, ata u quajtën nga Xho sipas mënyrës tokësore: mikun e tij “Aroz 1”, babain “Aroz 2”, nënën “Aroz 3”, motrën “Aroz 4” dhe pesë vëllezërit “Aroz 5,6,7,8 dhe 9”. Shpesh i ngatërronte, por ishte i detyruar të komunikonte me ta, të miqësohej dhe Arozët ta strehonin (do të jetonte deri në vdekje në Hënë). Gjatë disa ditëve që jetoi aty, mësoi shumë gjëra rreth alienëve: shtëpitë ishin në formë gjysmësfere, pa beton si në Tokë, por thjesht të mbuluara me një copë ekologjike që ata e quanin “morki” a diçka e tillë; në vend të ujit ata pinin një lëng të verdhë e të trashë që kundërmonte erë; atje nuk binte shi, përkundrazi kishte vetëm diell dhe një orë në vit, që me orën tonë i bie rreth 10 minuta në katër vjet, prandaj vendi ishte i shkretë; ata kishin plazh, por me një lloj acidi të kuq me gaz që të digjte. Ishin ditë shumë të bukura. Xho shënonte çdotë dhënë që mund të grumbullonte rreth tyre. Madje Xho kishte marrë dhe lejen e qëndrimit. Kurioziteti i tij kishte arritur në kulm, derisa hyri në një shtëpi të fisit Aroz, ku nuk hynte askush, përveç kryetarit të fisit, “Aroz 2”. Gjithçka që shihte aty e habiste, makineri, karta, fisha, pajisje teknologjike, gjithçka. Edhe në Tokë kishte dhoma të tilla, por pajisjet e alienëve Aroz ishin tmerrësisht shumë të përparuara. Në një cep të shtëpisë, mbi një portë shkruhej : “mo-hi-il-nojam”. Kërkoi në telefonin e tij të përparuar, e përktheu dhe mori vesh se thuhej : “Ndalohet hyrja. Rrezik vdekjeje!” Kureshtja e shtyu të hynte. Vinte një erë e keqe. Vuri kundragazin dhe syzet mbrojtëse. Pa se nuk kishte asgjë. Një tabelë thoshte: “niu- mi kitfa metiks!”, që do të thotë : “Kthehu, ishte shaka!” Por Xho Harper nuk u bind. Ajo erë e keqe nuk ishte e kotë. Duke ecur, padashje shkeli një nga blloqet që shtronin dyshemenë. U hap një kalim i fshehtë. Era e keqe po shtohej. Zbriti shumë shkallë derisa mbërriti në një dhomë gjigande e ndarë në dy pjesë. Nga e majta shihej një batalion ushtarësh hekuri ngjyrë argjendi që s’kishin fund. Ndërsa nga e djathta kishte makineri të shumta ku kuptohej lehtësisht se merreshin me prodhimin e atyre “ushatrëve mekanikë”. Habi. Duke parë majtas – djathtas e lart – poshtë për të kuptuar se pse po ndërtoheshin gjithë këto ushtarë, Xho vërejti një led-wall ku paraqitej teksti “A-ni-mo-li-vuka-mohino”, që përkthehej “Vdekje tokësorëve. Rrofshin hënorët!” Xho e kuptoi se përse bëhej fjalë. Ushtria ishte përgatitur për të sulmuar tokësorët, por shkaku nuk dihej. Bëri shumë fotografi, i dërgoi në “stacionin hapësinor 52-M” dhe me frikë doli nga shtëpia misterioze. Në Tokë askush nuk besonte se Xho Harper do të kishte mbijetuar në Hënë për një kohë kaq të gjatë, kur papritur erdhi mesazhi. Rrëmbimthi çdo qenie njerëzore u vu në gatishmëri, por fjalimi i presidentit të 324 të SHBA-së, Mark Twist, i tronditi të gjithë. Lufta do kryhej nga robotët. Asnjë tokësor përveç presidentit nuk e donte këtë lloj lufte. Kujtonin ndër dekada e shekuj luftërat e mëparshme, kur lufta kryhej njeri – njeri. Ama njerëzit e kanë ndryshuar Tokën. Tani, në vitin 3018 luftërat po bëhen me robotë.
Pas dy muajsh armatime nga të dyja palët, erdhi çasti vendimtar : Lufta ! Meqë do të mbronin vendin e tyre, të parët sulmuan robotët tokësorë, të quajtur “Tomos-3018” me kuptimin : To – Toka dhe mos – mos, pra “Mos sulmo Tokën!” Me portalin elektrik mbërritën shpejt në Hënë, ku Arozët u gjendën të papërgatitur. Ata menduan se po sulmonin “Tokësorët-401, prandaj programuan dhe ata robotët e tyre dhe lufta e parë hapsinore e përbërë nga robotë filloi. Bashkë me robotët, në Hënë mbërritën dhe njerëzit, ku u takuan me heroin Xho Harper. Xho kishte zbuluar diçka. Ushtria Aroz nuk ishte ndërtuar që të sulmonin tokësorët në Tokë, por një planet tjetër paralel me Tokën : “tokësorët 401” në planetin “Tokë 401”. Këta tokësorë kishin ndërtuar një linjë tubacionesh duke e transportuar atë lëngun e verdhë dhe duke e marrë në planetin e tyre. Arozët nuk jetonin dot pa të, i kishin paralajmëruar tokësorët 401, por ata nuk u bindën, atë herë zgjidhja e vetme ishte lufta. Kur njerëzit e morën vesh se u nxituan, ishin të dëshpëruar. E kuptuan gabimin dhe u munduan të gjenin një zgjidhje, por më kot. Robotët ishin programuar në një rrugë pa kthim. Shkuan te “Aroz 2”, i komunikuan gabimin e tyre dhe u falën. Mundoheshin të gjenin një zgjidhje. Arozë e tokësorë bashkë u strehuan në një shtëpi të sigurt Aroze dhe pritën me ankth mbarimin e luftës. Lufta zgjati një javë e pesë ditë. Kur alienët dhe tokësorët dolën jashtë, gjithçka ishte shkatërruar. Nuk rikthehej më si më parë. Hëna nuk ishte më e banueshme. Duhej një zgjidhje e shpejtë. Meqë tokësorët e nisën luftën, ata duhet të gjenin dhe zgjidhjen. Bingo! I propozuan alienëve që të jetonin së bashku, njerëz dhe alienë në Tokë. Alienët pranuan edhe pse e dinin se nuk jetonin dot në Tokë. Ama teknologjia shumë e përparuar e alienëve dhe tokësorëve të vitit 3018 krijoi kushtet e përshtatshme për të jetuar alienët. Dhe që nga ajo ditë e deri në shkatërrimin e Universit në vitin 7204 këto dy qenie jetuan së bashku. Ndryshe nga ç’pritej, Toka nuk u shkatërrua në 4001, por jetoi e plakur deri më 7204. Toka, me ndihmën e teknologjisë 3-fish më të përparuar të alienëve, u përmirësua. Uji i oqeaneve u 5-fishua, liqenet u kthyen sërish në liqene me ujë. U shtuan pyjet dhe kafshët në planet. Kështu jetuan së bashku në harmoni...
(Portali Shkollor)
Festojmë 28-29 nëntorin!
Letër falenderuese mësuesit
Mesazhet më të bukura të nxënësve shqiptar për Ditën e Tokës në Portalin Shkollor