Urim për nxënësit e mi!
Një urim i ngrohtë nga mësuese Evlonda Përlala për nxënësit e saj. "Unë nuk e kam në traditë të shkruaj kartolina, por meqënëse ndonjëherë diçka e shkruar ngelet më gjatë po bashkohem me turmën e urimeve të tilla..."
Ky urim është në mënyrë të veçantë për nxënësit e mi dhe për ish nxënësit të cilët që për Krishtlindje më surprizojnë me urimet e tyre
Unë nuk e kam në traditë të shkruaj kartolina (pak Migjen) për të uruar ata njerëz që i dua dhe që mund ti uroj ballë për ballë, por meqënëse ndonjëherë diçka e shkruar ngelet më gjatë (e dokumentuar) po bashkohem me turmën e urimeve të tilla.
Mbi gjithçka, ju uroj shëndet dhe jetëgjatësi!
Kur i ke këto të dyja ke gjithçka.
Uroj të keni sukses dhe të ndriçoni si dashuria!
Të jeni jetëdhënës si uji, si ajri!
Të jeni lulet më të bukura të lulëzuara mbi lëkurën e atdheut tonë të mundueshëm!
Të jeni kënga dhe himni më i ëmbël, më triumfues i këtij vendi të kaqnevojshëm për diçka të tillë!
Uroj të jeni dritë për atë që nuk sheh, të jeni diell për atë që ka ftohtë!
Uroj dije! Ai që di ka botën në dorë.
Ushqeni mendjen me lexim!
Themelet e dinastisë së jetës tuaj do jenë të sigurta dhe të patundura nga tërmetet e jetës...
Gëzoni pafund, qeshni pafund, pa pasur frikë nëse dukeni keq apo mirë.
Shijoni dhe jetoni me emocion çdo minutë, vlerësoni gjërat e vogla e përpiquni ti bëni të tjerët të ndihen si ju.
Prekni ëndërrat, puthini dhe mos i lini të flenë në sirtare.
Unë jam këtu, aty, kudo të jeni ju,për të parë ëndërrat tuaja tek marrin jetë e për tu ndier krenare gjithmonë për pjesën time të zemrës të skalitur në ju.
Unë e njoh shpirtin e secilit prej jush.
Kam marrë dhe kam dhënë mbi secilin shpirt tuajin për të ndërtuar diçka që ndoshta asnjëherë askush nuk mund ta shembë.
Diçka e ndërtuar me shpirt i jap shpirt gjithçkaje...
Ndaj jeni kaq të veçantë çdo ditë, sepse çdo dite i jepni dritë prej shpirtit tuaj të çlirët.
Urime Vitin e Ri për Ju dhe Familjet tuaja!
Gëzuar fëmijët e mi!
Me dashuri, mësuese Eva.
(Portali Shkollor)
Letër falenderuese mësuesit
Për Klodin: Një udhëtim i paharruar mirësie...
Ese: Mjedisi dhe njeriu