Intervistë

“Puna në arsim, sfidë që sjell të papritura”

“Të punosh në këtë shkollë, por dhe në përgjithësi të punosh në rolin e arsimtarit është gjithmonë një sfidë që sjell të papritura, ndonjëherë të vështira për t’u përballuar, por në të shumtën e rasteve shpërblyese dhe që të falin kënaqësi.”

Në pamje të parë ai duket drejtues autoritar. Nëse do e takoje diku tjetër dhe jo në Shkodër do e kuptoje menjëherë që është nga veriu. Flet qetë dhe prerë. Nuk di të fshehë të vërtetat dhe i thotë ato pa frikë dhe me bindjen se dalë nga dalë, vit pas viti gjërat do të përmirësohen. Po flasim për Kolë Shirokën, drejtuesin e shkollës së gjuhëve të huaja në Shkodër. Është një shkollë në të cilën studiojnë nxënës nga të gjitha zonat e veriut të  vendit.


Nëse diçka mungon në shkollën “Shejnaze Juka” në Shkodër, Kolë Shiroka, drejtori i kësaj shkolle bën të pamundurën që ta sigurojë. Asnjëherë nuk është i kënaqur dhe gjithmonë kërkon më shumë, kushte më të mira në shkollë, nxënës më shumë të përkushtuar në mësime dhe sigurisht mësuesit e kësaj shkolle janë të përgatitur, kërkues dhe këmbëngulës në punën e tyre.


Shkolla që ju drejtoni është një shkollë e njohur jo vetëm në Shkodër, por në të gjithë veriun. Si është për ju të drejtoni këtë shkollë?

Të punosh në këtë shkollë, por dhe në përgjithësi të punosh në rolin e arsimtarit është gjithmonë një sfidë që sjell të papritura, ndonjëherë të vështira për t’u përballuar, por në të shumtën e rasteve shpërblyese dhe që të falin kënaqësi. Të jesh në kontakt me kolegë të devotshëm dhe breza të rinj fal shumë surpriza çdo ditë.


Janë të shumtë nxënësit që zgjedhin të studiojnë gjuhët e huaja, duke menduar se është më e thjeshtë të punësohen apo të zhvillojnë aktivitete private. Ju si mendoni, a janë të aftë nxënësit të realizojnë objektiva të tilla?

Numri i nxënësve që regjistrohen çdo vit është në rritje. Duke pasur parasysh mundësitë e sotme në tregun e punës, duke zotëruar disa gjuhë të huaja nxënësit që përfundojnë shkollën këtu kanë premisa të mira për t’u punësuar dhe për të arritur objektivat e tyre. Dhe kjo ndodh gjithmonë nëse ata janë të aftë t’u përkushtohen studimeve.


A janë të përkushtuar nxënësit?

Niveli i të mësuarit fatkeqësisht sa vjen e bie çdo ditë, por kjo nuk do të thotë që nuk ka nxënës të përkushtuar që i kanë vënë vetes synime të qarta.


Si janë kushtet në shkollën tuaj? A është e vështirë për mësuesit të shpjegojnë, a i kanë ata mjetet e domosdoshme?

Duke ditur që jemi një shkollë publike, kushtet edhe pse janë ndër më të mirat, përsëri lihet vend për përmirësime. Të gjithë mësuesit kanë mjetet e nevojshme për të shpjeguar, madje shkolla ofron edhe mënyra moderne të mësimdhënies.


Si është marrëdhënia juaj me nxënësit? Jeni drejtuesi autoritar, apo ata e dinë që gjithsesi tek ju do të gjejnë mbështetje?

Mendoj se të qënurit autoritar dhe i besueshëm shkojnë gjithmonë bashkë. Prandaj nxënësit mendoj se shohin si figurën e atij që drejton dhe ka gjërat nën kontroll, ashtu edhe mbështetje për problemet e tyre.


Cili ka qenë momenti më i vështirë për ju si drejtues i kësaj shkolle?

Situata kaotike e fillimit të vitit, me shumë regjistrime, hartime oraresh, plotësime formularësh etj., mbetet gjithmonë një pjesë e vështirë e punës.


Cili është urimi juaj për festat e fundvitit?

Paqja dhe mbarësia qofshin gjithmonë në familjet e gjithsecilit. Gëzuar Krishtlindjet dhe Vitin e Ri 2017 !


(Albina Hoxhaj, Portali Shkollor)

2,906 Lexime
8 vjet më parë