Intervistë

"Puna e mësueses është llogaridhënëse për tërë jetën"

Intervistë me Zylë Osmanin, zëvendësdrejtoreshë e shkollës “Hilmi Rakovica”. Nga një mësuese me cilësi të rralla, në një zëvendësdrejtoreshë të dalluar.

Thuajse secila nga femrat aspiron ta drejtojë një institucion publik, por natyrisht nuk e kanë fatin e njëjtë që të gjitha. Nuk është edhe aq e lehtë sa duket, duhet të jesh e veçantë që ta arrish të veçantën. Të duhet të zotërosh diçka që tjetra s’e zotëron dot, të kesh guxim e durim dhe ta duash që të të dojë edhe puna ty. Kur punon me zemër, edhe me zemër frymëzon e jetëson dhe nuk lejon që dikush të tretet. Një të tillë, tanimë, po e njohim dhe ajo është Zylë Osmani, zëvendësdrejtoreshë e shkollës. Revista “Pëllumbat” ka zhvilluar një intervistë me zëvendësdrejtoreshën të cilën e sjellim për ju në Portalin Shkollor.


Ju jeni cilësuar një ndër mësueset më të dalluara të Prishtinës, por tanimë keni marrë një pozitë të re dhe tepër me përgjegjësi. Ju, sigurisht, keni fituar një përvojë të pasur dhe kjo edhe ju ka ndihmuar ta përhapni përvojën e të përparuarve. Cilat janë disa nga sukseset  që keni arritur gjatë përvojës suaj si mësuese?

Zylë Osmani: Kam nderin të ju uroj për Ditën e Shkollës dhe të ju përgëzoj njëkohësisht për punën tuaj të pareshtur. Gjatë punës sime si mësuese jam ballafaquar me peripeci të shumta, por vullneti, pasioni i madh për profesionin dhe motivi për punë i ka mposhtur ato dhe ka rezultuar me suksese e me rezultate të kënaqshme. Për këto suksese e rezultate duhet t’i falënderoj prindërit e mi, kolegët, komunitetin, menaxhmentin dhe stafin e shkollës në përgjithësi. Sukseset dhe rezultatet e nxënësve tanë, si në shkollat e mesme dhe në universitete, po na nderojnë dhe po na bëjnë të lumtur me të arriturat e tyre. Pra, pas një pune të ngjeshur, shohim arritjet e nxënësve, frytet e këtij mundi dhe kjo të jep kënaqësi dhe të bën të ndihesh krenar. Mendoj se kam kryer punën time me përgjegjësi të lartë morale e profesionale, gjithnjë në funksion të zhvillimit profesional të nxënësve dhe drejt ngritjes së cilësisë në arsim. Sukseset i konsideroj ngaherë në funksion të ngritjes së vazhdueshme profesionale, duke reflektuar drejtpërdrejt te nxënësit. Përgatitja profesionale është e përhershme. Ajo nuk ka kufizime në kohë dhe nuk mund të quhet periudhë, por proces i vazhdueshëm, siç është edhe mësimdhënia.


Ç’do të thotë të punosh mësuese?

Zylë Osmani: Të punosh mësuese është kënaqësi dhe përgjegjësi shumë e lartë humane e profesionale, pasi që roli i mësuesit është i një rëndësie të veçantë kur kemi të bëjmë me formimin, ndërtimin dhe udhëzimin e një personi dhe me të ardhmen e shoqërisë si të tërë. Asnjë profesion tjetër nuk ta jep mundësinë që të kesh një ndikim kaq pozitiv në zhvillimin e përgjithshëm të një fëmije. Puna e mësueses është llogaridhënëse për tërë jetën. 


Pse vendose të mos punosh mësuese më dhe të marrësh një pozitë të re, atë të zëvendësdrejtoreshës?

Zylë Osmani: Meqë e kam dashur dhe zotëruar profesionin tim, me kohë u avancova vazhdimisht dhe erdhi çasti t’i them vetes se shkollës dhe arsimit në përgjithësi mund t’i kontribuoj me shumë përgjegjësi, duke e marrë kështu përsipër ta kryej edhe punën e zëvendësdrejtoreshës. Nuk e marr si ikje nga profesioni, por si involvim më të thellë në punën me nxënës, vetëm se kësaj radhe në mënyrë indirekte në drejtimin dhe në aplikimin e politikave arsimore në dobi të fëmijëve. Mund të them se përgjegjësia jonë është impresive dhe ne kemi ndikim të plotë te fëmijët. 


Çka mund të na thoni për përvojën tuaj si zëvendësdrejtoreshë e shkollës? 

Zylë Osmani: Pozita e zëvendësdrejtoreshës në shkollën “Hilmi Rakovica” është e re, por fatmirësisht unë kam pasur fatin të jem pjesë e kësaj shkolle që nga fillimi i punës. Kjo ma ka bërë më të lehtë punën, ngaqë gjithçka qe e njohur për mua. Kam fatin të punoj me një staf shumë të përgatitur dhe të përgjegjshëm. Rendësi të veçantë për mua ka puna e përbashkët me nxënësit, prindërit, mësimdhënësit, komunitetin, KDSH-në, KP-në dhe KN-në për arritjen e qëllimeve fitimprurëse dhe të suksesshme. Ky bashkëpunim ma lehtëson punën dhe më motivon ende më shumë për punë të vazhdueshme. 


E përmendët personelin mësimor të shkollës. Ç‘mund të thoni diçka më shumë rreth tij? 

Zylë Osmani: Personeli i shkollës ka përgatitje të duhur profesionale, punon shumë dhe detyrat e tij i kryen me profesionalizëm të lartë. Personeli i shkollës tregon përkushtim maksimal ndaj përgjegjësive dhe detyrave që ka. Të punosh bashkërisht, është elementi thelbësor për të arritur suksese. Dijetari i njohur, Henry Ford, thoshte: “Bashkimi është fillimi, harmonia në bashkësi është progres, të punosh së bashku është sukses”.


Cilat janë problemet më të theksuara në shkollën tuaj?

Zylë Osmani: Sikurse çdo shkollë tjetër, edhe shkolla jonë ka sfida. Disa nga problemet më  të  theksuara në  shkollën tonë janë: infrastruktura, braktisja e shkollimit, numri i madh i nxënësve në klasa etj.


Po të arriturat e saj?

Zylë Osmani: Shkolla jonë  ka të arritura të mjaftueshme si në sferën e shkencave shoqërore e natyrore, po ashtu njëjtë edhe në atë sportive e të artit dhe të tjera. Të  gjitha këto kanë ardhur si rezultat i një bashkëpunimi të frytshëm e të theksuar me stafin e shkollës, prindërit dhe komunitetin.


Cilat janë disa nga projektet që janë zbatuar në shkollën “Hilmi Rakovica”?

Zylë Osmani: Jemi të përfshirë në shumë projekte dhe shpreh dëshirë ta veçoj projektin e fituar nga OJQ ‘TOKA’ - “Matematika përmes lojës, me aktivitete për përvetësimin e aftësive matematikore”. Qëllimi i këtij projekti është që nxënësit vullnetarë të organizojnë aktivitete kreative, me qëllim që të motivohen për punë praktike e krijuese dhe për të nxënë vlera të qëndrueshme mbi bazën e njohurive dhe të shkathtësive të arritura të cilat do të lënë gjurmë gjatë gjithë jetës. “Zhvillmi i shoqërisë sipërmarrëse në Ballkanin Perëndimor dhe Turqi - për mësimin sipërmarrës (SEECEL)”, “TOKA te TI”, “Kosovision Contest”, “SOS Fshatrat e Fëmijëve në Kosovë” dhe GIZ-i ndikojnë pozitivisht në mënyrë gjithëpërfshirëse, kreative dhe shprehëse në aspekte të ndryshme të mendimit të nxënësve tanë. 


Do t’i ktheheni sërishmi profesionit të shenjtë të mësueses apo mendoni që të vazhdoni ende me pozitën që keni?

Zylë Osmani: Të ardhmes s’i dihet kurrë, por gjithsesi do të jem aty ku është arsimi, dituria dhe e ardhmja e fëmijëve tanë. 


Çfarë i këshilloni prindërit dhe çfarë nxënësit?

Zylë Osmani: Ashtu siç mëshirohemi ne me sukseset e nxënësve, të cilët i motivojmë, i inkurajojmë përveç që i mësojmë. Kërkoj nga prindërit të jenë bashkëpunues dhe më shumë bashkëveprues me fëmijët e tyre. Prindërit duhet të jenë kontribuues në rezultatet e fëmijëve të tyre. Nga nxënësit kërkoj tё ndërtojnë dhe të krijojnë vetë njohuri. Të gjithë nxënësit le të mësojnë në mënyrën më cilësore e më aktive, të jenë hulumtues, të punojnë në zhvillimin e prodhimit të njohurive, të jenë navigatorë të dijes në kërkim të informacionit nga burime të ndryshme dhe të bëhen dashamirë të librit për tërë jetën.


(Intervistën e zhvilluan nxënësit e klasave të nënta të shkollës “Hilmi Rakovica” - Prishtinë, nën mbikëqyrjen e mësimdhënësit Mentor Hajrizi)


(Portali Shkollor)

9,028 Lexime
6 vjet më parë