Pse një program për sigurinë në shkollë?
Të dashur nxënës! Ministria e Arsimit, Rinisë dhe Sporteve, Ministria e Brendshme, Akademia e Sigurisë dhe Urdhri i Psikologut do të ndërmarrin projektin "Shkolla të sigurta - Oficerët e Sigurisë në shkolla”.
Të dashur nxënës! Ministria e Arsimit, Rinisë dhe Sporteve, Ministria e Brendshme, Akademia e Sigurisë dhe Urdhri i Psikologut do të ndërmarrin projektin "Shkolla të sigurta - Oficerët e Sigurisë në shkolla”, i cili i jep një vëmendje të posaçme rritjes së sigurisë, si brenda ashtu përreth shkollave.
Siguria në shkollë dhe lufta kundër dukurive të tilla, si episode të dhunës, përdorimi i drogave dhe i substancave abuzive, dukuria e bulizmit, siguria fizike në shkolla etj., janë prioritet i punës së shkollës për sigurimin e mirëqenies suaj fizike dhe sociale.
Qëllimi i kësaj iniciative është garantimi i një mjedisi të nxëni të sigurt për ju dhe komunitetin rreth jush.
Çfarë janë oficerët e sigurisë në shkolla?
• Të rinj dhe të reja të mirëtrajnuar nga Akademia e Sigurisë dhe Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë.
• Staf i familjes së madhe të shkollës, sikundër mësuesit dhe administrata e shkollës.
• Njerëz që do të kujdesen për ruajtjen e sigurisë në shkollë dhe përreth saj.
• Profesionistë që do të kenë akses ne vendosjen e kontakteve me ju në rast rreziku.
• Profesionistë, të cilët do t’ju informojnë për respektimin e ligjit dhe ruajtjen e rendit në shkollë.
• Staf i cili do të identifikojë, raportojë dhe bashkëpunojë me drejtuesit, mësuesit, prindin, psikologun e shkollës për zgjidhjen e situatave konfliktuale, parandalimin e dhunës, abuzimin me drogat, radikalizmin e dhunshëm, ngacmimet etj.
• Profesionistë që në mënyrë periodike zhvillojnë leksione ose biseda me ju, me qëllim ndërgjegjësimin rreth dukurive dhe kërcënimeve të mundshme, si dhuna, substancat narkotike, trafikimi, siguria fizike nga zjarri etj.
Si duhet ta konsideroni praninë e një oficeri sigurie në shkollën tuaj?
Prania e një oficeri sigurie pranë shkollës tuaj do t’ju garantojë një mjedis të sigurt dhe miqësor.
Konsiderojeni oficerin e sigurisë si një mik dhe bashkëpunoni me të.
- Oficeri i sigurisë do të krijojë një mjedis miqësor me ju.
- Oficeri i sigurisë do të krijojë marrëdhënie të mira me ju, do të nxisë dhe mbështesë një klimë bashkëpunuese me stafin e shkollës, psikologun e shkollës, oficerin e policimit në komunitet dhe prindërit.
Konsiderojeni oficerin e sigurisë si një person me vlera dhe moral të lartë.
• Integriteti, profesionalizmi dhe diskrecioni. Për vetë natyrën delikate të detyrës së oficerit të sigurisë, integriteti i lartë dhe profesionalizmi i tij janë vlera të panegociueshme.
• Shembulli pozitiv. Oficeri i sigurisë do të sjellë një nga rolet më me ndikim tek ju, duke treguar shembullin personal pozitiv, duke qenë i sinqertë, me integritet, inkurajues dhe mbështetës me ju dhe me prindërit tuaj.
• Serioziteti i detyrës. Oficeri i sigurisë do të marrë seriozisht të gjitha shqetësimet dhe do të ndjekë hapat e duhur për të ndërmarrë një veprim për sigurinë tuaj.
Kur mund t’i drejtoheni për ndihmë një oficeri sigurie?
Ju mund t’i drejtoheni për ndihmë një oficeri sigurie, nëse:
• shihni një situatë krimi dhe dhune në shkollë (njoftimi juaj mund t’i parandalojë këto fenomene);
• dikush tenton t’ju dhunojë;
• dikush tenton t’ju ngacmojë jashtë perimetrit të shkollës;
• dikush tenton të përdorë mjete të forta;
• dikush tenton të përdorë armë të ftohta apo ato të zjarrit;
• dikush tenton t’ju ofrojë lëndë narkotike, duhan, alkool;
• ndodheni në një situatë konflikti;
• kërkoni informacion më të hollësishëm se si të ndërgjegjësoheni për parandalimin e dukurive të sipërpërmendura;
• keni nevojë për të bashkëpunuar me institucionet e rendit, në përmbushje të sigurisë në shkollë.
(IZHA, Portali Shkollor)
Ceremonia e ndarjes së “Medaljeve të Arta” për 188 maturantë, Manastirliu: 80% e ekselentëve studiojnë në universitetet shqiptare
Pasurimi i bibliotekave shkollore, Manastirliu: Mbi 20 mijë libra për nxënësit në gjithë vendin
Dita e Diasporës, Manastirliu: Nis nga Janari programi “Mësues për Greqinë”, mbështetje financiare për mësuesit e diasporës