“Faleminderit” APO “Falemnderit"?
Si ta shkruajmë dhe si ta përdorim saktë këtë pasthirrmë mirënjohjeje?
Kjo pasthirrmë mirënjohjeje është formuar nga përngjitja e dy fjalëve: “falem” dhe “nder”. Mirëpo kjo pasthirrmë shumë herë na del me dy trajta: falemnderit dhe faleminderit. Të dyja këto trajta janë të sakta, por ka një rregull se kur përdoret njëra dhe kur përdoret tjetra.
- Kur përdoret trajta e parë dhe kur e dyta?
Për të përdorur trajtën e saktë të kësaj pasthirrme, duhet të shohim kujt i drejtohemi: një apo disa personave. Pra, të shohim numrin:
1. Përdoret “falemnderit” kur i drejtohemi një personi të vetëm, të afërm ose që e ndiejmë të tillë dhe nuk lind nevoja të përdorim shprehjet e mirësjelljes. P.sh.: Ty të falemnderit! Të falemnderit, vëlla! Nuk mund t’i drejtohemi vëllait, babait, nënës, motrës, mikut tonë të ngushtë me “Ju”. P.sh.: Baba, ju faleminderit që erdhe me mua! Por: Baba, të falemnderit që erdhe me mua!
2. Përdoret “faleminderit” kur u drejtohemi disa personave. P.sh.: Miq, ju faleminderit që më qëndruat pranë! Mirëpo, përveçse kur u drejtohemi disa personave, kjo trajtë përdoret edhe kur i drejtohemi një personi të vetëm, por duam të shprehim mirësjellje e respekt ndaj tij, ose kur atë person nuk e njohim nga afër, është më i moshuar ose është drejtuesi ynë etj. Ndaj këtyre personave u drejtohemi me “ju”, jo “ti”, dhe në këtë rast përdorim pasthirrmën “faleminderit”. P.sh.: Zoti ministër/drejtor, ju faleminderit që i morët parasysh kërkesat tona!
Pra, nëse dikujt i drejtohemi me “ti” përdorim pasthirrmën “falemnderit”, nëse i drejtohemi me “ju” përdorim “faleminderit”!
(Përgatiti: Sevi (Lami) Agolli; Portali Shkollor)
Evropë apo Europë?
Përdorimi i fjalëve të huaja në raportimet e mediave të shkruara
TE vs TEK, si t'i përdorim saktë këto dy parafjalë?