Studim

Procesi i të pyeturit në lëndën e historisë, studim nga Dorisa Topi

“Ky studim merr në shqyrtim në një vështrim të përgjithshëm funksionimin e teknikës së të pyeturit në lëndën e historisë. Nga ky studim kam dalë në disa konkluzione, që do dëshiroja shumë të ishin pjesë e praktikës suaj të mësimdhënies”, - Dorisa Topi.

Ky studim merr në shqyrtim në një vështrim të përgjithshëm funksionimin e teknikës së të pyeturit në lëndën e historisë. Pjesa më e madhe e orës së mësimit kalon nëpërmjet marrëdhënies pyetje-përgjigje, dhe ajo nuk është e rastësishme. Kështu ndodh në vazhdimësi, nga ora në orë që do të thotë se të pyeturit është një nga teknikat kryesore në mësimdhënie. Madje, është aq i rëndësishëm sa specialistët e vlerësojnë atë si shtyllën e vlerësimit të mësimdhënies së mirë. Ja si është shprehur një ndër themeluesit e filozofisë së sotme Xhon Djui: “Të dish të bësh pyetje siç duhet do të thotë të dish të japësh mësim. Më shumë se çdo gjë tjetër, arti i bukur i mësimdhënies varet nga mjeshtëria e përdorimit të pyetjeve, pasi ajo shërben si drejtim për ide të gjalla e të qarta, nxit me shpejtësi imagjinatën dhe mendimin, gjë që të shtyn për veprim”. Këto dy shprehje të Xhon Djuit tregojnë më së miri rëndësinë e përdorimit të pyetjeve në procesin e mësimdhënies dhe efektet që ajo ka nëse përdoret me produktivitet. Duke qenë se historia për vetë natyrën dhe objektivin që ka, nga studimet e ndryshme është konstatuar se konsiderohet si një ndër lëndët ku bëhet më shumë pyetje si nga ana e mësuesit dhe nga ana e nxënësve. Por, përdorimi i shumtë i të pyeturit në këtë lëndë lind edhe sepse mësimi në këtë lëndë duhet të zhvillohet mbi bazën e shpjegimit, diskutimit, debatit, bisedës etj, ku këto metoda funksionojnë mbi bazën e të pyeturit. 



Të pyeturit si teknikë nëse funksionon ashtu siç duhet është një element kyç në formësimin e nxënësit të shekullit XXI, nxënësin kritik e krijues, pra nxënësi që heton, hulumton pyet e kështu formësohet. Pra, arsyet pse unë zgjodha këtë studim konsistojnë në rëndësinë që ka teknika e të pyeturit në mësimdhënien e historisë, por ajo që më shtyu edhe më shumë është vlera ose rëndësia përkundrejt mosfunksionimit siç duhet në lëndën e historisë, pse kjo e mirë e përbashkët për të dy aktorët mësues- nxënës nuk trajtohet ashtu siç duhet dhe nuk jep rezultatet që duhet të japë. Përgjigja e pyetjes “pse” të madhe për mirëfunksionimin e kësaj teknike, në radhë të parë është nga ana e mësuesve pavarësisht trajnimeve dhe ndryshimeve kurrikulare ata nuk ndryshojnë përdorimin e saj dhe nëse mësuesit ndryshojnë strategjitë e taktikat e mirëfunksionimit të kësaj teknike atëherë rezultati e ndryshimi do të vijë tek nxënësit dhe rezultati pozitiv do të jetë i padiskutueshëm. Arsye tjetër janë edhe studimet e pakta në lidhje me të pyeturin në Shqipëri dhe konkretisht të pyeturit në histori. Për realizimin e objektivave të këtij studimi është përdorur një metodologji e karakterit përshkrues dhe analizues.


Studimi është konceptuar me një strukturë që fillon me hyrjen dhe vazhdon me tre krerët dhe mbyllet me përfundimet e rekomandimet, bibliografi e shtojca. Hyrja e studimit fillon me një histori të shkurtër të të pyeturit në shkollë, qysh me Sokratin e deri në ditët e sotme. Kapitulli i parë, “Të pyeturit në mësimdhënien e historisë”, trajton disa tematika në lidhje me teknikën e të pyeturit. Kapitulli i dytë, “Funksionimi i të pyeturit në histori dhe rëndësia e përdorimit të tij në mësimdhënie” kam analizuar se cilët janë aktorët në funksionimin e të pyeturit dhe roli i gjithsecilit dhe më pas funksione e rëndësinë e të pyeturit. Kapitulli i tretë, “Analiza e gjetjeve të kërkimit në lidhje me të pyeturit në lëndën e historisë në klasën e nëntë”. Në këtë kapitull kam analizuar gjetjet e kërkimit nëpërmjet anketimit, intervistimit dhe nëpërmjet vëzhgimit në lidhje me funksionimin e teknikës së të pyeturit në lëndën e historisë dhe konkretisht në klasat e nënta. (Studimi i plotë pritet të botohet).


Nga ky studim i realizuar në bashkëpunim të ngushtë me aktorët që kanë ndikim në këtë proces dhe janë pjesë e rëndësishme e këtij procesi kam dalë në disa konkluzione, që do dëshiroja shumë të ishin pjesë e praktikës suaj të mësimdhënies. Ky studim e përcakton lëndën mësimore, por doja të theksoja se disa nga këto konkluzione dhe rekomandime do të ishin të vlefshme edhe në lëndët e tjera mësimore. Përfundimet janë pjesë përbërëse e studimit të shkurtuar bashkëlidhur më poshtë.


Rekomandimet e mia janë për gjithë aktorët që janë shumë të rëndësishëm në procesin e të pyeturit, konkretisht:


 Mësuesve

• Planifikoni pyetjet paraprakisht për të përmbushur kriteret didaktike të hartimit të tyre dhe mirëfunksionimin e teknikës së të pyeturit.

• Përdorni pyetjet me qëllim vlerësues, por në kontekstin e të ndihmuarit të nxënësit duke e formësuar atë, jo duke i dhënë një notë për vlerësim.

• Përdorni pyetjet me qëllim motivues për nxënësit tuaj, sepse ata mund të kenë një përgjigje dhe mos ngrini nxënësin tjetër nëse ai nuk formulon dot përgjigjen, jepini kohë e motivoheni me pyetje motivuese.

• Krijo atmosferë pune nëpërmjet të pyeturit, drejto pyetje të cilat ngjallin debate e diskutime.

• Pjesëmarrja e nxënësve në procesin e të pyeturit është një element i rëndësishëm në krijimin e bashkëpunimit në klasë. Sipas anketimit të nxënësve u pa se ata ishin të gatshëm për të marrë pjesë në procesin e të pyeturit, ndërsa nga vëzhgimi dhe intervistimi i mësuesve nxënësit nuk ishin shumë aktivë në këtë proces, ata prisnin që mësuesi t’i drejtohej me emër pa të jepnin përgjigje edhe pse ata mund ta dinin ata nuk ishin aktivë.

• Përdorni larmishmëri pyetjesh dhe shmang përdorimin në masë të madhe të pyetjeve të nivelit të ulët, për të formësuar nxënësin dhe jo vetëm ta pajisësh me njohuri, krijo një nxënës kritik e krijues dhe jo riprodhues.

• Përdorni pyetje jo vetëm nga përmbajtja e temës mësimore, por edhe bëj analogji me jetën e përditshme, kjo nxit pjesëmarrjen, bashkëpunimin, nxit mendimin tek nxënësi, por e bën atë të memorizojë gjatë në kujtesën e tij njohuritë.

• Shmangni përdorimin në masë të drejtuarit të pyetjeve në mënyrë individuale, sepse ajo mund të shkaktojë pasivitet të pjesës tjetër të klasës, drejtojani gjithë klasës.

• Shmangni përdorimin në masë të drejtuarit të pyetjeve në mënyrë individuale, sepse ajo mund të shkaktojë pasivitet të pjesës tjetër të klasës, drejtojuni gjithë klasës.

• Përdorni më shumë pyetje në fazën e realizimit të kuptimit për të mbajtur në qendër nxënësin dhe aktiv.

• Jepuni nxënësve më shumë kohë për t’u menduar për pyetjet e nivelit të lartë dhe më pak për pyetjet e nivelit të ulët.

• Mos reagoni negativisht ndaj përgjigjeve të gabuara ose të paplota, por motivoni ata që të shkojnë drejt përgjigjes së saktë, sepse reagimi negative e dëmton funksionimin e të pyeturit.

• Gjatë të pyeturit të gjithë nxënësit duhet të jenë aktivë për këtë, mësuesit duhet të bëjnë një miksim mes nxënësve që kanë dëshirë të ngrihen dhe atyre që qëndrojnë pasive, jo të ngrihen vetëm nxënësit që janë për t’u vlerësuar.

• Krijoni mundësi dhe kohë nxënësve për të pyetur.


Hartuesve të teksteve:

Duke qenë se ushtrimet e tekstit përdoren shumë si modele të gatshme

pyetjesh nga ana e mësuesve, vendosni një proporcion në masë optimal në

lidhje me nivelet e pyetjeve.


Trajnuesve:

• Vendosni një proporcion të duhur gjatë trajtimit mes kuadrit teorik dhe

praktik, vëmendja duhet t’i kushtohet aspektit praktik.

Dorisa Topi, ka përfunduar studimet e larta në Fakultetin e Edukimit dhe Filologjisë pranë Universitetit të Korçës. Pas studimeve universitare ka kryer praktikën profesionale në fushën e mësimdhënies, monitorimit të kurrikulës dhe zhvillimit profesional. Znj. Topi është angazhuar/trajnuar në projekte aktivitete dhe trajnime të ndryshme në fushën e mësimdhënies, administratës, sekretari arkivit, drejtësisë, turizmit dhe mjedisit. Eksperienca e saj e punësimit është në fushën e mësimdhënies dhe sekretari arkivit. Ka punuar në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, Bibliotekën Kombëtare, Qendrën Kombëtare Kulturore për Fëmijë dhe aktualisht punon pranë Qendrës së Parandalimit të Krimeve të të Miturve dhe të Rinjve. 



©Portali ShkollorTë gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

1,583 Lexime
1 vit më parë