Prindërit: Kemi pakënaqësi për portofolin e nxënësit
Referuar një teme dite që ne kemi publikuar në Portalin Shkollor Albas, prindërit janë shprehur të shqetësuar për ngarkesën që kanë fëmijët e tyre nga detyrat e shkollës, e sidomos projektet. Nga ana tjetër mësuesit janë të detyruar prej kurrikulave që i ngarkojnë nxënësit.
Prindërit shprehen të shqetësuar nga ngarkesat e kurrikulave parauniversitare të nxënësve, duke kërkuar ndryshim apo riformim të programeve për të lehtësuar mësimnxënien. Projektet dhe detyrat shikohen nga prindërit në aspektin formal, jo formues, duke ndikuar në demotivim të nxënësve, pakënaqësi ndaj edukimit, gjerë në padëshirë për t’u impenjuar.
Referuar një teme dite që ne kemi publikuar në Portalin Shkollor Albas, prindërit janë shprehur të shqetësuar për ngarkesën që kanë fëmijët e tyre nga detyrat e shkollës, e sidomos projektet.
Një prind është shprehur kështu:
"…Si ka mundësi që fëmijëve t’u jepen detyrat e portofolit dhe projektet gjatë gjithë vitit? Nuk e di a arrin mësuesi ta kuptojë se nxënësit ndonjëherë nuk janë në gjendje, t’i bëjnë vetë këto projekte, ose detyra dhe prindërit detyrohen t’i bëjnë vetë. Po t’i pyesësh fëmijëve se çfarë kanë shkruar aty, asnjëri nuk është në gjendje ta tregojë. Për mua është një gjë e padrejtë dhe e pavlefshme për fëmijën…"
Çfarë janë detyrat e portofolit?
Në Udhëzuesin Metodik për Zbatimin e Kurrikulës së Re për Arsimin Fillor për Klasat I-V, 2021, kemi : Detyrat e portofolit mund të jenë punime të kryera në klasë dhe/ose jashtë saj, dëshmi e kontributeve dhe talentit të nxënësit, me karakter hulumtues dhe krijues të tilla si: punë praktike individuale, produkte të krijuara nga nxënësit, punime audio-vizuale, aktivitete në grup ose individuale, projekte individuale ose në grup etj. Punimet e portofolit kanë si qëllim t’u krijojë mundësi nxënësve të nxjerrin në pah aftësitë dhe talentet e tyre.
A arrihet ky qëllim në vendin tonë?
Në rrjetet online, por edhe në mbledhjet shkollore, prindërit bashkohen mbi këtë problematikë, duke identifikuar ngërçet dhe ofruar alternativa ndihmuese mbi kapërcimin e vështirësive të nxënësve. Disa nga komentet e publikuara në Portalin Shkollorë janë:
“… Problemi është tek kurrikulat që i ndryshojnë… pra, mësuesit janë aq të ngarkuar sa s’dinë çfarë të thonë më…” - është shprehur M.M.Xh.
“ Fatkeqësisht janë projekte formale, që në shumicën e rasteve janë kontribut i prindërve…”- është shprehur E.R.
“ Projektet që shkruajnë nxënësit apo prindërit i marrin informacionet shabllon nga interneti dhe i printojnë. Dhe nxënësi se ka idenë çfarë përmban e çfarë shkruhet në ato letra…” - është shprehur E.D.L.
“… Ngelëm sa në bibliotekë e sa në librari duke ndihmuar fëmijët me projektet e tyre…” - është shprehur E.K.
“…Më e drejtë më duket që fëmijës t’i organizohet orë leximi me libra jashtëshkollore dy herë në javë, dhe një herë në javë një takim me psikologen e shkollës, se sa të ngarkohet fëmija me gjëra të tilla…”- është shprehur B.Q.
Projektet shikohen të ngjashme me ushtrimet teorike
Argumentët e parashtruara nga prindërit theksojnë nevojën e një ndryshimi, duke ia atribuar dëshirën institucioneve arsimore. Prindërit ankohen se nxënësit i shikojnë projektet kurrikulare njëjtë me detyrat e portofolit, duke krijuar neglizhencë të theksuar tek ata. Prindërit përpiqen t'i motivojnë, e sërish shikohet e papërballueshme nisur nga numri i lartë i projekteve të kërkuara nga dita në ditë.
“… Shumë i drejtë shqetësimi, të hiqen fare projektet sidomos nga klasa 1 deri në të 5-tën…”- është shprehur një prind.
Por cila është qasja e mësuesve mbi këtë problematikë?
Në lumin e komenteve të ankesave, mësuesit pajtohen me prindërit për shkallën e vështirësisë, duke kërkuar një zgjidhje të shpejtë dhe të favorshme. Mbingarkesa e nxënësve është një fenomen i përhapur. Si zgjidhje, mësuesit shprehen për një ndryshim të kurrikulave mësimore, duke u treguar mirëkuptues ndaj kërkesave prindërore për mësimnxënie më motivuese. Mes komenteve, lexohen dukshëm opinionet mbështetëse, të tilla si:
“…Ky shqetësim është i drejtë, por nuk duhet ngritur këtu. Drejtojani atyre që bëjnë kurrikulën. Për ne mësuesit gjëja më e bezdisur është korigjimi i projekteve e portofolëve, të gjitha copy-paste. Në shumë pak raste ka punë krijuese nga nxënësit në gjimnaze e jo më në cikle të tjera …” është shprehur A.GJ.
A mund të kemi në Shqipëri një sistem të ngjashëm me shtetet e përparuara?
Të shumtë janë prindërit të cilët hedhin sytë nga kurrikulat e vendeve më të zhvilluara për të paralelizuar ndryshimet në arsimin e këtushëm. Sigurisht, kur flasim për vende me progres të lartë si Singapori, Shangai apo Finlanda, nuk mund të pretendojmë të përsosim të njëjtat infrastruktura arsimore në vendin tonë në pak vite, veçanërisht nga ndryshimet e mendësisë së popujve dhe kulturave. Të adaptosh metodat e mirëqenies edukative të një vendi, fillimisht duhen studiuar një sërë faktorësh ekonomik, social, kulturore të vendit tonë. Progresi i sistemeve arsimore nis me kërkesën për të krijuar dhe zhvilluar mjetet e favorshme, të ardhura nga provat dhe studimet. Nëse prindërit shikojnë pengesa në arsim, atëherë identifikimi dhe raportimi janë shembulli më i mirë për tu ndjekur. Nisur nga numri i lartë i ankesë-kërkesave, pa dyshim, fjala e fundit i takon kompetencave të larta, drejtë ezaurimit të një ndër etapave më delikatë të kurrikulave arsimore.
Burime:
Komentet e prindërve dhe mësuesve janë marrë nga Portali Shkollor Albas.
Udhëzuesi Metodik për Zbatimin e Kurrikulës së Re për Arsimin Fillor për Klasat I-V,2021, Tiranë.
Shkroi: Xhoana Jaku.
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Sugjerime për përmirësimin e udhëzimit mbi ndalimin e telefonave celularë në mjediset shkollore
Hartimi i projektit kurrikular
Buxheti 2025 për arsimin dhe sportin rritet me +18%