Strategji në arsim

Prezantohet drafti paraprak i Strategjisë Kombëtare të Kërkimit Shkencor, Teknologjisë dhe Inovacionit

MAS ka prezantuar draftin paraprak të Strategjisë Kombëtare të Kërkimit Shkencor, Teknologjisë dhe Inovacionit, për vitet 2023-2030. Ministrja Evis Kushi ka nënvizuar disa nga qëllimet prioritare të kësaj strategjie, të cilat mund t’i lexoni më poshtë.

Ministria e Arsimit dhe Sportit ka prezantuar draftin paraprak të Strategjisë Kombëtare të Kërkimit Shkencor, Teknologjisë dhe Inovacionit, për vitet 2023-2030.


Ministrja e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi në fillim të prezantimit ka nënvizuar disa nga qëllimet prioritare të kësaj strategjie. Një nga këto prioritete është rritja graduale e buxhetit për kërkimin shkencor dhe inovacionin deri në vitin 2030 në 1% të Produktit të Brendshëm Bruto, duke përfshirë edhe kontributin e të gjithë aktorëve, sektori i biznesit, arsimi i lartë privat, organizatat jofitimprurëse, ministritë e ndryshme dhe bashkitë.

Një tjetër prioritet është edhe rritja e pjesëmarrjes së institucioneve që merren me kërkime shkencore, në programet kuadër të BE-së, si Horizon Europe, etj.


Krijimi i një mjedisi që lehtëson dhe nxit ndërveprimin dhe projekte të përbashkëta mes institucioneve kërkimore dhe komunitetit të biznesit është sërish në fokus kryesor të kësaj strategjie.

Ndërkohë, edhe përmirësimi i kapaciteteve të kërkuesve shkencor dhe krijimi i rrjetit të tyre brenda dhe jashtë Shqipërisë, për rritjen e performancës në programet kombëtare dhe ndërkombëtare, është një nga elementet thelbësore të strategjisë, ashtu sikur se edhe zhvillimi i kapaciteteve infrastrukturore të kërkimit shkencor, krijimi i mjediseve të përshtatshme kërkimore, laboratorëve dhe infrastrukturave kërkimore.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi falënderoi të gjitha institucionet që u përfshinë në hartimin e këtij drafti, i cili tashmë është në konsultim publik dhe për të cilin presim sugjerime konkrete që ndihmojnë në përmirësimin e tij.



© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

1,016 Lexime
1 vit më parë