OPINION

Prapaskenat e mësimit online

Lodhja është shumëfish më e madhe se zakonisht sepse nuk ishin të përgatitur për këtë mënyrë mësimdhënieje, të papërgatitur për korrigjimet e detyrave kapicë në celularin që s'ka gojë të thotë: "Po pëlcas, boll më!".

Këto janë kohët më të vështira për të gjithë, në çdo kënd, në çdo sferë të jetës publike. 

Koha më e vështirë për fushën e edukimit në të gjithë botën. 

Ministrja e Arsimit cilëson "Për vitin shkollor, vazhdon mësimi online dhe modelet mësimore nga shtetet e tjera". 

Kam qenë nga ata mësues të cilët e përkrahën pa komente, duke e ndjerë detyrë profesionale dhe morale. Do të përpiqesha me të gjitha mundësitë për mësimin online. 


NUK jam kundër asgjëje, pasi dhe për atë 20% (apo më shumë) të nxënësve që s’mund ti marrin mësimet online i ndjekin nga RTSH, pavarësisht faktit që sa i kompleton. 


Askush nuk e mohon që këto mënyra për mësimnxënien janë zgjedhja më e mirë në këtë kohë krize. 

Periudhën e dytë të vitit shkollor e mbyllëm duke e realizuar planin mësimor “100%”. Aftësitë digjitale të gjithësecilit u zhvilluan dhe më shumë. 


Përtej këtyre arritjeve, kështu do të vazhdojmë, të japim e të marrin mësim online, nga smartphone?! 


Mes kësaj të mire janë dëmet që po shkaktohen padashje nga kjo lloj mënyre të të nxënit. 

Unë jam mësuese, jam “psikologe” që më duhet ta njoh botën e brendshme të nxënësve në çdo skaj, jam nënë që ka regjistruar çdo detaj në sjelljen e fëmijës së saj. 

Dhe sa do mundin nxënësit të vazhdojnë me mësimet me shkrim apo video nga celulari, ku nuk është vetëm një lëndë, por dy-tri lëndë në ditë, për secilën nga një detyrë me dy ushtrime, më e pakta. Mos harrojmë testimet, detyrat e portofolit sepse na duhen për vlerësimet në fund të tremujorit. 

Lodhja e syrit dhe e trurit tek këta fëmijë gjatë përqëndrimit do të jetë një dëm përjetë. 

Kjo formë e të mësuarit ishte diçka e re për to. U ka ndryshuar regjimi i një dite shkollore, plotësisht. Kanë një orar të padisiplinuar, ku jo të gjithë janë të pranishëm në të njëjtën kohë, në mësim. Do ti duhet celulari i prindit i cili ka dhe ai angazhimet e tij ose i tërheq idea se kanë kohë gjatë gjithë ditës brenda në shtëpi. 

Përveç emocioneve e stresit të këtyre ditëve duhet të përballen dhe me garimin e prezantimit të detyrës nga disa talentë apo ka dhe raste "detyrës së pandershme" të plotësuar nga prindi, në grupin e klasës, shkollës apo në ndonjë rrjet. 

Duhet të ndjejnë dhe ngarkesën se si mund të vlerësohen për mbylljen e një 3-mujori duke qëndruar në shtëpi, pasi detyrat mund të mos i kenë dorëzuar plotësisht (dhe pse mësuesit janë treguar shumë tolerantë e kanë lënë kohëpritje për dorëzim). 


Po kahu tjetër?!

Mësuesit, këta heronj të heshtur e të pambrojtur(se në fund të fundit punën po bëjnë, rrogën do marrin). 

Lodhja është shumëfish më e madhe se zakonisht sepse nuk ishin të përgatitur për këtë mënyrë mësimdhënieje. 

Të papërgatitur për dhënien e mësimit online, të papërgatitur për tua dhënë mësimin me video e powerpoint, të papërgatitur për korrigjimet e detyrave kapicë në celularin që s'ka gojë të thotë: "Po pëlcas, boll më!"

Të ekspozuar, pa fitra apo me filtra, mes rrjeteve e grupeve të edukimit me qëllim për të dhënë një orë online mësimi (sepse mund ti vlejë dikujt që s’ka mundësi), duhet të përballen me komente pafund të atyre që nuk ndjejnë asnjë përgjegjësi. 

Shumë mirë që tregohen mënyrat për hapjen e një klase në Zoom, në Google, si mund të ruhen folderat në Drive etj. etj. , por e vërteta është se shumica e mësuesve dhe e nxënësve e kanë të vështirë pasi me celular nuk arrin t’i menaxhosh këto aksese. 


Si shtetas të këtij vendi e kuptojmë shumë mirë situatën, e kuptojmë që kaq janë kushtet për të vazhduar më tej, por kuptoni dhe ju se këta pishtarë të pashuar nuk mund të vazhdojnë ende. 

Nuk kërkojmë asnjë shpërblim sepse ky është misioni ynë “TË PËRHAPIM DIJE”, por kujtoni se ata nxënës kanë nevojë për mësuesit dhe pas mbarimit të kësaj situate, prandaj mbrojini, mos i shfrytëzoni deri në pamundësi, deri në rënie të shëndetit dhe mospërkushtim ndaj familjes së tij. 


Nuk po gjejmë kohë të merremi me të afërmit tanë në këtë kohë që jemi më afër njëri-tjetrit se kurrë më parë. Nuk po gjejmë më fuqi të kujdesemi për fëmijën në shtëpi. Futemi në kompjuter apo celular nga mëngjesi deri në darkë, sa dhe duart po na dhembin, s’do mund të shkruajmë më me shkumësat në vazhdimësi. 

E pa mendoni, pas gjithë kësaj lodhjeje, si mund të ndjehet ky binom"mësues-nxënës", kur thuhet që këto ditë mësimore online do të zëvendësohen përsëri. 


E nderuar znj. Ministre, dilni përtej postit që keni. Merrni në konsideratë mësuesit dhe nxënësit. 

Ju lutemi, mos të vazhdojmë më me dhënien e koncepteve të reja shkencore, periudhën e tretë të shkollës online, por të bëjmë përsëritje të njohurive të mëparshme e të jemi pranë nxënësve tanë duke i dhënë ditës së tyre harmoni e zbavitje dhe brenda shtëpisë. 


Për këtë kanë nevojë sot, të gjithë!



Mësuese Menada Shypheja, Elbasan



(Portali Shkollor)

9,954 Lexime
4 vjet më parë