INTERVISTË

Pranvera Paplekaj: Mësuesit ndihmës dhe psikologët i pret një vit shkollor plot sfida dhe të papritura

Pranvera Paplekaj Martinaj, mësuese ndihmëse dhe psikologe, rrëfen mbi sfidat e mësuesit ndihmës, punën e palodhur dhe të domosdoshme të psikologut në shkolla, si dhe siguritë/pasiguritë që ndjen për këtë vit akademik...

Pranvera Paplekaj Martinaj, mësuese ndihmëse dhe psikologe, në qytetin e Lezhës, në një intervistë për Portalin Shkollor Albas rrëfen mbi sfidat e mësuesit ndihmës, punën e palodhur dhe të domosdoshme të psikologut në shkolla, si dhe siguritë/pasiguritë që ndjen për këtë vit akademik. Sipas saj, hapja e shkollave është zgjedhja e duhur, pasi vetëm kështu nxënësit mund të përfshihen cilësisht në procesin arsimor. Ju ftojmë ta lexoni!



Nis një vit i ri akademik, plot të panjohura. Cili është opinion juaj rreth situatës dhe nisjes së këtij viti shkollor? Si mësuese ndihmëse dhe psikologe, a mendoni që hapja e shkollës ishte zgjedhja e duhur? 


Kur mendon se kemi të bëjmë me kërcënimin e jetës asnjëherë nuk mund të përgjigjesh me një "po" absolute, apo me një "jo" absolute. Kur bëhet fjalë për marrjen e një vendimi ka gjithnjë dy anë të medaljes. Personalisht mendoj se hapja e shkollave është një rrisk që duhej marrë përsipër. Më tej kur shikon grumbullime, mendoj dyfish se ishte zgjedhje e duhur. 


Pra, sa kohë që në shumë pak ambiente apo institucione po zbatohen masat, dhe në shkollë do te duhet që të zbatohen në mënyrë rigoroze, atëherë përse të mos hapen shkollat.


Fëmijët nëse nuk do hapeshin shkollat, e sigurtë që do kalonin gjithë kohën ose duke u argëtuar në grupe shokësh, ose me telefona në duar, përpara kompjuterave.


Eksperienca me mësimin on-line na tgregoi se fëmijët mund të përfitojnë, duke shfrytëzuar kohën negativisht me pretendimin se po merreshin me mësimin.  Ardhja në shkollë do i shërbejë pozitivisht nxënësve, do i aktivizojë ata cilësisht, mendërisht dhe fizikisht, do të mund të zhvendosen nga mendimet negative dhe nga stresi i krijuar nga kushtet e pandemisë. Më mire një orë mesimi e drejtpërdrejtë me mesuesin dhe shokët e shoqet në klasë, sesa orë të tëra online. Mendoj dhe duke besuar se procesi do shkojë mirë, është bërë zgjedhja e duhur.



Cila është sfida më e madhe me të cilën mendoni se do të përballeni?


Me sfida të mëdha gjatë këtij viti do na duhet që të gjithëve të përballemi, por ndër më të vështirat sipas mendimit tim janë këto:


Puna e mësuesve ndihmës me fëmijet me Aftësi Ndryshe. Si do mund të punojë mesuesi sipas udhëzuesit me rastet kur përballë ka një fëmijë të verbër, tetraplegjik, kur përballë ka një fëmijë me probleme të medha të motorikës fine, me një fëmijë me çrregullim të Spektrit Autik, me probleme të mëdha në sjellje dhe komunikim, me një fëmijë me paaftësi intelektuale të thellë. Po me një fëmijë me Sindromen Down, i cili kërkon me ngulm të të japë përqafimin e tij të ndjerë. 


Rasti më ekstrem ndodh edhe kur prindi të thotë "mos e prek fëmijen tim, mos iu afro sepse kam frikë" ... Me pak fjalë mësuesi ndihmës dhe këta fëmijë mbeten më të rriskuarit. Në këtë sfidë nuk mund të fajësohet askush, pasi vetë situata nuk të lë hapësirë për alternativa zgjidhjesh, por le ta shohim si diçka kohëshkurtër. 


Po ashtu do jetë sfidë edhe për mësuesit e klasave që do kenë fëmijë të tillë në klasa të pambuluara nga mësues ndihmës, pasi ka ende mungesa të theksuara të mesuesve ndihmës. Lind pyetja, si do mund t’ia dalë ndërkohë që duhet mbajtur distanca dhe duhet zhvilluar mësimi në kohë shumë të shkurtër dhe ndërkohë grupi tjetër qëndron duke pritur?! 


Sfida e dytë, me të cilën uroj mos përballemi shpesh, është ankthi i prindërve. Kujdesi i tyre i tepruar mund të na ofrojë imazhe prindërish tek presin pas rrethimit të shkollës. Prindërit që punojnë dy punë ose dy turne, a do munden t’i përshtaten orarve të reja? Po prindërit që kanë dy apo më shumë fëmijë nëpër shkolla, a do ia dalin t’i shoqërojnë fëmijët e tyre? Mund të ndodhë që nga mbingarkesa dhe nervozizmi të stresohen dhe këtë gjendje emocionale ta përcjellin tek fëmijët dhe tek mësuesit, mbase edhe deri tek shoferët e linjave. Do i sugjeroja të tregohen të kujdesshëm dhe të duruar.



Cilat janë përgatitjet që keni bërë për këtë vit të ri shkollor? 


Përgatitjet, po flas me siguri për qytetin tim, Lezhën, për institucionin, shkollën ku unë punoj, që me vullnetin e mirë, përkushtimin e plotë dhe punën intensive prej disa ditësh të drejtuesve të shkollës dhe kolegëve të mi është bërë çdo përgatitje për ta filluar mbarë, bazuar në udhëzimet e protokollit të sigurisë.



Fëmijët nuk i kanë takuar mësuesit dhe miqtë që prej marsit të vitit të kaluar akademik. Si ndikon ribashkimi në aspektin psikologjik? 


Ribashkimi i fëmijëve pas kaq shumë kohësh do ndikojë shumë pozitivisht. Ata sigurisht që i ka marrë malli për njëri tjetrin, dhe për mësuesit. Si pasojë do lumturohen shumë, sidomos ditët e para, gjë kjo shumë pozitive pasi ditët e para do jenë edhe ditët më të vështira. Mendimet e tyre nuk do jenë më të fokusuara në të njejtat gjëra, së bashku do jenë më kreativë, do nxiten të mësojnë më shumë dhe do presin mëngjeset me gëzim.


Mendoj se gjëja që do i merzisë pak është fakti që mund të ndahen nga shokët e ngushtë, pasi tashmë është bërë ndarja në grupe, por shumë shpejt do të mësohen me këtë mënyrë.



Në këto kushte, ku rregullat janë të mirëpërcaktuara dhe shumë të qarta, a mendoni se mund të rrespektohen me seriozitet dhe pa u neglizhuar nga mësuesit dhe sidomos nga nxënësit? A ndiheni të sigurtë?


Mendoj se nga mësuesit rregullat do të zbatohen deri në një farë mase, pasi disa prej tyre janë të pafavorshme për punën e një mesuesi, megjithatë jam e bindur që secili do të bëjë më të mirën. Nga ana tjetër, për nxënësit ndihem skeptike. Ata të klasave fillore janë shumë të vegjël për të marrë përgjegjësi për veten dhe të tjerët, por kjo do shihet në ditët në vijim. Puna me fëmijët nuk është kurrë siç duket. Vetëm ata që punojnë direkt me ta e dinë mirë këtë gjë.


Mos të harrojmë që kemi të bëjmë me nxënës të vegjël në moshë, që na duan me patjetër afër, por edhe nga adoleshentë, të cilët revoltën dhe ngarkesën mësimore mund ta manifestojnë me mosrrespektim të rregullave. Duhet një edukim i mirë nga familja, shoqëria dhe mësuesit



Cili do të jetë këtë vit roli i psikologëve shkollor? A do kemi të bëjmë me një rol më specifik nga ai që jemi mësuar? A prisni itensitet pune ndryshe nga vitet e kaluara? 


Roli i psikologut në shkollë sipas përvojës dhe kontributit tim ka qenë gjithmonë shume i rëndësishem. Por këto ditë, nevoja na thërret më fort për të. Mësuesi mund të identifikojë problemin, por jo ta zgjidhë atë. 


Problemi i madh qëndron tek numri shumë i vogël i psikologëve të punësuar në raport me numrin e nxënësve. Edhe pse Urdhri i Psikologut në Republikën e Shqipërisë ka lobuar dhe vazhdon gjithë kohës të bëjë dicka të tillë, edhe pse vetë Ministria e Arsimit ka premtuar dhe po premton rritje të numrit të psikologëve në shkolla, ende nuk po shohim rezultat. 


Shkolla nis ditën e nesërme dhe ka shkolla që nuk kanë asnjë psikolog. Mendoj se ka ardhur koha për të vepruar urgjent në këtë drejtim, aq më tepër këtë vit shkollor, ku asistenca jonë është një dosmosdoshmëri. 



Duke ju falenderuar për këtë intervistë dhe duke ju uruar suksese e punë të mbarë, cili është ai mesazh motivues që ia thoni vetes dhe do ia përsërisni vazhdimisht nxënësve tuaj?


Motoja e ketij viti shkollor mendoj se do kalojë përtej arritjeve akademike. Të gjitha sfidat nëpër të cilat kaluam dhe kalojmë çdo ditë vërtiten rreth motorrit më të rëndësishëm të jetës, shëndetit, ndaj do i thoja të gjithë kolegëve dhe nxënësve "Jetës duhet t'i pergjigjemi me pozitivitet, sido që ajo të vijë!” Të kemi shëndetin mbi të gjitha. 




Intervistoi Parajsa Shtini


© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

2,656 Lexime
4 vjet më parë