“Po, se jeta është llogari Olimbi!”
Një bashkëbisedim me drejtorin e gjimnazit të Bulqizës dhe njëkohësisht mësuesin e matematikës Medin Karai, i cili tregon më shumë për eksperiencën dhe nxënësit e tij.
Medin Karai është drejtor i gjimnazit të Bulqizës. Ka shumë vite pune në arsim si mësues matematike dhe nëpër duart e tij kanë kaluar shumë breza të cilët ai i kujton me shumë nostalgji. Skeptik për emërimin si drejtues, pasi e shikon si një përgjegjësi të madhe kur vetëm pak muaj e ndajnë nga dalja në pension, mendon se ndonjë nga kolegët do të ishte më i përshtatshëm për këtë detyrë. Ndërsa stafi pedagogjik e mbështet plotësisht, e duke pasur një eksperiencë shumë të gjatë në arsim besojnë fort tek aftësitë e tij drejtuese.
Mësuesi flet me shumë pasion për matematikën dhe këshillon mësuesit e rinj të jenë kërkues dhe bashkëpunues, të kuptojnë mirë situatat matematike dhe të nxjerrin përfundime të sakta në një rrugë sa më të shkurtër.
Jemi kuriozë të dimë lidhjen e matematikës me jetën, e teksa e pyesim profesorin “a është vetë jeta matematikë?” ai na përgjigjet: “Po, se jeta është llogari Olimbi!”
“Kam shumë nxënës që janë mësues të mirë, bile dhe në matematikë, sidomos maturantë para vitit 1990 ku nxënësi kishte librin si burim kryesor të njohurive. Jeta ka qenë si një varësi funksionale me ngritjet dhe uljet e veta. Sot është një eksperiencë e bukur ku gërshetohet niveli shkencor dhe ai metodik”, tregon mësuesi i matematikës.
Drejtori i shkollës e njëkohësisht profesori i matematikës Medin Karai, së bashku me stafin pedagogjik të shkollës morën pjesë në trajnimin për librin digjital të Shtëpisë Botuese Albas. Të përkushtuar dhe të gatshëm për të mësuar ata udhëtuan nga Bulqiza në Peshkopi për të marrë pjesë në trajnim. Dëgjues të vëmendshëm, të gatshëm edhe për të shkarkuar librat digjitalë në pajisjet e tyre telefonike... ishin “nxënës” perfektë teksa dëgjuan trajnerët e Portalit Shkollor Albas. Por në fund të trajnimit, profesori tregoi se kishte rezervat e tij për digjitalizimin. “Mendoj se digjitalizimi ka ulur punën e një nxënësi me librin. Tani në tekste nuk gjen një vërtetim teoreme. Nxënësit kanë dobësi në kryerjen e veprimeve të ndryshme matematike apo nga jeta reale”, përfundoi ai.
(Albina Hoxhaj, Portali Shkollor)
Rritja e pagave të punonjësve të arsimit dhe udhëzime për zbatimin e Vendimit të Këshillit të Ministrave
Hartimi i projektit kurrikular
Datat e provimeve të lirimit 2021