Pesha e fjalës nga Dr. Natasha Shuteriqi Poroçani
Detyra e një trajneri (në fakt e çdo mësuesi) nuk ka si qëllim prioritar t`i mësojë fëmijëve të bëjnë gola apo të driblojnë kundërshtarin.Tani për tani detyrë e trajnerit apo mësuesit është t`u japin fuqinë, motivimin për të ndjekur qëllimet dhe pasionet e tyre në jetë.
“Adhuroj personat që dinë të zgjedhin me kujdes fjalët që thonë.”.
Alda Merini
Fjalët peshojnë. Mund të kthehen në xixëllonja që ndriçojnë shpirtin, por mund të jenë dhe plumba që e vrasin atë. Kjo variueshmëri është e gjitha produkt i kontekstualitetit ku fjala përdoret dhe rëndon. Sepse fjala ka peshë.
Pesha e fjalës vjen nga vlera që ajo fiton përtej një thënieje. Dhe për ta ulur në komunikimin e secilit prej nesh, do të thonim që vlera që fiton kjo thënie kontekstualizohet dhe peshon në varësi jo vetëm të atij që e artikulon por edhe në përshtatshmëri të atij që e merr dhe e shtresëzon brenda modalitetit të tij të të kuptuarit.
Gjithë sa u përpoqa ta shtroja shkurt teorikisht për mënyrën e komunikimit dhe vlerën që merr një format i caktuar ligjërimor, do të doja ta zhvendosja më konkretisht në komunikimin e përditshëm me fëmijët.
Pesha e fjalës në mendimet e buta, të sinqerta të fëmijës, nuk matet me të njëjtin etalon rëndese, si mbi mendimet e përvojën e një të rrituri. Kjo është përgjegjësia e komunikimit të prindërve, mësuesve dhe gjithë shoqërisë kur hyjnë në marrëdhënie me fëmijët.
Një trajner futbolli, i apasionuar padyshim me punën e tij, por me sa duket edhe aspak i matur, i kthehet një djali rreth 7 vjeç duke i ngritur zërin para fytyrës:
-Problemi yt më i madh është se nuk dëgjon asnjë fjalë nga ato që të them unë. Bën si të ta thotë tryri yt. Ti s`ke për t`u bërë kurrë futbollist.-duke pohuar njëkohësisht postulatin e padiskutueshëm që ai trajner (ish-futbolllist), s`ka për t`u bërë kurrë trajner (në një farë mënyre mësues) i vërtetë.
Fëmija u largua duke qarë.
Kjo mund të duket diçka e zakonshme, por e vetmja gjë e zakonshme këtu, është mënyra shumë e patakt e trajnerit, të cilën fatkeqësisht e ndeshim edhe në shkolla.
Kush ndjek intensivisht aktivitete të ndryshme sportive apo artistike me fëmijët, është i vetëdijshëm për influencën e jashtëzakonshme të drejtuesit të tyre te këta fëmijë. Ndryshe nga shkolla, sporti dhe arti janë aktivitete që përveçse argëtojnë, janë zgjedhur vullnetarisht nga fëmijët. Ata e duan sportin, artin dhe vendosin vetë (të paktën pjesa më e madhe) t`u nënshtrohen disiplinave përkatëse, duke pasur idhujt e tyre, idhuj që jo pak raste i shohin te trajnerët apo mësuesit artistë, të cilët u kthehen në modele. Kjo është rëndësia e drejtuesit të këtyre disiplinave.
Është përgjegjësi dhe gjithkush që ka marrë përsipër ta përballë atë, pikë së pari duhet të dijë të komunikojë me fëmijët. Por, për fat të keq, jo gjithmonë është kështu. Ndaj dhe reagimet janë të shumëllojshme.
Për të tërhequr vëmendjen e një fëmije, për t`i treguar që të mësuarit nis nga të dëgjuarit, ka shumë mënyra të cilat anashkalojnë format e ashpra të të shprehurit, produkti i të cilave shkon përtej vlerave një loje futbolli.
Sigurisht që reagimet nuk janë gjithmonë të njëjta, por fëmija që ne kemi në fokus e konsideroi, e ndjeu dhe pësoi një goditje të ndjeshme. Një fëmijë që qan prej fjalës, është lajmëtari më i saktë për dy gjëra:
e para ai fëmijë e ka marrë mesazhin, e ka deshifruar atë dhe reagon;
e dyta mesazhi është bërë pjesë e disa marrëdhënieve konjitive, falë të cilave ka ngacmuar emocione (negative), ka krijuar psikologjikisht situata që disavatazhojnë qëllimet e tij dhe demotivojnë fëmijën për të vazhduar më tej.
E gjitha kjo për shkak të një thënieje, e cila e përmbushi mesazhin e saj dhe e bëri dëmin që synonte ose jo të bënte. Por dëmin e bëri.
Detyra e një trajneri (në fakt e çdo mësuesi) nuk ka si qëllim prioritar t`i mësojë fëmijëve të bëjnë gola apo të driblojnë kundërshtarin. Është në fakt detyra e një mësuesi për jetën. Që të bëhen futbollistë të mirë apo artistë të njohur, do t`u duhet të shpenzojnë vitet e jetës. Tani për tani detyrë e trajnerit apo mësuesit është t`u japin fuqinë, motivimin për të ndjekur qëllimet dhe pasionet e tyre në jetë. T`u mësojnë të impenjohen për të ruajtur objektivat, të kenë besim te vetja e të mos tremben nga pengesat. E në fakt, në këtë rast (dhe disa të tjera), pengesa është vetë trajneri a mësuesi.
Ja pse këmbëngul edhe një herë:
Fjalët peshojnë. Duhet të mësojmë fëmijët se si t`i përdorin, në cilat kontekste, në varësi të personit drejt të cilit i nisin.
Nëse trajneri do t`ia kishte nisur ndryshe fjalën, nëse do kishte dërguar besimin te fëmija, ai djalë do kishte vënë shpirtin në këpucët me taka të futbollit dhe do të kishte fluturuar në tapetin e blertë.
Nuk di nëse fluturimi i djalit 7 vjeçar do të ndërpritet, sepse përtej një trajneri apo mësuesi, fëmijët janë të rrethuar nga prindërit, shokët dhe shumë faktorë të tjerë, por ama diçka e di me siguri: besimi te të rriturit i është krisur. Ndoshta edhe te vetja. Sepse fjala ka peshë dhe dëmet që ajo mund të shkaktojë rezistojnë gjatë në kohë.
Nga Dr. Natasha Shuteriqi Poroçani
Publikim N.Allkja Biçaku
©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Për t'u edukuar nuk mjafton arsimimi
Prindërimi i suksesshëm, sfida më e madhe e familjes së sotme!
Vlerësimi i mësuesve dhe formati që duhet të plotësoni