Përse kjo rënie e interesit ndaj olimpiadave për ciklin AML? Nga Evans Drishti
Nxënësit elitarë kërkojnë “të vetmuar” mirëpeshimin e njohurive të tyre. I sheh të mbështjellë në çiltërsinë e tyre, teksa qëndrojnë tejet të ftohtë ndaj situatës dhe rrethanave të ofruara. S’sheh asnjë energji pozitive pasqyruese në fytyrat e tyre...
Këto ditë të nisjes së periudhës së dytë për sistemin parauniversitar po zhvillohen olimpiadat kombëtare për Arsimin e Mesëm të Lartë, faza e dytë. Në fokus janë lëndët: matematika, fizika, kimia, biologjia, informatika, gjuha shqipe e letërsia, historia dhe gjeografia. Këtë të shtunë u zhvillua Olimpiada e Gjuhës shqipe dhe Letërsisë në fazën e dytë të saj.
Përpiqesh të gjesh një atmosferë festive dhe emocionesh ripërtëritëse. Kohën e kthen pas, teksa sjell një përfytyrim jo shumë të largët. Oborri i shkollës ku zhvillohej olimpiada gumëzhinte nga emocionet ritmike të gjimnazistëve pjesëmarrës. Grupoheshin në rrethet e tyre, të shoqëruar me mësuesit udhëheqës dhe sillnin reflektime plot pasion duke shpërndarë tek njëri-tjetri atë energji frymëzuese dhe çliruese për një përgatitje sa më dinjitoze në këtë konkurrim kaq domethënës.
Olimpiadistët kishin mbërritur deri në këtë fazë me një interesim të dukshëm nën përkujdesjen e profesorëve të tyre që u ishin gjendur pranë gjatë tërë procesit përgatitor. S’u kishin munguar për asnjë kohë motivimi, nxitja, përkrahja, e mbi të gjitha udhëzimet profesionale në drejtim të përgatitjes për një sfidë sa të vështirë aq edhe të gëzueshme. Në ditën finale, drejtues të lartë të institucioneve arsimore uronin mirë se ardhjen elitave të brezit të ri duke u krijuar një atmosferë sa të paqtë aq edhe të ngrohtë dhe shpresëdhënëse.
Një përfytyrim të këtillë përpiqesh ta gjesh edhe sot në 2024, por më kot. Të paktë pjesëmarrësit gjimnazistë, e më të paktë edhe mësimdhënësit shoqërues. Nxënësit elitarë kërkojnë “të vetmuar” mirëpeshimin e njohurive të tyre. I sheh të mbështjellë në çiltërsinë e tyre, teksa qëndrojnë tejet të ftohtë ndaj situatës dhe rrethanave të ofruara. S’sheh asnjë energji pozitive pasqyruese në fytyrat e tyre. Me duar në xhepa, të mbështjellë për t’u mbrojtur nga të ftohtët që sjell dita dimërore përjetojnë të ngulmuar pritjen “pa sens” që u servir momenti. Dëshirojnë thjesht ta kryejnë atë “detyrë” dhe të largohen sa më parë, të rrëmbyer nga rutina dhe monotonia që i ka përpirë në realitetin ku jetojnë. Tek porta hyrëse dëgjojnë tek u thuhet: “Afrohuni të dëgjoni emrat tuaj!”, pa asnjë “Mirë se erdhët!” apo “Jemi me fat që ju kemi!” apo “Ju jeni elita e brezit të ri!” apo “Mirënjohës për angazhimin dhe energjitë pozitive që na përcillni!”… Lista nis të lexohet. Të paktë janë nxënësit që hyjnë brenda krahasuar me numrin e shënuar në listë. Një pjesë e mirë janë distancuar, nuk janë paraqitur. Mos vallë, është kjo, një mënyrë protestimi?!...
Mos duhet të pranojmë se edhe ky proces mbetet pjesë e zinxhirit të strategjive për deformimin e kësaj shkalle dominuese për elitarët gjimnazistë?!...
Përse rikthimi?
Nxënësit fitues të olimpiadave kombëtare kanë dëshmuar aftësitë e tyre në përvetësimin e lëndëve përkatëse dhe praktikimin e njohurive të përftuara. Përse qenka e nevojshme që këta pjesëmarrës dhe fitues në këtë fazë finale t’u rikthehen çdo vit fazës së parë dhe të dytë të këtij procesi?
Besojmë se është më me vend që këta nxënës të fitojnë të drejtën të vijojnë direkt në fazën finale si një lehtësim për angazhimin e tyre dhe si një stimulim për ngjitjen e shkallëve më të larta.
Në kohët e sotme kanë shumë rëndësi:
- “Orë të posaçme përgatitore për olimpiadat”, gjë e cila vjen nga një orientim i qartë dhe i drejtë i drejtorive të shkollave në shërbim të mësuesve udhëheqës dhe nxënësve pjesëmarrës;
- “Materiale orientuese” për lëndët e olimpiadave që në pikënisje të vitit shkollor janë një lehtësim dhe mbarëvajtje e procesit përgatitor;
- “Konsultat” e herëpashershme me grupin e punës dhe drejtuesit e shkollës i japin një nxitje dhe stimulim më shpresëdhënës për arritjen e rezultateve për fitore;
- “Organizime festive” për “shpërndarjen e certifikatave” jo vetëm për fituesit, por edhe për pjesëmarrësit, si në rang shkolle ashtu edhe në rang qarku;
- “Mbështetja” ndaj këtyre pjesëmarrësve gjatë tërë procesit të punës edhe në aspektin material përbën thelbin e suksesit që kërkohet të arrihet;
- “Puna e përbashkët me nxënësit e të gjitha gjimnazeve të rrethit” për të shkëmbyer eksperiencat dhe njohuritë në bashkëbisedime të larmishme dhe elitare. Kjo mundëson njohjen dhe familjarizimin me njëri-tjetrin duke forcuar akoma më shumë bindjet përkatëse për domosdoshmërinë në të tilla konkurrime;
- “Mbështetja maksimale që i duhet dhënë mësuesve përgatitorë” të olimpiadave, veçanërisht në aspektin monetar, pasi ka të bëjë me formimin intelektual të elitave në institucionet arsimore;
- “Shpërblimet ndaj nxënësve fitues” të këtyre olimpiadave nga institucionet shtetërore qoftë edhe me shëtitje vizionare duke njohur pasuritë tradicionale të vendit tonë.
Përse të mos organizohen konsultime nga vetë DAR për gjimnazistët pjesëmarrës në fazën e dytë të olimpiadës? E njëjta gjë mund të flitet edhe për fazën e tretë, tashmë me ekspertë të përcaktuar nga MAS.
Një gjë e tillë jo vetëm familjarizon gjimnazistët me njëri-tjetrin, por edhe i nxit më shumë ta marrin me seriozitet një proces të tillë domethënës. Nxënësit dalin nga ambientet e tyre të zakonshme në shkollat përkatëse dhe përfshihen në ato organizime që atyre u japin dimensione shumë herë më të larmishme.
Një olimpiadë s’është gjithçka, por mbetet një mundësi e artë për të mbërritur shumëçka.
Shkroi Evans Drishti
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Siguria në arsim, baza për një të ardhme të qëndrueshme
Përditësimi i kurrikulave, sugjerime nga eksperti i arsimit Fiqiri Çifliku
Siguria në shkolla dhe vendimi për TikTok: Masa të nevojshme apo të tepruara?