BOTIMI

Përrallat e Vëllezërve Grim, një pasuri e vyer për çdo bibliotekë

Përrallat e Vëllezërve Grim janë të njohura në të gjithë botën. Ato i lexojnë fëmijë dhe të rritur, duke i përcjellë gojë më gojë. Këto përralla vijnë në shqip nga shtëpia botuese Albas nën përkthimin mjeshtëror të Haxhire Lulit.

Përrallat e Vëllezërve Grim janë të njohura në të gjithë botën. Ato i lexojnë fëmijë dhe të rritur, duke i përcjellë gojë më gojë. Këto përralla vijnë në shqip nga shtëpia botuese Albas

 Nën përkthimin mjeshtëror të Haxhire Lulit, ky vëllim sjell të përkthyera nga gjuha origjinale, pra gjermanishtja, më shumë se dyqind përralla të botimit më të hershëm të vëllezërve Grim, atë të vitit 1812. Shumë nga këto përralla janë të panjohura për lexuesin shqiptar. 


"Edhe më parë janë përkthyer në shqip një pjesë e përrallave e Vëllezërve Grim, por asnjëherë të gjitha dhe shpesh të transformuara. P.sh., te përralla e Hirushes, fustanet e bukura nuk ia dhurojnë shtojzovallet, por ato ajo i merr nga druri i pemës pranë varrit të së ëmës. Apo bretku princ, i cili nuk shndërrohet në princ nga puthja, por nga përplasja që i bën vajza e vogël e mbretit. Këto hollësira kanë domethënien e tyre", është shprehur kështu redaktorja e librit, Sevi Lami Agolli, gjatë një interviste për TV Scan. 

Duke lexuar përrallat e Vëllezërve Grim, bota shihet me sytë e fëmijëve. Shkëputesh për një çast nga bota reale dhe futesh në botën e pafundme dhe të bukur të ëndrrave dhe fantazisë. Njëkohësisht, ato zgjojnë botën reale, ndjenjat e bukura dhe shikon me sytë e mendjes si bie nga qielli flori dhe zift, si flasin mollët e pjekura në pemën e mollës apo si flasin bukët e pjekura fort në furrë; një vajzë e bukur fle mbi trëndafila, një ari ndihmon dy vajza etj. E veçantë e këtyre përrallave është shumë prej tyre nuk fillojnë me hyrjen: …na ishte njëherë, siç fillojnë të gjitha përrallat. Kjo e bën që ato të tingëllojnë aktuale dhe të fitojnë përjetësinë. 


Ato kanë hyrë në trashëgiminë e kulturës botërore UNESCO. Me të drejtë Jakob dhe Vilhelm Grim i quajmë baballarët e krijimit të përrallave. Ky libër i përkthyer nga origjinali i viteve më të hershme të botimit të tij është një dhuratë e çmuar jo vetëm për fëmijët, por për tërë familjen. Me të drejtë Vëllezërit Grim i vunë titullin “Përrallat e fëmijëve dhe përrallat e shtëpisë”. Ato u bënë burimi, frymëzimi, muza dhe simboli i tërë përrallave të tjera të shkruara nga autorë të tjerë në botë. Kjo vepër madhore artistike i përket letërsisë klasike botërore. Ato janë përkthyer në më shumë se 160 gjuhë të botës dhe mbahet si libri më i lexuar në botë dhe më i përhapur, duke treguar historinë e kulturës gjermane. Ky libër është një ndërthyerje e burimeve të vjetra letrare, i poezisë artistike me natyrën. Ato ngjasojnë me një poezi të bukur mbresëlënëse. Në parathënien e origjinalit shkruhet: “Ndoshta është pikërisht koha t’i mbajmë fort këto përralla, sepse ato që dëshirojnë t’i ruajnë ato, po bëhen gjithnjë e më të pakët”. 


Këtë libër të vyer të përkthyer nga origjinali, pa asnjë ndryshim, por fjalë për fjalë ashtu si e kanë shkruar ata, e sjell në dorën tuaj fëmijë të dashur vetëm shtëpia botuese “Albas”, e cila së shpejti do të sjellë edhe botimin e plotë të përrallave të Andersenit, përkthyer po nga origjinali!   




(Portali Shkollor) 

3,975 Lexime
4 vjet më parë