Intervistë

"Më quajnë Nexhmije Pagarusha", intervistë me autoren Meliza Krasniqi

Meliza Krasniqi, autore e librit “Më quajnë Nexhmije Pagarusha", tregon në këtë intervistë për përpjekjet e saj për të sjellë figurën e madhe të muzikës shqiptare për fëmijët. Ajo ndan sfidat, emocionet dhe rëndësinë e lidhjes së brezit të ri me trashëgiminë kulturore përmes librit.

Në këtë intervistë për Portalin Shkollor Albas, kemi biseduar me autoren Meliza Krasniqi, e cila ka sjellë një libër të ri për fëmijë, Nexhmije Pagarusha - Unë jam "Bilbili i Kosovës", pjesë e serisë "Më quajnë..." e Shtëpisë Botuese Albas. Ky libër i dedikuar një prej ikonave më të mëdha të muzikës shqiptare, Nexhmije Pagarushës, ka për qëllim të prezantojë figurën e saj të jashtëzakonshme në një mënyrë të thjeshtë dhe tërheqëse për fëmijët. Në këtë bisedë, zonja Krasniqi flet për përvojën e saj të krijimit të këtij libri, si dhe për sfidat dhe kënaqësitë që ka përjetuar gjatë procesit. Ajo ndan me ne si ia doli të sjellë historinë e një legjende të muzikës shqiptare për një audiencë të re dhe të rinj. Po ashtu, ajo thekson rëndësinë e lidhjes që mund të krijohet ndërmjet fëmijëve dhe trashëgimisë kulturore përmes librave që përshkruajnë figura si Nexhmije Pagarusha. Në këtë intervistë, do të zbuloni gjithashtu si ky libër mund të kontribuoni në formimin e identitetit kulturor të fëmijëve dhe si ai ofron një mundësi për t'i njohur ata me vlerat dhe trashëgiminë e pasur të muzikës shqiptare.



Intervistoi Nanila Allkja Biçaku 


Znj.Meliza, së pari ju përcjell urimet për librin që keni shkruar: Mua më quajnë Nexhmije Pagarusha - Unë jam “Bilbili i Kosovës”. Në një postim tuajin në Instagram, përmendni se u gëzuat dhe u ndjetë e ngarkuar me përgjegjësi për të shkruar për një ikonë kaq të madhe si Nexhmije Pagarusha. Duke qenë se më parë keni shkruar për lexues të rritur, si ia dolët të balanconi këtë përgjegjësi dhe të krijoni një libër që është i përshtatshëm për fëmijët? Si nisi e gjitha,  çfarë ju motivoi të përqendroheni në jetën dhe karrierën e Pagarushës, dhe si u ndjetë deri në momentin që ju erdhi kopertina e librit, dedikuar “bilbilit të Kosovës”? 


Faleminderit shumë për pyetjen! Së pari, dua të theksoj se shkrimet e mia janë kryesisht për një audiencë të rritur dhe të specializuar, pasi natyra e punës sime si studiuese e letërsisë përqendrohet në analiza dhe studime të thelluara për lexuesin akademik. Kjo e bën këtë projekt një përvojë krejt ndryshe, që kërkonte jo vetëm qasje të re, por edhe ndjeshmëri të veçantë për t’u përshtatur me botën e fëmijëve.


Ajo që më ndihmoi të balancoja këtë përgjegjësi ishte kureshtja ime e madhe për figurën e Nexhmije Pagarushës dhe dëshira për t’u prezantuar fëmijëve një ikonë të tillë të kulturës sonë. Gjithçka nisi me një propozim nga Fatlum Hetemi. Në fillim, i sugjerova disa emra të shkrimtarëve që punojnë me letërsi për fëmijë, por ai insistoi që të merrja unë këtë përgjegjësi. Ishte sfidë, por njëkohësisht nder dhe mundësi e jashtëzakonshme për të sjellë këtë personalitet në një mënyrë të thjeshtë dhe të kuptueshme për të vegjlit.


Kur më erdhi kopertina e librit në duar, ndjesitë ishin të përziera. Nga njëra anë, gëzim për përfundimin e këtij projekti të veçantë dhe nga ana tjetër, një ndjenjë dyshimi dhe përgjegjësie – si do ta pranonin fëmijët dhe prindërit këtë libër? Megjithatë, e gjitha kjo më ka mbushur me mirënjohje për mundësinë që pata të sjell në jetë këtë vepër dedikuar “Bilbilit të Kosovës.”

Duke qenë se mbretëresha e muzikës shqiptare, Nexhmije Pagarusha, numëron një veprimtari të gjatë të karrierës, mbi 40-vjeçare, me interpretime të shkëlqyera në muzikën popullore dhe opera, por edhe si aktore e suksesshme, si në film ashtu edhe në teatër, si bë përzgjedhja për të treguar “çfarë” për të, në këtë libër?


Përzgjedhja e materialit për të rrëfyer mbi Nexhmije Pagarushën erdhi natyrshëm, bazuar në jetën dhe karrierën e saj të jashtëzakonshme. Gjatë procesit, lexova shumë intervista të saj dhe materiale të ndryshme që flisnin për të. Disa ngjarje dhe momente thelbësore përsëriteshin shpesh, duke u shfaqur si pika kyçe që jo vetëm e kishin shënuar jetën e saj, por edhe ishin më të afërta për Nexhmijen.


Për këtë arsye, vendosa të fokusohem te ato ngjarje dhe përvoja që ajo vetë i kishte përmendur si të rëndësishme, apo që ishin përshkruar nga të tjerët si momente që lanë gjurmë në jetën dhe karrierën e saj. Kjo më ndihmoi të krijoja një rrëfim që paraqiste më së miri personalitetin, arritjet dhe ndikimin e saj të jashtëzakonshëm, duke përfshirë vetëm atë që rezononte më shumë me figurën e saj të vërtetë.


Libri është pjesë e kolanës “Më quajnë…”, botuar nga ALBAS, dhe ka në fokus fëmijët mbi 9 vjeç. Edhe në titullin e ri të kësaj serie, përdoret veta e parë për të treguar konkretisht historinë e Nexhmije Pagarushës. Si mund të ndihmojë kjo qasje për t'i afruar fëmijët me emocionet dhe përvojat e një prej ikonave më të mëdha të muzikës shqiptare?


Si studiuese e letërsisë, mund të them se rrëfimi në vetën e parë krijon një lidhje të drejtpërdrejtë dhe emocionale me lexuesin, duke eliminuar distancën narrative që mund të ekzistojë në vetën e tretë. Përmes kësaj qasjeje, fëmijët ndihen sikur janë duke dëgjuar historinë nga vetë Nexhmije Pagarusha, çka e bën rrëfimin më autentik dhe prekës.


Kjo mënyrë e të rrëfyerit u lejon lexuesve të vegjël të bashkëjetojnë me emocionet dhe përvojat e saj. Për shembull, ata do të preken nga historia e Nexhmijes së vogël, e cila humbi nënën në moshë të re dhe kurrë nuk pati mundësinë t’ia shohë fytyrën. Ky lloj rrëfimi jo vetëm që i bën historitë më të afërta, por gjithashtu nxit empatinë dhe lidhjen personale të lexuesit me figurën e Nexhmijes.



Sa e rëndësishme është për ju të kontribuoni në krijimin e librave për fëmijë që ndihmojnë në ndriçimin e figurave të mëdha të kulturës dhe historisë shqiptare, dhe si e shihni rolin e librave të tillë në formimin e identitetit kulturor të fëmijëve?


Është jashtëzakonisht e rëndësishme që fëmijët të kenë mundësi jo vetëm të lexojnë, por edhe të formohen kulturalisht përmes librave që ndriçojnë figurat e mëdha të kulturës dhe historisë sonë. Kjo më kujton thënien e antikitetit “Dolce et utile” – e bukur dhe e dobishme, që përmban thelbin e edukimit përmes artit. Në kohën e sotme, ku teknologjia informative ka pushtuar çdo aspekt të jetës, është e rëndësishme të krijojmë përmbajtje që konkurrojnë me iPad-in, telefonin e mençur, lojërat dhe TV-në, duke ofruar alternativa të bukura dhe njëkohësisht edukative. Shpresoj që ky libër të jetë një hap në drejtimin e duhur për t'i ndihmuar fëmijët të mësojnë dhe të ndihen të lidhur me rrënjët e tyre kulturore.



Si autore, a keni përjetuar ndonjë ndikim të veçantë nga muzika e figura e Nexhmije Pagarushës gjatë procesit të krijimit të këtij libri? Ose më mirë, a është ndjerë Meliza Krasniqi pak Nexhmije Pagarusha kur ka shkruar? 


Gjatë procesit të krijimit të këtij libri, nuk mund të mohoj që herë pas here jam ndjerë sikur po përjetoja vetë momente nga jeta dhe arti i Nexhmije Pagarushës. Duke u thelluar në ngjarjet e jetës së saj dhe duke dëgjuar muzikën e saj, ndonjëherë kam përjetuar ndjesi të ngjashme me katarsisin. Madje, kur rilexoja pjesët e shkruara për të kontrolluar ose për të vazhduar më tej, shpesh ndihesha sikur po shihja episode nga jeta e saj të ekranizuara në mendjen time. Ishte përvojë që më bënte të besoja se, po, kjo është ajo që Nexhmija ka përjetuar vërtet.



Në lidhje me ilustrimet që vijnë mjeshtërisht nga Ylber Çërvadiku, cili moment i ilustrimeve që më i veçanti për ju gjatë procesit të bërjes së librit, e që ju mbase do ta kujtoni për një kohë të gjatë?

Gjatë procesit të shkruarjes së librit, momentet me ilustrimet e Ylber Çërvadikut kanë qenë vërtet të veçanta. Edhe pse nuk e kam takuar kurrë Ylberin dhe komunikimi ynë ka qenë vetëm përmes mesazheve, ndjeva një çlirim kur më tha se e kishte pëlqyer shumë tekstin dhe ishte frymëzuar prej tij. Fillimisht kisha dilema, pasi nuk e njihja punën e tij, por kur pashë ilustrimet e para, ato përputheshin pothuajse 100% me përfytyrimet e mia. Për shembull, skenat si loja te shatërvani në Prizren, dalja në skenë me drejtoreshën e ansamblit "Shota" në sfond dhe rikthimi në skenë me Ardit Gjebrean, ishin fiks siç i kisha imagjinuar.


 Ilustrimet e Ylberit janë punuar mjeshtërisht dhe me shumë kujdes, duke shtuar një dimension të rëndësishëm në libër. Pa ato ilustrime, teksti do të ishte padyshim më i mangët. Jam shumë mirënjohëse dhe i uroj Ylberit suksese të mëtejshme në punën e tij!

Në postimin tuaj gjithashtu falënderoni shtëpinë botuese Albas si dhe personat me të cilët bashkëpunuat, dhe veçanërisht redaktoren Dorina Bashën. Si ka qenë eksperienca juaj e punës me ekipin e ALBAS dhe si e ndihmuan ata në realizimin e këtij libri artistik, ndryshe nga bashkëpunimet e mëparshme në tekste shkollore për arsimin në Kosovë? 


Bashkëpunimi me ekipin e ALBAS-it ka qenë eksperiencë vërtet e jashtëzakonshme dhe mbresëlënëse. Edhe pse nuk kam pasur shumë bashkëpunime me shtëpi botuese të tjera, diferenca në profesionalizëm dhe përkushtim që ofron ALBAS-i është enorme. Dorina Basha, redaktorja e librit, është profesioniste e përkryer. Ajo nuk ka lënë asnjë shkronjë apo fjalë pa e analizuar në detaj, duke shqyrtuar gjithçka në mënyrë milimetrike, si në vetvete ashtu edhe në kontekstin e tërësishëm të shkrimit. Ky nivel i kujdesit dhe vëmendjes e ka bërë punën time më të lehtë dhe rezultatin përfundimtar të librit më cilësor. Jam shumë mirënjohëse për këtë bashkëpunim të frytshëm!



Duke qenë se libri do të promovohet në Panairin e Librit në Tiranë, si e shihni këtë mundësi për të afruar brezat e rinj me trashëgiminë kulturore shqiptare dhe për të njohur figura si Nexhmije Pagarusha? 


Panairi i Librit në Tiranë është një mundësi e shkëlqyer për t’i afruar brezat e rinj me trashëgiminë kulturore shqiptare dhe për t’i njohur me figura të rëndësishme si Nexhmije Pagarusha. Shpresoj që fëmijët të intrigohen fillimisht nga kopertina dhe ilustrimet e librit, që janë shumë tërheqëse dhe vizualisht të bukura, e pastaj të ulen dhe të lexojnë për këtë personalitet të jashtëzakonshëm. Është një rast për të mësuar jo vetëm për jetën dhe karrierën e saj, por edhe për vlerat që ajo ka përçuar si ikonë e këngës dhe kulturës shqiptare.



Çfarë mesazhi dëshironi ju si autore t'u përcillni fëmijëve që do ta lexojnë këtë libër? 


Mesazhi im për fëmijët është që të mos ndalen kurrë së lexuari. Këtë këshillë ua përcjell edhe tre fëmijëve të mi, Borës, Malit dhe Verës, të cilët ishin edhe lexuesit e parë të librit, dhe i falënderoj për mbështetjen e tyre. Për fëmijët që e pëlqejnë leximin e librave me heronj që përballen me sfida për të triumfuar, do t’ua sugjeroja të lexojnë për jetën e Nexhmije Pagarushës. Ajo ishte heroinë e kohës së saj, e cila me talentin dhe këmbënguljen, bëri që zëri i saj, si ai i një bilbili, të dëgjohet e të vlerësohet edhe sot.



Si albanologe dhe kritike e letërsisë shqiptare, çfarë mendimi keni për ndikimin e artistëve si Nexhmije Pagarusha në zhvillimin e muzikës? Nëse mund të jepni një mendim tjetër tanimë pasi keni sjellë të shkruar librin dedikuar kësaj figure.


Figurat si Nexhmija janë pikë së pari frymëzuese dhe motivuese, jo vetëm për artistët e brezave të ardhshëm, por edhe për gjithë shoqërinë. Ajo nuk ishte thjesht një këngëtare me zë unik; ajo ishte forcë transformuese që sfidoi kufijtë e kohës dhe i dha muzikës shqiptare dimension të ri artistik e shpirtëror. Duke shkruar këtë libër, kam kuptuar edhe më thellë ndikimin e saj – jo vetëm si artiste, por edhe si simbol i emancipimit dhe lartësimit kulturor.


Nexhmija i dha muzikës shqiptare përmasa të reja duke kombinuar elementet tradicionale me ato moderne dhe duke ruajtur gjithmonë autenticitetin. Përmes veprimtarisë, ajo tregoi se arti është formë e fuqishme rezistence dhe mjet për të ndërtuar identitet kombëtar. Pasi e kam përfunduar këtë libër, e shoh Nexhmijen jo vetëm si një ikonë muzikore, por si figurë që mishëron harmoninë mes trashëgimisë dhe risisë.



© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

1,060 Lexime
1 muaj më parë