Përparësitë e tekstit KIMIA 10-11 SHTËPIA BOTUESE “ALBAS”
Duke qenë se prej më shumë se një dekade jap lëndën e kimisë në shkollën e mesme, marr përsipër të sjell disa referime modeste mbi kurrikulën në përgjithësi dhe tekstin e kimisë 10 në veçanti, të botuar nga shtëpia botuese “Albas”.
Shkolla shqiptare sot ka hyrë në rrugën e transformimit rrënjësor, i cili ka përfshirë jo vetëm sistemet kurrikulare, por, specifikisht, edhe tekstet shkollore. Ky ndryshim kërkoi në mënyrë të menjëhershme mbështetjen e duhur cilësore profesionale, por edhe teknologjike, që duhej të ishte në një hap me standardet europiane, në të cilat po hynte shkolla shqiptare.
Në këtë kuadër, duke qenë se prej më shumë se një dekade jap lëndën e kimisë në shkollën e mesme, marr përsipër të sjell disa referime modeste mbi kurrikulën në përgjithësi dhe tekstin e kimisë 10 në veçanti, të botuar nga shtëpia botuese “Albas”.
Lënda e kimisë është një materie ku merr rëndësi parësore ndërvarësia e lidhjeve ideore që trajtohen në të. Ajo është shkenca e pandashme nga laboratori. Lënda dhe teoritë e saj janë të bazuara në vrojtime eksperimentale.
Duke iu referuar tekstit “Kimia 10-11” dhe specifikisht pjesës që i përket kimisë 10, me të cilën punoj që prej dy vjetësh, analizoj këto përparësi, të cilat i përkthej në pika referimi për punën time dhe të mësuesve të kësaj shkence:
1- Kimia si shkencë e natyrës, përmes situatave të larmishme të të nxënit, zhvillon kompetencat që lidhen me çdo temë ndërkurrikulare dhe, në mënyrë të veçantë, me temat:
- Grimcat dhe pastrimi
- Atomet, elementet dhe përbërjet
- Formulat dhe barazimet kimike
- Shndërrimet kimike
- Reaksionet kimike
- Acidet dhe bazat
Në tekstin e shtëpisë botuese “Albas”, lidhja e fushës së shkencave natyrore me fushat e tjera kurrikulare u siguron nxënësve një mësim të integruar. Ky integrim nuk cenon konceptet shkencore të lëndës, por, përkundrazi, i zgjeron ato në marrëdhënie ndërvarësie. Nëpërmjet këtyre kompetencave krijon situata për marrjen e një vendimi për jetën e vet ose për zgjidhjen e një problemi me interes shoqëror; lidh vendimin me pasojat në mënyrë të përgjegjshme dhe e prezanton gjatë një debati me moshatarë në një kohëzgjatje të caktuar.
Synimi i kimisë lidhet me formimin tërësor të nxënësve që, së bashku me shkencat e tjera të natyrës apo sociale, synojnë të formojnë individë me karakteristika qytetare. Në bazë të një planifikimi të dhënë dhe në bazë të rezultatit të fituar nxënësi vërteton saktësinë e planifikimit dhe tregon me shembuj se si do të zbatojë strategjinë e ndjekur edhe në situata dhe kontekste të tjera gjatë të nxënit.
2- Duke qenë një tekst kryesisht i përshtatur në shqip, materiali e vinte shtëpinë botuese para një sfide të madhe: përshtatja e gjuhës, termave shkencorë, fleksibiliteti i saj dhe korrektësia. Gjuha e teksti është e thjeshtë, e kuptueshme dhe i përshtatet nivelit të nxënësve. Terminologjia shkencore është e shpjeguar korrektësisht dhe të ndihmon me argumentet që shoqërojnë secilin nga konceptet.
3- Duke qenë një tekst i përkthyer në shqip, gjatë punës me të nuk arrin ta dallosh fare që ky tekst nuk është hartuar në gjuhën shqipe. Meritë tjetër në këtë drejtim është se autori-përkthyes ka futur edhe situata apo shembuj nga mjedisi shqiptar, duke e bërë këtë tekst më të afërt me nxënësin tonë.
4- Konceptet shkencore janë trajtuar në marrëdhënie derivimi. Pasi sqarohet një koncept, kalohet në trajtimin e radhës duke ruajtur formën spirale të trajtesës. Përputhja konceptuale shoqërohet me rritje të nivelit të vështirësisë. Kjo rritje është në përputhje me thellimin e mëtejshëm të njohurive të fituara.
5- Përparësi në tekst merr vetëveprimi dhe puna e pavarur e nxënësit. Nxënësi shtron pyetje, heton rreth tyre, nxjerr përfundime dhe i krahason ato me të dhëna shkencore në mënyrë të pavarur. Kjo zhvillon jo vetëm aftësitë kërkuese, por edhe ato shprehëse.
6- Fjalët kyç të pasqyruara në çdo temë mësimore e bëjnë nxënësin të vendosë lidhjet e nevojshme midis çështjeve shkencore në kontekstin e duhur. Ato kontribuojnë në pasurimin e fjalorit të nxënësve dhe i aftësojnë ata të paraqesin qartë dhe saktë idetë e tyre, me gojë ose me shkrim.
7- Teksti është i ilustruar me figura e grafikë, që e strukturojnë mesazhin dhe ilustrojnë grafikisht informacionin që ai përcjell, duke zgjedhur elementet më domethënëse. Pajisja me grafika e bën aktiv të kuptuarit edhe nëpërmjet shqisës vizuale.
8- Punët praktike dhe eksperimentale, të cilat janë bazë për zhvillimin e kompetencave të fushës, u japin nxënësve mundësitë që të zhvillojnë kompetencën e hulumtimit dhe komunikimit shkencor, si dhe të pasurojnë fjalorin terminologjik përmes diskutimeve mbi përshkrimin e punëve praktike dhe laboratorike dhe shpjegimeve të rezultateve të tyre.
9- Teksti i kimisë i fton nxënësit të përdorin në mënyrë të pavarur teknologjinë për zgjerimin dhe thellimin e njohurive të tyre. Përdorimi i programeve të duhura kompjuterike për detyrat e përditshme, për përgatitjen e prezantimeve të detyrave praktike e projekteve, u japin nxënësve mundësinë që të zhvillojnë, duke zbatuar në mënyrë krijuese njohuritë që marrin në kimi dhe për t’i derivuar ato në fjalën më të fundit të teknologjisë.
10- Zhvillimi i shkathtësive të komunikimit në gjuhën e shkencës u jep nxënësve një perspektivë të re për çështje të caktuara sociale, të cilat mund të përmirësojnë cilësinë e pjesëmarrjes në klasë, në shkollë apo shoqëri duke respektuar diversitetin.
11- Teksti është i pajisur edhe me formatin e librit digjital. Në të gjejnë jo vetëm eksperimente online, por edhe shumë kuriozitete apo praktika, në të cilat kimia vjen si një format i larmishëm shkencor dhe jetësor i domosdoshëm, për të kuptuar rëndësinë, pa të cilin mjaft fusha të jetës e punës nuk do të arrinin në nivelet ku ndodhen sot.
(Lidmonda Shehu, mësuese e lëndës së kimisë, shkolla “Anastas Çakalli”, Elbasan; Portali Shkollor)
Teste për vetëkontroll dhe teste për vetëvlerësim
Dhurojuni të vegjëlve tuaj Abetaren mbarëkombëtare!
Libri digjital, Albas prezanton metodologji të mësimdhënies bazuar në TIK