“Për shkollën ankoj që s'kam msue asgja me randsi”
Besoj verbnisht në shprehjen e Pasolini-t se "dialekti asht shprehje e individualitetit"*, prandej nuk jam tuj e shmang' ma pse jeni m'sue me lexu nji gjuhë shqipe "të pastër, letrare" që asht n'fakt rr'nojë e diktaturës.
Jo, asht sarkastike. Nuk ju kërkoj vërtet' falje për dialektin. Besoj verbnisht në shprehjen e Pasolini-t se "dialekti asht shprehje e individualitetit"*, prandej nuk jam tuj e shmang' ma pse jeni m'sue me lexu nji gjuhë shqipe "të pastër, letrare" që asht n'fakt rr'nojë e diktaturës. Nuk asht pa arsye pse flas për dialektin e pse flas n'dialekt.
Njoftja jeme e parë me shkollën si institucion nuk ka ndodhe ditën e parë të shkollës. E disha që si fmi duhet me u grumbullu me fmijë të tjerë e me ndjeke nji orar t'caktum për me zgjerue dituritë, tanë bashkë. Institucionalizimi jem ka lidhje t'ngushtë me dialektin.
Kisha shkue në kopësht në Shkodër, në vendlindje, dhe e kisha shiju me shpirt. Nana më kishte mësue me lexu që n'vjetin tem të pestë, pse vete ishte mësuese gjuhe e letërsie, e, për argëtim pak, por edhe për hir të zakonit, nuk kishte ndejtë pa na mësue edhe funksionet e fjalëve në fjali. Përveç kësaj, n'kopësht, na mësunen në vit të fundit me shkrue, numrat vetëm, por që atëherë nana e dau që un shkrujsha me të rrëmakten, e tuj i parapri institucionalizimit që m'pritte në shkollë, më detyroi me e ndërrue dorën. Hala sot, e vuej këtë gja. Nuk ndihem krejt vetja, ndihem paksa sikur m'kan' "dhanë buzagazin e rremë të Guinplenit" , që tash e shof si nji nevojë e shoqnisë që un' me iu përshtatë, përndryshe kishin me më përjashtue.
Në klasë të parë më hoqën edhe nji copë tjetër identiteti, prejse mësuesja, që qe nji zojë e respektume e që më donte fort, nuk kuptonte asnji fjalë prej gegnishtes. E kur u ankova se "Marku më ra me laps kresë" e s'm'u ndigjue apeli, apo kur u gjegjsha se "njizet e njizet bajne katërdhetë" e isha gabim, m'u desht me e ndërrue dorën, kët' herë në gjuhë. K'shtu fillon institucionalizimi jem. Nji vdekje e identitetit, për me t'pranue shoqnia. Ekzistencializmi tuj i shkaktu kriza ankthit shtatëvjeçarëve në emër të edukimit.
Më kujtohet se e kisha të v'shtirë me i shqiptue saktë "xh"-t e "q"-t e u stërvitsha në shpi tuj thanë "Qante Qaniu Pas Qerres Së Qumshtit Se Qeni Qimekuq i Ishte Qepur Pas". Shokët e klasës më vunë nofka ulëse, prejse kisha lind' e isha rritë deri atëherë në Shkodër, që nuk ishte kryeqytet e prandej vlente ma pak.
Nuk kam m'sue pothuej asgja të randësishme në shkollë. E ket' nuk e tham për me u hek' si e veçantë apo me e hedhë poshtë sistemin, se un' jam ndryshe e po ahmerrem ndaj atyne që dishrunen me m'ba "njisoj". Ndoshta pak për ahmarrje, por vetëm pse m'kan shkaktue plagë në psike, që as sot nuk i kurojnë lëpimjet e k'saj shoqnie "me bragesha", siç thotte Migjeni. M'vjen me qeshë me mllef e m'vijnë lotët n'zgrip në t'njëjtën kohë kur lexoj diçka prej Migjenit a prej Koliqit, jo pse kanë shkrue për Shkodrën, por pse janë të pakohë. Jetojmë edhe sot shumë prej të njëjtave vuejtje. Jena po aq Mondvalsen e Dështakë, që me përqafë edhe jugun. Nuk i shohim se na i ka zanë sytë "interneti".
Nanadaja më thottë mos me ankue, pse sot nuk të ndan kush prej shkollet, s'ke me u ba skllave e babës e nanës, deri kur të të martojnë, që me iu skllavnue dikujt tjetër. Të drejtë kishte, ndonse njiri n'çdo kohë e gjen pse me ankue.
Po, për shkollën ankoj që s'kam msue asgja me randsi. M'ka msu nana qysh se m' msoi me lexu e nuk i kam nda librat ma. Çdo gja shkencore që di ma ka msue ndoj enciklopedi e lexume vjedhtaz nga burri fanatik i hallës që m'i mshehte librat e m'i lente përgjys' pse kishte frikë mos ia merrsha në shpi e harrojsha me ia kthye prapë.
N'shpi teme lexojsha librat e babës, që ishin libra gjuhe të huej për me e msue vetë apo libra për sportin e masazhet e trupin, pse kishte studiue pak mjekësi. Te nanedaja kisha zanë me shkue te "oda e fundit", dhoma në fund të shpisë që u mbrritte tuj kalue nëpër odë të mesit, dhoma e pritjes. Oda e fundit, që ishte dhomë gjumi për pleqtë, ku ose luenim teater, zate teater, me time motër e me kushërinen, tuj vu në skenë torturat e "Monserratit" ose lexosha çdo gja që m'binte n'dorë, prej "Oso Kukës" e "Si u kalit çeliku" te tregimet e Kharmsit dhe poezitë e Blake-ut, Morrison-it e të Ginsberg-ut. U tmerrosha e kam ende vrraja t’ thella n'imagjinatë prej tyne, por e dosha atë dramë, aq sa lexosha n'gazeta vjedhjet e përdhunimet, n’se s'më lejoshin me shkue me ra n'odë të fundit, pse "s'rrin kurrë me ne pleqtë".
Edhe në gjimnaz nuk kam msue gja me randësi në shkollë; rrijsha tuj msheh' romanet mes librave mësimore, kinse jam tuj studiue, ma vonë lexojsha me elektrik doret deri ne 4 "Harry Potter" ose "Katedralen e Parisit", apo romanet erotike të Isabel Allendes që më m’suenë ça asht dashnia epshnore që dymbëdhjetë vjeçe. Për shkollë më mjaftonte me lexue në pushimet 5 minutëshe, gja që m'ndihmonte me marrë dhjetën e "sa kujtesë kohëshkurtë të mirë ke" dhe titullin "peshkope" sigurisht.
Kam kenë snobe për vetëmbrojtje, se disha shumë, lexojsha si e drogueme, e se kisha mëni prej ndryshimeve që m'ishte dashtë me ba për me më pranue.
Ama deri në universitet, nuk kam pas fatin me njoftë dikë që përbuz librin, madje librin që e ka shkrue vetë, për me i ba piedestal dijes, të m’suemunit konceptual. Nuk due me ia thanë emrin, por ajo grue e g’zueshme, e dashtun, m'ka ba me jetue rasa të ngjashme me ato të Ethan Haëke tek filmi "Dead Poet Society". Pse ajo mendonë si un', mendimi i vet ishte nji majmun që u hidhte degë m'degë, ama t'msonte çdo gja të randësishme, pse kishte lidhje logjike, pse ishte interesante me e ndjekë at' pasion t'saj e me pa si shihte ajo. T'bante me t'u sendërgjue ajo botë që përshkruente, ndonse botë ligjesh, për shumë e mërzitshme, pa ngjyrë. Prej saj kam msue me u emancipue, me dalë nga pushteti atnor. Veçse për mu ishte emancipim nga shoqnia, emancipim nga institucionalizimi i dijes, që n'fakt s'asht veçse çensurim, dituri selektive përziem me arrogancë skolastike, për me t'ba me u ndie i vogël.
Sot, çdo njeri e ka n'axhendë me e ba tjetrin me u ndie ma i vogël, ma pak se ai, sidomos në metropol. Kët' nuk e tham prej nostalgjisë për Shkodrën, jo, se për me gjetë ça s'shkon në Shkodër, hala qëndrojnë ankesat e Koliqit e jo pak t'Migjenit. Shkolla asht nji nga ato vende ku m’son me u përplas' me kët' "tkurrje", që për fat, te disa mbetet n’tentativë.
Në shkollë kam msue vetëm që duhet me u duk' e sigurtë, duhet me zanë hapsinë ajrore shumë, me u ba hije të tjerëve me praninë tande, me fole me za t’plotë e mos me pranue kurrë se s'din, por me e dredhë kinse nënkuptove diçka tjetër. Fundja k'shtu i jan' gjegjë përherë pvetjeve t'mija profesorat e profesoreshat. Gjithmonë jam tërhek' ma s'tepërmi prej atyne që ishin "të çmendun", t'falisun mbas landës s'vet, se t'pakten ata ta injektoshin pasionin e tyne n'gjak e, doshe s'doshe, diçka kishte me t'mbetë n'mend a nemose diku tjeter, n’nji vend ma instinktiv, që n'letërsi e vejnë afër me zemrën. Këta që bajnë sikur dijnë, i mashtrojsha leht’ tuj ba edhe une sikur dijsha.
Animirë, qysh se m'asht dashtë me thanë për Fishtën "shqip asht, po shqip, kjo asht gjuha juej e duhet me ia njoftë dialektet!", kisha vendosë që kam me fole gjuhën e tyne derisa te jëm e edukume mjaftushëm që me i ba me m'ndie kur t'nisi me fole në gjuhën teme. E sot ndihem e edukume dhe e emancipume mjaftushëm për me e hedhë kët' hap n’humnerë.
“Il contadino che parla il suo dialetto è padrone di tutta la sua realtà”
(Nga Sara Kraja, Fakulteti i Drejtësisë; Portali Shkollor)
***Sara Kraja ka botuar librin me titull "Princesha e të gjitha kohërave"
Hartimi i projektit kurrikular
Rritja e pagave të punonjësve të arsimit dhe udhëzime për zbatimin e Vendimit të Këshillit të Ministrave
Letër e hapur për prindërit, mësuesit e institucionet: Për të mos neglizhuar asgjë në edukim!