"Për Aftësinë e Kufizuar dhe rolin e mësuesit ndihmës në shkolla" nga Fiqiri Çifliku
Dita e Aftësisë së Kufizuar na kujton progresin e Shqipërisë me mbi 2000 mësues ndihmës, degë në pedagogji të specializuar dhe rritje të përfshirjes. Por sfidat mbeten: mungesa e trajnimeve dhe burimeve. Ngritja e kapaciteteve dhe përfshirja gjithëpërfshirëse janë thelbësore për mbështetjen e nxënësve me AK.
Shumë e vështirë të mbjellësh arën,
Më e vështirë shpirtin të mbjellësh!
Të hapësh arën, T’i hedhësh farën,
Të hapësh shpirtin, mendjen t’i hedhësh,
Shumë e vështirë shpirtin të mbjellësh.
Dritëro Agolli
Nga Fiqiri Çifliku, ekspert arsimi
Sot është dita e Aftësisë së Kufizuar dhe për hir të së vërtetës duhet thënë se nga institucionet arsimore në Shqipëri është bërë goxha punë. Sigurisht kjo nuk mjafton asnjëherë dhe në çdo ditë dalin sfida të reja. Ngritja e kapaciteteve të mësuesve ndihmës dhe fuqizimi i tyre në shërbimin e nxënësve me aftësi të kufizuar ka qenë prioritet i MAS ndër vite. Mjafton të kujtojmë se vitin 2013 nuk kishte asnjë mësues ndihmës në shkolla, ndërkohë sot janë rreth 2000 mësues. Profili i mësuesit ndihmës prej vitit 2019 është në listën e profesioneve të rregulluara, si dhe kemi degë të posaçme për formimin e mësuesve në “Pedagogji të Specializuar”. Mësuesi ndihmës është një profesion i rëndësishëm që ka një rol të veçantë në sistemet arsimore të shumë vendeve, përfshirë Shqipërinë. Mbështetja e mësimdhënësit kryesorë dhe ndihma ndaj nxënësve që kanë nevoja speciale, përfshirë ata me aftësi të kufizuara, që mund të kenë vështirësi në mësim është dhe sfida kryesore e tyre.
Sigurisht këto shifra e fakte nuk mjaftojnë asnjëherë dhe kërkesat vijnë në rritje. Institucionet kanë detyrë të përshtatin mundësitë me nevojat për të arritur rezultatet më të mira për kategorinë e nxënësve me nevoja të veçanta. Roli i mësuesit ndihmës nuk është i njëjtë, ai ndryshon nga një vend në tjetrin, por ka disa elemente të përbashkëta që përfshijnë, mbështetje për nxënësit me aftësi të kufizuara, përgatitjen dhe përshtatjen e materialeve mësimore (Planet PEI), përmirësimi i integrimit social të nxënësve me aftësi të kufizuara në klasë, duke u siguruar që ata të mund të përfshihen në aktivitete dhe të kenë mundësi të barabarta për të mësuar. Nuk mund të lë pa përmendur punën me prindërit, mësuesit e tjerë dhe specialistët, psikologë apo terapistët për të krijuar një plan të përbashkët që siguron mbështetje për të gjithë nxënësit.
Në Shqipëri dhe disa vende të rajonit të Ballkanit, si Kosova, Serbia dhe Maqedonia e Veriut, përpjekjet për të zhvilluar këtë rol kanë qenë të mëdha, por hasen ende vështirësi për shkak të mungesës së trajnimeve të mjaftueshme, burimeve dhe infrastrukturës në mbështetje të nxënësve me nevoja të veçanta. Më poshtë po sjell disa shembuj të rolit të mësuesve ndihmës në disa vende të rajonit:
Në Kosovë, mësuesit ndihmës janë të angazhuar kryesisht për të mbështetur nxënësit me nevoja speciale. Ata punojnë në shkolla që ofrojnë arsimin për fëmijët me aftësi të kufizuara dhe ndihmojnë në përshtatjen e mësimit për këta nxënës. Mësuesit ndihmës mund të ofrojnë mbështetje individuale, si dhe të krijojnë aktivitete dhe materiale mësimore të përshtatura për nevojat specifike të fëmijëve.
Në Maqedoninë e Veriut, Sistemi arsimor ka bërë përpjekje për të ofruar më shumë mundësi për nxënësit me nevoja speciale, përfshirë angazhimin e mësuesve ndihmës që të punojnë ngushtë me mësuesit kryesorë për të krijuar mjedise mësimore më gjithëpërfshirëse dhe mbështetëse.
Në Serbi, mësuesit ndihmës mund të punojnë në mënyrë individuale me nxënësit që kanë nevoja speciale dhe ofrojnë mbështetje për zhvillimin e aftësive të tyre akademike dhe sociale. Disa shkolla serbe kanë krijuar mundësi për mësuesit ndihmës të angazhohen në aktivitete jashtëshkollore, të cilat kanë si qëllim zhvillimin e aftësive të tjera të nxënësve.
Në Malin e Zi, mësuesit ndihmës punojnë për të krijuar kushte të përshtatshme mësimore dhe ndihmojnë nxënësit që kanë vështirësi të mëdha në mësim, duke ofruar mbështetje të veçantë dhe duke krijuar materiale mësimore që i përshtaten nevojave të secilit nxënës.
Në Bosnje dhe Hercegovinë, mësuesit ndihmës janë të pranishëm në shkolla për të mbështetur nxënësit me nevoja speciale duke siguruar mbështetje individuale, ndërkohë që përpiqen të integrojnë nxënësit me aftësi të kufizuara në klasa të përbashkëta.
Ndërkohë në vendet e OECD (Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik), roli i mësuesit ndihmës është i ngjashëm në disa aspekte, por ka ndryshime të rëndësishme në varësi të politikave të arsimit, traditave dhe burimeve financiare të secilit vend. Pothuajse në të gjitha këto shtete, mësuesit ndihmës janë të angazhuar për të mbështetur mësuesit kryesorë dhe për të siguruar përfshirje dhe mbështetje për nxënësit që kanë nevoja të veçanta, si dhe për të krijuar kushte të barabarta për të gjithë nxënësit.
Në SHBA, mësuesit ndihmës janë të pranishëm kryesisht në shkollat që ofrojnë arsim për nxënësit me nevoja speciale. Ata punojnë në grupe të vogla ose një më një dhe ndihmojnë në zbatimin e strategjive individuale të mësimdhënies, siç janë Planet e Edukimit Individual (PEI) për nxënësit me aftësi të kufizuara. Mësuesit ndihmës gjithashtu mund të mbështesin nxënësit që kanë vështirësi në të kuptuarit e materialeve të mësimit dhe të ofrojnë asistencë të përkohshme për nxënësit që kanë nevojë për mbështetje emocionale ose sociale.
Në Mbretërinë e Bashkuar, mësuesit ndihmës janë të quajtur “teaching assistants” dhe kanë një rol të gjerë që përfshin mbështetje në mësimdhënie, kujdesin ndaj nxënësve dhe ndihmën gjatë aktiviteteve mësimore. Ata janë të angazhuar kryesisht për mbështetje individuale ose grupeve të nxënësve me nevoja speciale, dhe ndihmojnë mësuesit në menaxhimin e klasës dhe përshtatjen e materialeve për nxënësit që kanë vështirësi. Roli i tyre është gjithashtu i rëndësishëm në krijimin e një ambienti mbështetës dhe gjithëpërfshirës.
Në Kanada, mësuesit ndihmës janë të pranishëm në shumicën e shkollave, duke ofruar mbështetje për nxënësit me nevoja speciale, për ata që kanë probleme në të mësuarit ose për ata që kërkojnë mbështetje sociale dhe emocionale. Ata punojnë në bashkëpunim me mësuesit kryesorë për të krijuar mjedise të përshtatshme për mësim dhe janë të përfshirë në vlerësimin e progresit të nxënësve dhe krijimin e planeve të mësimdhënies të personalizuara.
Në Australi, mësuesit ndihmës janë të angazhuar për mbështetje të nxënësve me aftësi të kufizuara, si dhe ata që kanë vështirësi të tjera në mësim. Ata ndihmojnë në përshtatjen e aktiviteteve dhe materialeve mësimore për t'u përshtatur me nevojat e nxënësve. Mësuesit ndihmës ndihmojnë në menaxhimin e mjedisit të klasës dhe ofrojnë mbështetje të drejtpërdrejtë për nxënësit që kanë nevoja të veçanta sociale, si dhe mbështetje në zhvillimin e aftësive komunikuese dhe emocionale.
Në Gjermani, mësuesit ndihmës janë të angazhuar për mbështetje individuale të nxënësve që kanë nevojë për mbështetje të veçantë, si ata me aftësi të kufizuara ose ata që kanë vështirësi të mëdha në mësim. Ata gjithashtu janë të pranishëm në klasa të përfshira dhe ndihmojnë në adaptimin e materialeve dhe aktiviteteve për nxënësit që kanë nevojë për mbështetje shtesë. Mësuesit ndihmës gjithashtu luajnë një rol në krijimin e një atmosfere të sigurt dhe mbështetëse në shkollë.
Në Francë, roli i mësuesve ndihmës është të ofrojnë mbështetje për nxënësit që kanë vështirësi në mësim ose ata që kanë nevoja speciale. Ata janë të angazhuar në përgatitjen e materialeve të mësimit, si dhe mbështetje për menaxhimin e klasës dhe për zhvillimin e aftësive sociale dhe akademike të nxënësve. Roli i tyre gjithashtu përfshin mbështetje për nxënësit që kanë nevojë për ndihmë të veçantë, si ata me autizëm ose me çrregullime të tjera të zhvillimit.
Duke krahasuar vendet e rajonit dhe disa prej vendeve më të zhvilluar te OECD, mendoj se edhe Shqipëria duhet të rishohë me shumë kujdes pozicionin e saj dhe rolin e mësuesit ndihmës. Qëllimi i vetëm është ndikimi sa më i madh i tij në mësimdhënie, krijimi i një mjedisi mbështetës dhe krijues për të gjithë nxënësit.
Si një përmbledhje mund të listojë disa na pikat ku duhet të fokusohen politikat arsimore sot e në vijim që mund të jenë:
- Mbështetje për nxënësit me nevoja speciale: Mësuesit ndihmës duhet të jenë të angazhuar kryesisht për mbështetje të nxënësve me nevoja speciale dhe për të siguruar që ata të integrohen në mjedisin shkollor të zakonshëm.
- Pjesëmarrje në mësimdhënie dhe menaxhimin e klasës: Ata duhet të ndihmojnë mësuesit kryesorë në zhvillimin e mësimit dhe menaxhimin e mjedisit të klasës.
- Mësim i personalizuar: Roli i mësuesve ndihmës duhet të sigurojnë që mësimi të përshtatet për nxënësit me vështirësi dhe të krijojnë kushte për përfshirjen e tyre të plotë.
- Mbrojtja e shëndetit dhe mirëqenies së nxënësve: Mësuesit ndihmës duhet të ofrojnë mbështetje për zhvillimin e aftësive sociale dhe emocionale të nxënësve, duke siguruar një mjedis gjithëpërfshirës dhe të sigurt për ta.
Mësuesit ndihmës janë shumë të rëndësishëm për krijimin e një sistemi arsimor gjithëpërfshirës dhe mbështetës, si dhe të ndikojnë drejtpërdrejt në përmirësimin e rezultateve të të nxënit dhe sociale të nxënësve, e si të tillë u duhet dhënë mbështetje maksimale nga institucionet.
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Prindërimi i suksesshëm, sfida më e madhe e familjes së sotme!
Për t'u edukuar nuk mjafton arsimimi
Si të përgjigjeni saktë në testimin me shkrim dhe me gojë (arsim)