Pensioni i mësuesve, ministri takon kreun e sindikatës

Ministri Bajrami iu ka premtuar përfaqësuesve të SBAShK-ut angazhimin e tij maksimal në mënyrë që mësimdhënësit, me rastin e pensuionimit, të gëzojnë pensionin e punës.

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Arsim Bajrami, priti në takim kryetarin e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK), z.Rrahman Jasharaj dhe menaxherin e financave të Sindikatës, z. Ymer Ymeri.

Në këtë takim është biseduar për zbatimin e Ligjit për skemat pensionale të financuara nga shteti, konkretisht për nenin 8, pika 6 e këtij ligji, sipas të cilit punonjësve të arsimit të viteve 1989/99, këto vite iu njihen si vite kontributdhënëse, por që është në shpërputhje me një vendim të Qeverisë së Kosovës. Gjatë takimit,është arritur pajtimi për fillimin e aplikimit për njohjen e stazhit të punës për pension kontributdhënës për vitet 1989-1999 për të gjithë punonjësit e arsimit,të cilët kanë punuar në sistemin arsimor të Republikës së Kosovës në atë periudhë.

Ministri Bajrami iu ka premtuar përfaqësuesve të SBAShK-ut angazhimin e tij maksimal në nivel qeveritar në mënyrë që kjo çështje të zgjidhet, në mënyrë që mësimdhënësit, me rastin e pensuionimit, të gëzojnë pensionin e punës.

Aplikimi për këtë të drejtë, të njohur edhe me Ligjin për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti, do të fillojë dhe do të njihet menjëherë për të gjithë punonjësit e arsimit në atë periudhë të rëndësishme historike për popullin e Kosovës dhe për arsimin në Kosovë.

Zëvendëskryeministri Shala dhe ministri Abrashi kanë njoftuar përfaqësuesit e SBASHK-ut për përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për të realizuar të drejtat ligjore të merituara për të gjitha kategoritë e njerëzve që kanë kontribuar në të gjitha fushat e jetës, gjatë periudhave historike të fitimit të lirisë dhe pavarësisë së vendit.

Përfaqësuesit e SBASHK-ut kanë falënderuar Qeverinë e Kosovës për hapat e ndërmarrë në këtë drejtim.

1,727 Lexime
8 vjet më parë