Pavarësia e Kosovës në penën e të rinjve
Më poshtë ju sjellim tri esetë më të mira të krijuara nga nxënësit të cilët morën pjesë në konkursin e organizuar nga Aktivi Profesional i Gjuhës Shqipe
Aktivi Profesional i Gjuhës Shqipe ka organizuar një garë për esenë më të mirë në nivel shkolle. Gara u organizua për nder të 9-vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës. Ju ftojmë të lexoni 3 krijimet të cilat fituan vendin e parë, të dytë dhe të tretë.
(Çmimi i parë)
Akti heroik i dëshmorëve tanë - Histori lavdie për një vepër të pavdekshme
A thua vdiqën dëshmorët tanë heroikë?! A thua u shua madhështia ndër shekullore e tyre?! Ai gjak i pastër dhe i pavdekshëm qarkullon nëpër kapilarët tanë.
Ata jetojnë ende në shpirtrat tanë; heronjtë e lirisë që ne na mbajnë të gjallë. A vdesin ushtarët shembullorë dhe fytyrat hyjnore të tyre?! A vetëm pse u çliruam nuk i kujtojmë më me mall?! Jo, kurrë! Kurrë nuk harrohet mundi, sakrifica juaj! Eh, sa nëna vuajnë sot! Të bijtë i kishin të gjallë, por zemra e zezë e armikut s'la djalë shqiptari pa vrarë, s'la tokë e as shtëpi pa djegur, s'la as shpresë se të gjitha i kishte tretur. Ato i la nën shoqërimin e kujtimeve të thella, në pikëllimet e jetës.
Dëshmorë, ju luftuat ndershëm! Harruat veten dhe dhatë më të shtrenjtën, jetën, vetëm që ne përherë të jemi të lirë. Ah, edhe sot nuk po ndalen dot të shkretët lot! Si nuk e kursyet veten tuaj? Si arriti t'ju vrasë ajo dorë e huaj? Jo, s'e pranon mendja. S'po na e do fare zemra. Pse nuk jeni më me ne?
O ju dëshmorë të lirisë, jeni nderi i shtëpisë, jeni fryma e ardhmërisë; ju u bëtë ura drejt "Pavarësisë"! E, si mund të jetësohet lumturia pa krijuesit e asaj lumturie? Ju jeni heronj të mëdhenj - juve ju qoftë lavdia! U takofshim bashkë në parajsë!
Vepra të pavdekshme, krijojnë vetëm të pavdekshmit! Ne, jemi e ardhmja që ju latë pas. Po e gëzojmë lirinë, falë jush; ju u bëtë shkas. Ata nuk janë me ne. Ata nuk janë gjallë. Një shpirt i thyer po i përkujton si asnjëherë më parë!
Mergime Brahimi, XII-11
SHMLP “Bahri Haxha”,Vushtrri
(Çmimi i dytë)
Të ikësh do të thotë të vdesësh pak nga pak
Të ikësh do të thotë të vdesësh pak nga pak, është një thënie pikante që në brendinë e saj bart shumë domethënie të mëdha. Ikja nga përgjegjësitë dhe nga dëshirat e tua tregon se ti je një person që lehtas heq dorë.
Jeta është e mbushur me pengesa nga më të ndryshmet. Dëshirat dhe përpjekjet e tua për të arritur sukses duhet të jenë shkaku që ti të mos dorëzohesh kurrë. Në jetën e çdo njeriu shfaqen baticat dhe zbaticat. Me to, medoemos do të përballemi. Të duhet që të jesh shumë këmbëngulës në qëllimet e tua dhe të mos lejosh që të tjerët të ndikojnë në jetën tënde.
Pa dyshim se ti ke për të takuar shumë njerëz gjatë rrugëtimit tënd. Ata me çdo kusht dëshirojnë që ti të mos e arrish qëllimin e caktuar. Gjatë këtij rrugëtimi dhe gjatë kësaj kohe duhet të tregohesh vigjilent dhe të menaxhosh çdo gjë; gjithçka. Kështu, secilën pengesë do ta kthesh në favorin tënd.
Gurët përgjatë shtegtimit tënd do t'i hasësh gjithsesi. Varet prej teje se me ta do të ndërtosh mur për të penguar të keqen apo urë që ty do të ndihmojë të të buzëqeshë thellë fati.
Vendos e përzgjedh; të bukurën (jetën) a të keqen (vdekjen)! Fati yt gjithnjë është në duart e tua dhe asnjëherë në duart e tjetrit.
Vjollca Maloku, XII-8
SHMLP “Bahri Haxha”,Vushtrri
(Çmimi i tretë)
17 Shkurti - Themel lirie për ne e për brezat e rinj
17 Shkurti është dita më e rëndësishme për të gjithë shqiptarët, data që fuqishëm hyri në zemrat e secilit prej nesh në vitin 2008. Kjo datë historike u bë themel lirie, paqeje e dashurie. Bashkoi zemrat e secilit në një të vetme, në atë të popullit shqiptar.
Për të arritur deri te kjo ditë u derdh shumë gjak, mijëra njerëz u vranë, mijëra të tjerë u plagosën rëndë dhe mijëra të tjerë u masakruan keq. Ata u flijuan për ne dhe për brezat e rinj që të jetojnë në paqe; pa u derdhur gjak, pa pasur hakmarrje, pa derdhur lot e pa pasur vrasje.
Shpesh e pyes veten: Pse është dashur të vuajmë kaq shumë, të vdesin e të masakroheshin shumë nga tanët?! Ç'faj patëm ne?! Çfarë i kemi bërë ne armikut?! A ka ndjenjë njerëzimi ai?! A do të duhej gjithsesi të vdiste dikush?! A kanë stop ata, armiqtë?! Kërkova gjithandej përgjigje, por nuk i gjeta dot. E gjitha çfarë më thonë është se ne e përjetuam këtë dhe kjo nuk zhbëhet më. Mëso të mos e përjetosh edhe ti! Pse? Mendoja se ç'po thonë kështu. Ngadalë e kuptova se arma më e fortë e një shteti është dituria. Kjo gjakpirësit i vret ngadalë dhe s'i lë më frymë për të marrë.
Atë që të parët tanë e përjetuan, le të jetë mësim për ne; krenari. E shpallëm pavarësinë e shtetit tonë dhe jemi të lirë sot. Edhe pse armiku e pranon këtë, por nga mëria s'e thotë jo. Akti i të parëve tanë, le të jetë themel lirie për ne - pikënisja e vetme që ne të arrijmë atë që prindërit tanë e të tjerët nuk e arritën. Ata kanë bërë më shumë se kushdo tjetër dhe qenë të gatshëm të vdesin, të japin jetën e tyre për ne. Ata meritojnë çdo gjë të mirë. Vdekja e tyre, le të shërbejë si rrugë e drejtë për ne e për brezat e rinj.
Përjetësisht.
Urime, Kosovë! Urime, o vendi im! U gëzofsh e festofsh përjetë!
Djellza Strana, X-13
SHMLP “Bahri Haxha”, Vushtrri
Letër falenderuese mësuesit
Për Klodin: Një udhëtim i paharruar mirësie...
Ese: Mjedisi dhe njeriu