Panairi i 22

Panairi i Librit, njihuni me titujt më të rinj që do të sjellë shtëpia botuese ALBAS

Shtëpia botuese ALBAS prezanton para lexuesve titujt më të rinj të librave që do të jenë në stendën e saj këtë panair. Vijnë dy kryevepra botërore, “Xha Gorioi dhe “Rruga për te Fari”, gjithashtu dhe veprat e nobelisteve Olga Tokarczuck dhe Herta Muller.

Si çdo panair shtëpia botuese ALBAS prezanton para lexuesit tituj të rinj për të gjitha moshat dhe të të gjitha kategorive. Serisë “Klasikë dhe modernë” këtë vit i shtohen dhe dy kryevepra të letërsisë botërore: kryevepra e Balzakut,  “Xha Gorioi”, me një përkthim mjeshtëror të Primo Shllakut dhe “Rruga për te Fari”, një ndër veprat më të rëndësishme të Virxhinia Ulfit dhe njëkohësisht vepra themelore e Përroit psikik. 


UDHA PËR TE FARI

Një roman i krijuar për të vëzhguar dhe përshkruar me imtësi shpirtin njerëzor, të gjitha ato grimca të panumërta që sulmojnë përditë vetëdijen. Mungon prania e një tregimtari të kudondodhur dhe përshkrues i detajeve. Duket sikur personazhet jetojnë në një botë të rrëmujshme, të rrethuar nga njerëz, por edhe nga vetmia e tyre…


XHA GORIOI

Në këtë kryevepër të letërsisë botërore, dashje pa dashje, përplasen dy të këqija të mëdha: njëra e njohur, ajo e krimit dhe botës së nëndheshme dhe ajo e sipërdheshmja, forca shkatërruese e Parasë. Romanistika dhe proza realiste e Balzakut janë të shënuara prej karakteristikash të pangatërrueshme. Realizmi përshkruan imtësisht jo vetëm personazhin në të gjitha metamorfozat e tij, madje deri në njëlloj mbajtjeje “proceverbali” mbi gjithçka që ai thotë e që bën.



Këtë vit shtëpia botuese ALBAS vjen me serinë e re: Nobelistë. Janë sjellë në shqip dy kryevepra të letërsisë botërore bashkëkohore, “Shtërgjit”, e nobelistes së sapokurorëzuar Olga Tokarczuck dhe “Kafsha e zemrës”, kryevepra e nobelistes gjermano-rumune Herta Muller. 


SHTËRGJIT

Shtërgjit përbëhet nga një mozaik karakteresh në një lëvizje të pandërprerë. Duket se bota moderne lëviz në mënyrë të çoroditur dhe kaosi duket se është i gjithëpranishëm, jo vetëm ngaqë është copëtuar itinerari i lëvizjes, por edhe ngaqë vetë subjekti i lëvizjes është copëtuar. Kështu, në këtë libër pleksen lëvizje gjithfarëshe, njerëzish të njohur a të panjohur, personazhesh historike a të trilluara, njerëzish a mumiesh, trupash të shëndetshëm a trupash të gjymtuar, trupash të plotë a pjesësh të tyre.


KAFSHA E ZEMRËS  

Personazhi kryesor, një studente e komunitetit shvab gjatë regjimit të Çausheskut në Rumani, tronditet nga vetëvrasja e Lolës, njërës prej shoqeve të saj të dhomës. Akoma më e ankthshme bëhet gjendja, kur i bie në dorë ditari i saj. Kjo vdekje e mistershme do të bashkojë përjetë katër miq: personazhin kryesor, Kurtin, Edgarin dhe Georgun, të cilët së bashku do përpiqen t’u bëjnë ballë përndjekjeve, spiunimit, dhunës dhe mungesave të panumërta. Absurditeti i jetës në diktaturë dhe qëndrimi i paepur disident ecin krah për krah në këtë roman, i cilësuar si kryevepra e nobelistes Herta Müller.



BOMBE: 

Seria “BOMBE, Be Open-Minded, Be European” ka si qëllim përkthimin, botimin e librave të autorëve bashkëkohorë europianë. Këta janë libra “mendjehapur”, është një letërsi e vlerave njerëzore, pa dallime kufijsh, një letërsi e vlerave europiane. Disa nga titujt e kësaj serie janë:


ZHDUKJA E JOZEF MENGELESË

Jozef Mengele (Engjëlli i Vdekjes), ish-torturuesi i Aushvicit, më 1949 mbërrin në Argjentinë. I fshehur pas pseudonimeve të ndryshme, ai beson se mund të krijojë një jetë të re në Buenos-Ajres. Për tri dekada me radhë, ai jetoi i qetë në Amerikën e Jugut dhe pati aftësinë të ishte gjithnjë disa hapa para agjentëve të Mosadit, policisë dhe gazetarëve nga mbarë bota...


FIZIKA E TRISHTIMIT

Duke përdorur mitin e Minotaurit si imazhin e tij organizues, autori ndërton në roman një labirinth tregimesh rreth familjes së personazhit kryesor, duke u hedhur nga epoka në epokë nga pikëpamja në pikëpamje, duke eksploruar mendësinë dhe estetikën e europianolindorëve. Nëpërmjet empatisë patologjike personazhi arrin të trupëzohet në historitë e të tjerëve, duke na sjellë një larmio ngjarjesh, që zënë fill që nga periudhat parahistorike. 


HUMNERA

Romani “Humnera” është një rrëfim rreth shpërbërjes së një familjeje, një simbolikë e humnerës shpirtërore që shoqëron ngado qenien njerëzore. Në qendër të rrëfimit vendoset një ushtarak që vuan nga çrregullimi i stresit posttraumatik. Në pjesën e dytë, lexuesi kupton se shkaku i mosmarrëveshjes mes çiftit është djali i tyre - një student i cili përpiqet të gjejë vendin e tij në shoqëri dhe identitetin e tij të humbur. Por për t’ia dalë kësaj, i është dashur të bëhet pjesë e një sërë ngjarjesh dramatike. 



Kulturologji: Kultura e terrorizmit, Një autoritet i ri pa dënime dhe pa dacka, Realizmi socialist në sistemin letrar shqiptar.


KULTURA E TERRORIZMIT

Në librin Kultura e terrorizmit  përshkruhen ngjarjet historike dhe politike të një viti: 1986, që është dhe kulmi i epokës Regan. Në të trajtohet përfshirja e qeverisë amerikane në akte të terrorit shtetëror suprem, të hapur dhe të fshehtë, për të paraqitur studimin e  rasti që ka një rëndësi të madhe sot dhe mësimet e të cilit kurrë nuk duhet të harrohen.


NJË AUTORITET I RI PA DËNIME DHE PA DACKA

Nëpërmjet këtij libri, dilemat dhe sfidat e prindërve gjatë rritjes së fëmijës marrin një drejtim orientues dhe lehtësues. Rrëfimet e sinqerta dhe praktike i ndihmojnë prindërit në përballimin e ankthit që përjetojnë në situata të ndryshme të sjelljeve të fëmijëve. Ky libër udhëzues u ofron prindërve burimin e suksesit, duke mënjanuar me mençuri dhe durim format e papërshtatshme të prindërimit, ku ata mund ndihen të frustruar dhe, si rrjedhojë, të dështuar.


REALIZMI SOCIALIST NË SISTEMIN LETRAR SHQIPTAR 

Objekt kërkimi në këtë sprovë është qëmtimi sa më i detajuar i evoluimit të sistemit letrar shqiptar në ndërkohën 1944-1962, që pashmangshëm brendashkruan fillimin dhe stabilizimin e realizmit socialist si model krijues dominant.



Libra për ngritjen shpirtërore: 


KLUBI  “5 E MËNGJESIT”

Përmes një historie të këndshme dhe shpesh  zbavitëse me dy të huaj që takojnë një manjat ekscentrik, i cili bëhet mentori i tyre i fshehtë, Klubi “5 e mëngjesit” është një tregues se sa të shumtë janë ata, gjeni të shkëlqyer, titanë biznesi dhe njerëzit të mençur në botë, që fillojnë mëngjesin e tyre me një metodë të caktuar për të pasur arritje mahnitëse. Një libër që nxit besimin e njeriut për të arritur më të mirën, të kapë majat. Nëse i vini synim vetes se do t’i realizoni qëllimet e tuaja, mund t’ia dilni! Një libër që do t’jua ndryshojë jetën përgjithmonë!


Seria për të rinj: Mondo dhe tregime të tjera, Dhelprat e shkretëtirës, Çfarë muzike! 


MONDO DHE TREGIME TË TJERA

 Fëmijë, të afërt apo të largët, ata quhen Mondo, Ulula, Jon, Daniel Sinbad, Kryqi i Vogël... Me praninë e tyre ndriçojnë secilën nga këto histori dhe na ftojnë t'i ndjekim e të futemi në botën e tyre për të zbuluar udhën e lirisë. Zbuloni librin Mondo dhe tregime të tjera, shkruar nga J.M.G. Le Clézio, i cili është nderuar me çmimin Nobel në letërsi.


ÇFARË MUZIKE! 

Të guximshëm, rebelë, revolucionarë: Çfarë muzike! tregon për artistët më të mëdhenj të rock-ut botëror dhe shqiptar. që kanë revolucionarizuar historinë e muzikës moderne. 


DHELPRAT E SHKRETËTIRËS

Dy dhelpra dhe një sekret. I takon Morisit që ta zbulojë. Në moshën 11-vjeçare sapo është shpërngulur në Dautremer, një fshat i përhumbur në Korsikë: ndërkohë që prindërit do të merren me drejtimin e hotelit të rrënuar Napoleon, ai do të vërdalliset duke regjistruar tingujt e detit. Të paktën, kjo ishte ideja, derisa një ditë takon Odrin, një moshatare të tij. Ajo i tregon për zhdukjen e një marinari gjerman. Ky nuk është i vetmi mister. Shumë shpejt, Morisi dhe Odri do të zbulojnë se në të gjithë fshatin fshihet një sekret i errët, që I ka rrënjët në Luftën e Dytë Botërore. 



Trashëgimi kulturore: Guida e Tiranës


GUIDA E TIRANËS

Libër për të udhëtuar, guidë për t’u lexuar, sepse Tirana ka histori për t’u rrëfyer dhe aventura për t’u jetuar...Tirana, qyteti i Diellit, është një thesar për t’u zbuluar. 


Serisë me quajnë i shtohen edhe: “Më quajnë... Eqrem Çabej”, “Më quajnë... Nikola Tesla”. 



Këto pra janë disa nga titujt më të rinj që vijnë të botuar nga shtëpia botuese ALBAS për vitin 2019  e që do t’i gjeni në stendën tonë të Panairit të 22-të të Librit në Tiranë. 

Ne ju presim për t’i parë këta tituj nga afër nga data 13 nëntor deri më 17 nëntor, nga ora 08.00 deri në orën 21.00. Gjithashtu, gjatë ditëve të panairit ju ftojmë që të takoni disa nga autorët e librave e të merrni pjesë në aktivitetet e ndryshme të organizuara  sipas një agjende të përcaktuar. 


Të dashur lexues, nëse keni një marrëdhënie të veçantë me të lexuarit dhe librat atëherë mos mungoni në Panairin e Librit, dhe në stendën e ALBAS, për t’ju prezantuar shumë tituj të rinj të cilët do të kontribuojnë në pasurimin e mendjes dhe vlerave shpirtërore, nëse do t’i bëni pjesë të bibliotekës tuaj. 

                                             

                                                                                                              ALBAS, me ne më pranë dijes!


(Portali Shkollor) 

3,104 Lexime
5 vjet më parë