Thirrja

Pagat e ulëta dhe kushtet e punës së mësuesve, SPASH në Tiranë paralajmëron protesta

SPASH Tiranë ka bërë thirrje që 19 janar të nisin protestat e tyre në të gjitha shkollat e Tiranës duke pezulluar orën e parë të mësimit, 45 minuta. Por, vetëm disa orë më vonë, kjo sindikatë njoftoi vendimin për t’u tërhequr përkohësisht nga protesta për një mbledhje që do të zhvillojë KKAP.

Sindikata e Pavarur e Arsimit në Shqipëri dega Tiranë, ka njoftuar të gjithë mësuesit e kryeqytetit që këtë të mërkurë më 19 janar, të pezullojnë orën e parë të mësimit në rast se duan t’i bashkohen protestës për mungesën e regjistrave në shkollë, kushtet minimale të punës si dhe për pagat e pamjaftueshme. 


Ndërkohë më datën 26 janar,në orën 14:30 SPASH ka lajmëruar gjithashtu për një formë tjetër protestë përpara Zyrës Arsimore Tiranë.


“Mësuesit e Tiranës bëhen gati të protestojnë për regjistrat, kushtet minimale të punës, pagat e pamjaftueshme. Javës që vjen (këtë javë) të mërkurën, protestë në çdo shkollë të Tiranës. Të pezullohet ora e parë e mësimit, 45 minuta. Mësuesi qëndron përpara klasës, por nuk zhvillon mësim. E mërkurë, 26 janar, ora 14:30, protestë përpara Zyrës Arsimore, Tiranë”, thuhet në njoftimin e Sindikatës së Pavarur të Arsimit Shqiptar, dega Tiranë.


Por, vetëm disa orë më vonë, kjo sindikatë njoftoi vendimin për t’u tërhequr përkohësisht nga protesta.


“Njoftohen të gjithë këshillat sindikale të SPA-së të shkollave të ZVA-së Tiranë se vendimi lidhur me fillimin e aksionit sindikal të njoftuar për datën 19 janar, do të merret në ditët në vazhdim pas mbledhjes së KKAP-së ku do të diskutohen nga përfaqësuesit tanë të aleancës sindikale edhe problemet e ngritura nga SPA-ja dega Tiranë. Takimi me të gjithë kryetarët e SPA-së së shkollave të ZVA-së Tiranë do të realizohet së shpejti(drejtpërdrejtë ose online) për marrjen e një vendimi për vazhdimin e lëvizjes sindikale”, thuhej në komunikatën e dytë të Sindikatës së Pavarur të Arsimit Shqiptar, dega Tiranë.


Por, sipas ZV.Presidentit të Sindikatës së Pavarur të Arsimit Shqiptar, Isa Halilaj, nuk janë vetëm regjistrat, pagat e ulëta dhe kushtet e punës ato që mundojnë së shumti mësuesit e kryeqytetit. Janë shumë më tepër së aq.


“Përveç regjistrave që duhet të jenë fizikisht në shkolla, pavarësisht përpjekjeve për regjistrat elektronikë, kemi problematika me transportin e mësuesve, veçanërisht në zyrat e reja arsimore, pagesat e vonuara të mësuesve për shkak të problemeve me fondet, orët suplementare të papaguara, mësimi plotësues i papaguar, korrigjimet e provimeve të 9- vjeçare të papaguara, e të tjera”, tha Halilaj.


Të gjithë këto do të adresohen në mbledhjen e të mërkurës të Këshillit Kombëtar të Arsimit, ku veç të tjerash, do t’i kërkohet Ministrisë së Arsimit të dëgjojë sindikatat në një takim të veçantë. 


Listës së problematikave i është shtuar së fundmi edhe mbulimi i orëve mësimore për shkak të infektimit të shumë mësuesve me COVID-19. Ndryshe nga viti i kaluar, sivjet nuk është vënë në dispozicion një fond i veçantë për mësimdhënien gjatë pandemisë.



N.Allkja Biçaku 

© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

3,798 Lexime
2 vjet më parë