Oriana Osmani nga Shkolla e Drejtorëve: Ka ardhur koha të mendojmë se arma më e fuqishme e një kombi është EDUKIMI
Oriana Osmani është njëra prej mësueseve e cila ka fituar të drejtën për të ndjekur Shkollën e Drejtorëve. Gjatë një interviste ajo na ka rrëfyer shumëçka rreth funksionimit të kësaj shkolle, e cila është çelur në muajin tetor të vitit 2019.
Prej tetorit të vitit 2019 është çelur Shkolla e Drejtorëve për të gjithë ata që aspirojnë të shërbejë apo shërbejnë në institucionet arsimore parauniversitare në Shqipëri. Për të parë se si funksion kjo shkollë, ne kemi zhvilluar një intervistë me pjesëmarrësen Oriana Osmani, aktualisht mësuese e letërsisë në shkollën e mesme “Petro Nini Luarasi”, Tiranë. Sipas saj tashmë ka ardhur koha për rimodelimin e qenies, ka ardhur koha të mendojmë se arma më e fuqishme e një kombi është EDUKIMI, e lideri i një institucioni duhet të ketë filozofinë e tij të edukimit. Për Orianën ekziston vetëm një filozofi: “ata që frymëzojnë përmes edukimit kthehen në legjenda, e ndaj finalizimin e kësaj shkolle do t’ia dedikoj EDUKIMIT!”.
Zj.Osmani a mund të na flisni pak për eksperiencën tuaj në lidhje me pjesëmarrjen në Shkollën e Drejtorëve. Sa kohë keni që ndiqni trajnimet e zhvilluara aty dhe si funksionin kjo shkollë me konkretisht?
Shkolla e drejtorëve ose Center School for Leadership e çelur në fakt për publikun e gjerë në tetor të vitit 2019, si një program trajnimi, ishte një domosdoshmëri për këdo që aspiron të shërbejë ose shërben në institucionet parauniversitare në Shqipëri.
Drejtimi i shkollës është një “shërbim” që shumëkush do të thoshte se nuk mësohet, është talent që disa njerëz e kanë të lindur, por kjo nuk do të thotë se disa strategji nuk mund të mësohen e pse jo të trajnohesh për problematika të ndryshme që shqetësojnë arsimin dhe edukimin sot.
Pasi kalon konkurrimin me dokumentet e kërkuara nga shkolla e drejtorëve si CV, dëshmi kualifikimi për trajnime të ndryshme, ide për një projekt etj, kandidati i nënshtrohet një interviste me gojë nga një komision që vlerëson aftësitë që duhet të karakterizojë kandidatin për drejtues. Pata fatin të isha fituese dhe të nisja shkollën e drejtoreve si aspirante. Trajnimi i licensuar është i konceptuar me module të nevojshme e ndihmëse në punën e drejtorit. Trajnimi është intensiv gjatë ditës së premte dhe të shtunë me një orar të plotë prej gati 6 orësh për çdo ditë. Gjatë ditës së premte është krijuar mundësia nga Ministria e Arsimit Rinisë dhe Sporteve në bashkëpunim me ZVA Tiranë, Shkollën e Drejtorëve dhe shkollat përkatëse që aspirantët të ndarë në grupe të trajnohen në shkolla të caktuara për punën e drejtorit. E thënë më thjesht, aspirantët do t’i bashkohen zyrës së drejtorit dhe do të vëzhgojnë atë në çdo procedurë që ai kryen gjatë ditës. Aspiranti duhet të mbajë shënime për atë që vëren dhe mendon se mund ta përmirësojë përmes një strategjie të tijën. Pasi përfundon praktika gjatë paradites, i gjithë grupi mblidhet dhe gjatë pasdites diskuton për problematikat që kanë dalë gjatë praktikës. Gjatë ditës së shtunë trajnimi vazhdon me module të ndryshme të cilat përgatisin aspirantët dhe drejtorët aktualë për çështje si: vizioni i shkollës, vëzhgimi dhe analiza etj. Shkolla është e ndarë në 3 tremujorë, ku pas çdo tremujori, kandidati trajnohet me module të reja. Aktualisht jemi në përfundim të tremujorit të parë.
Cili është synimi juaj?
Besoj se çdokujt që do t’ia drejtoni këtë pyetje do të thoshte: të bëhem drejtor , por përtej kësaj çdo aspirant duhet ta shohë si një mundësi të mirë për t’u trajnuar për çështje të rëndësishme për arsimin të cilat na shqetësojnë të gjithëve. Ka ardhur koha të rimodelojmë qenien tonë, ka ardhur koha të mendojmë se arma më e fuqishme e një kombi është EDUKIMI, e lideri i një institucioni të ketë filozofinë e tij të edukimit. Ky është synimi im, të kem një filozofi timen, për ta bërë edukimin modelues të qytetarë që përpiqemi çdo ditë të formojmë.
Sa po ju shërbejnë programet e trajtuara aty apo sa të dobishme mendoni të jenë ato për këdo që është drejtues i një institucioni arsimor apo aspirant për t’u bërë një i tillë?
Programet ose modulet e ofruara nga pedagogët janë vërtet interesante dhe të dobishme. Gjithkush që merret me arsimin kur i dëgjon titujt e moduleve mendon me vete se tashmë i njeh mire, dhe ato i bën në punën e tij të përditshme, por e reja e moduleve është qasja e re dhe konceptimi tërësisht i ndryshëm nga ajo që njohim ne. Edukimi sot është një nga problemet më të rëndësishme në botë dhe te ne, ka nevojë të përditësohet me materialet më të reja që të jetë sa me efikas në shërbim të shoqërisë.
A testoheni për njohuritë e marra në përfundim të kësaj shkolle?
Testimi është konceptuar jo si një testim i thjeshtë me pyetje e përgjigje, por me detyra tematike, projekt-ide, të cilat jo vetëm dorëzohen, por prezantohen dhe vlerësohen nga pedagogët.
Sa kohë ju ka mbetur për të marrë në duar certifikimin për t’u bërë drejtues i një institucioni arsimor dhe kujt do ja dedikoni atë?
Tashmë certifikimi do të jetë në fund të muajit maj. Për t’u bërë drejtues? Do të dojë edhe disa kohë besoj… Na pret një 6 mujor i ngarkuar me module e detyra të reja. Pyetjes tuaj kujt do t’ia dedikoj nuk do të doja t’i përgjigjesha me përgjigjen klishe : familjes. Ata janë të parët e nuk diskutohen! Unë gjithmonë kam besuar se EDUKIMI është mision, kush edukon do të lërë gjurmën e tij të pashlyeshme në shoqëri, ata që frymëzojnë përmes edukimit kthehen në legjenda, e pra unë do t’ia dedikoj EDUKIMIT! Ndoshta do të arrij të frymëzoj për t’u kthyer në legjendë.
(Intervistoi Nanila Allkja Biçaku, Portali Shkollor)
Si të përgjigjeni saktë në testimin me shkrim dhe me gojë (arsim)
Bukurie A Hajdarmataj: Letërsia dhe ndikimi i saj në formimin e karakterit të nxënësit
Përditësimi i kurrikulave, sugjerime nga eksperti i arsimit Fiqiri Çifliku