Nxënësit nga Kukësi-Veliajt: Na merr në juridiksion!
Shkolla e fshatit Morinë në Kukës nuk është në gjendje të mirë, nxënësit dhe mësuesit e shkollës kanë kërkuar ndihmë në institucionet përkatëse, por nuk kanë gjetur zgjidhje. Ata i kërkojnë ndihmë kryetarit të bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.
Një letër e pazakontë ka mbërritur në adresën e kryetarit të bashkisë së Tiranës Erion Veliaj. Letra është dërguar nga mësuesit dhe nxënësit e shkollës në fshatin Morinë të Bashkisë së Kukësit.
Letra e plotë:
Drejtuar: Kryetarit të Bashkisë Tiranë, z. Erion Veliaj
“Jemi një kolektiv i vogël mësues-nxënës në fshatin Morinë të Bashkisë Kukës, pikërisht aty ku bëhet prezantimi i parë i vendit tonë me Kosovën dhe me rajonin. Po bëjmë përpjekje të mira për rritjen e cilësisë së punës mësimore dhe edukative. Kemi parë e dëgjuar për ndryshimet e thella dhe impresionuese që keni bërë e po bëni për ditë në Bashkinë tuaj, të cilat janë tepër inkurajuese gjatë këtij viti të qeverisjes suaj. Ndaj ju përshëndesim dhe ju urojmë suksese të tjera.
Ndërsa tek ne ndodh e kundërta. Kemi një objekt shkollor të amortizuar skajshëm, me tavolina, stola e karrike të vjetëruara, për të cilat na vjen turp të përdoren nga nxënësit dhe mësuesit. Mungojnë gjërat elementare për zhvillimin normal të mësimit, gjë që ndikon negativisht në edukimin e nxënësve.
Kemi bërë përpjekje me banorët e fshatit dhe me disa firma ndërtimi, ju kemi kërkuar ndihmën e institucioneve, por nuk na është ofruar ndihma e nevojshme.
Ju lutemi, konsiderojeni shkollën tonë si pjesë të juridiksionit tuaj!
Besojmë shumë tek ndihma juaj.
Ju urojmë suksese!
Për kolektivin mësues-nxënës të shkollës 9-vjeçare Morinë, Kukës”.
Mësuesit dhe nxënësit e këtij fshati e kanë parë si një mundësi ndihmën nga kryebashkiaku i Tiranës, prandaj dhe i dërguan një letër.
Ky veprim tregon se sa shumë e duan arsimin mësuesit dhe nxënësit. Ata janë të gatshëm të bëjnë çdo gjë vetëm të mos mbeten të paarsimuar.
Letra u publikua nga “Shqiptarja.com”.
Letër e hapur për prindërit, mësuesit e institucionet: Për të mos neglizhuar asgjë në edukim!
Hartimi i projektit kurrikular
Kualifikimi i mësuesve sipas udhëzimit të ri