Nxënësit e klasave të 3-a dhe të 5-a, të dobët. Privati më mirë se publiku

Raporti i realizuar nga Agjencia Kombëtare e Provimeve në arsimin bazë jep të dhëna në nivel kombëtar për arritjet e nxënësve në shkollat publike dhe private

Ministria e Arsimit dhe Sportit në bashkëpunim me Unicef prezantoi sot, raportin publik “Mbi vlerësimin kombëtar të nxënësve të klasave të treta dhe të pesta”, i cili përcjell informacione mbi  njohuritë dhe aftësitë që nxënësi shqiptar merr sot në shkollë, në lëndët Gjuhë Shqipe, Matematikë, Dituri Natyre dhe Edukatë Qytetare.

Raporti i realizuar nga Agjencia Kombëtare e Provimeve në arsimin bazë jep të dhëna në nivel kombëtar për arritjet e nxënësve në shkollat publike dhe private si dhe për arritjet e nxënësve sipas përkatësisë gjinore, urbanizimit, etj.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla deklaroi se ky prezantim i raportit nuk është vetëm një raportin publik në emër të transparencës, por një raportim publik në emër të përgjegjësive të reja.

“Ky raport është një instrument që do të na shërbejë për të çuar drejt shkollës gjithçka që i ka munguar dhe që në këtë studim sot, prezantohet si mosarritje. Nga familje të varfra ose jo, në fshat ose qytet, djalë apo vajzë, nga familje rome apo jo është detyrimi ynë i përbashkët për të ofruar cilësinë më të mirë për arsimin që meritojnë fëmijët shqiptarë”, u shpreh Nikolla.

Ministrja shtoi se të thuash që ofruam tekste të Oxford, Cambridge, Pearson është shumë pak nëse kjo nuk shoqërohet me matje të përditshme, me ndryshime të përditshme në cilësinë e mësimdhënies në shkollat tona.

Në fjalën e saj, Ministrja Nikolla deklaroi se testimi kombëtar i nxënësve në klasë të pestë, i cili do të pilotohet këtë vit për herë të parë, do të mundësojë matjen e arritjeve të nxënësve, për të kaluar nga një nivel i sistemit në një tjetër, siç është provimi i klasës së 9-të dhe të 12-të.

“Përmes kampionit në klasat tre dhe pesë, ku është zhvilluar vlerësimi i nxënësve, ne do të hartojmë gjithë masat e nevojshme të ndërhyrjes në gjithë sistemin arsimor parauniversitar, duke bërë edhe një hap të ri me përfshirjen që këtë vit testimin kombëtar në klasën e pestë, si pilotim në gjithë shkollat e vendit e më pas për ta kthyer në sistem. Ky testim do të mundësojë matjen dhe përmirësimin e gjithë situatës që lidhet me arritjet e nxënësve dhe përafrimin e shkollës shqiptare me shkollat evropiane”, tha ministrja Nikolla.

Drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Provimeve, Rezana Vrapi, deklaroi se ky është viti i dytë që po realizohet ky vlerësim i cili po kthehet në një traditë shumë të rëndësishme për matjen e disa treguese të sistemit tonë arsimor.

“Ky vlerësim i kryer në bazë të standardeve ndërkombëtare është një nga mundësitë më të mira për të marrë informacion të vlefshëm dhe të besueshëm në lidhje me dukuritë dhe problemet e sistemit arsimor, të lidhura ngushtë me arritjet e nxënësve”, u shpreh Vrapi.

Përfaqësuesja e UNICEF për Shqipërinë, Antonella Scolamiero, gjatë fjalës së saj tha se UNICEF do të vazhdojë të mbështes politikat e MAS për përmirësimin e cilësisë së sistemit arsimor.

Përmbajtja e informacionit mbi arritjet e nxënësve në këtë vlerësim do t’i shërbejë Ministrisë së Arsimit dhe Sportit për hartimin e politikave arsimore dhe trajtimin e çështjeve të ndryshme në mënyrë që çdo nxënësi t’i ofrohet një shërbim arsimor sa më cilësor sipas nevojave, i cili mbështetet dhe vlerësohet mbi bazën e standardeve. 

Të dhëna: 

Statistikat tregojnë që arritjet e nxënësve në vlerësimin kombëtar të klasës së 3-të dhe të 5-të janë pranë nivelit mesatar të arritjeve. Vlerësimi i njohurive dhe aftësive të nxënësve të klasës së 3-të dhe të 5-të u bazua në vlerësimin e një kampioni përfaqësues nga popullata e nxënësve të këtyre klasave. Numri i shkollave të përzgjedhura për testim për klasën e pestë është 116, ndërsa për klasën e tretë është 105. Popullata e testuar e klasës së 5-të përfshin 3529 nxënës, ndërsa e klasës së 3-të 3506. Numri i nxënësve romë që morën pjesë në testim për klasën e 5-të ishte 47, prej të cilëve 17 ishin femra. Numri i nxënësve romë që morën pjesë në testim për klasën e 3-të ishte 81, prej të cilëve 40 janë femra.

Statistikat rreth arritjeve të nxënësve janë shprehur edhe sipas: urbanizimit qytet/fshat; sistemit të menaxhimit të shkollave publike/private dhe gjinisë femra/meshkuj. Paraqitja e këtyre statistikave lejon kryerjen analizave krahasuese ndërmjet kategorive të ndryshme. Të dhënat statistikore tregojnë që arritjet e nxënësve të qytetit janë më të larta se arritjet e nxënësve në fshat dhe arritjet e vajzave janë më të larta krahasuar me arritjet e djemve. Kjo na vë përballë sfidave në të ardhmen që kategorive të mësipërme t’u ofrojmë një shërbim sa më cilësor dhe të barabartë.

Statistikat flasin për tregues pozitivë që kanë të bëjnë me njohjen e mirë të të drejtave të fëmijëve nga ana e nxënësve, e cila ka një ndikim pozitiv në arritjet e tyre. Sa më shumë njohuri të kenë nxënësit rreth të drejtave, aq më të larta janë arritjet e tyre në shkollë. Nga të dhënat e përgjigjeve të nxënësve lidhur me njohjen apo mosnjohjen e të drejtave të fëmijëve rezulton se rreth 82% e nxënësve i njohin mirë të drejtat e tyre, 15.3% kanë dijeni për të drejtat e fëmijëve, ndërsa 3% nuk i njohin të drejtat e tyre. Nxënësit shfaqin kompetenca shumë të mira në edukimin me rregullat e qarkullimit rrugor, që është e lidhur direkt me aplikimin e përditshëm të këtyre njohurive gjatë lëvizjes nëpër qytet.

Statistikat tregojnë disa faktorë të rëndësishëm që ndikojnë në arritjet e nxënësve si: arsimimi dhe punësimi i prindërve, niveli ekonomik i familjeve të nxënësve, koha fizike që i duhet nxënësit për të shkuar në shkollë dhe rregulli i ndjekjes së shkollës nga ana e tyre.

2,628 Lexime
8 vjet më parë