Nxënësit e gjimnazit “Ismail Qemali” ekspozitë në ministri
“Jo Dhunës në Familje”. Me këtë tematikë nxënësit e gjimnazit “Ismail Qemali”, në kryeqytet, sollën ekspozitën e tyre në Ministrinë e Integrimit Europian.
Nën kujdesin e veçantë të Ministres, Klajda Gjosha, e cila ka në patronazh këtë shkollë, pikturat e nxënësve përcollën mesazhe të solidaritetit, respektimit të të drejtave të njeriut.
Të pranishëm në këtë aktivitet ishin nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Andi Seferi, drejtoresha e shkollës dhe mësuesit që u kujdesën për përgatitjen e kësaj ekspozite, e cila vjen në kuadër të 16 Ditëve Portokalli për rritjen e sensibilizimit ndaj fenomenit të Dhunës në Familje.
“Unë jam shumë e kënaqur dhe e emocionuar që si ish nxënëse e Ismail Qemalit, sot mirëpres këtë grup nxënësish të talentuar në Ministrinë e Integrimit, ku na japin kënaqësinë e kësaj ekspozite, me këto piktura të mrekullueshme, të realizuara me një tematikë kaq aktuale sa është ajo e Dhunës në Familje”, u shpreh Ministrja Gjosha.
Ministrja theksoi se ky është mesazhi më i mirë që mund të merret sot për çdo familje shqiptare. “Janë pikërisht këta të rinj, që sot na ftojnë për më shumë sensibilizim me pikturat e tyre. Nëpërmjet jush, artit tuaj ne sot shkojmë në çdo familje shqiptare, për më shumë solidaritet e dashuri, respekt të lirisë së tjetrit”, tha Ministrja Gjosha.
Ministrja së bashku me nënkryetarin e Bashkisë së Tiranës ofruan mbështetje maksimale për iniciativa të tilla, që përfshijnë të rinjtë, duke na bërë të gjithëve më të ndjeshëm ndaj fenomeneve sociale.
Modele testesh të zgjidhura për kandidatët që marrin pjesë në testimin "Mësues për Shqipërinë"
Shqetësime për efektivitetin e reformës në Zyrat Vendore të Arsimit Parauniversitar
Dosja e veprimtarive edukative në shkollë