Një votë për mësuesin!
“Nuk na duhen më shumë mure, më shumë shkolla, na duhen më shumë kushte për mësim dhe më shumë disiplinë, nëse jemi në kërkim të cilësisë!” - Opinion i shkruar nga Arieta Mjeku Azizi.
Jemi mësuar të mbrojmë vlerat e të padijshmit e t’ua mohojmë fjalën të dijshmëve. Jemi mësuar të mos i mbrojmë vlerat e atyre që, në vete përmbajnë vlera të pamohueshme dhe frytdhënëse. Si mund t’i “sulmojmë” vlerat e mësuesve tanë, kur që në fillim janë të nënçmuar nga vetë sistemi ynë arsimorë.
Si kemi fytyrë t’i përqeshim mësuesit, kur shumë prej tyre, me paratë e tyre printojnë fletë nëpër shtypshkronja/teste për fëmijët tanë, kur përgjegjësit e sistemit edukativo-arsimorë nuk janë në gjendje t’u sigurojnë printerë nëpër klasë, t’u krijojnë kushte më të mira, aty ku fëmijët rrinë ulur mbi 4 orë e mësuesit në këmbë mbi 5 orë.
Si mund të nënçmojmë mësuesit, kur në shkollat ku mbajnë mësim e u japin dije të ardhmes sonë duke i respektuar dhe duke iu përmbajtur në përpikëri kurrikulave të reja, nuk janë në gjendje t’i dëgjojnë dhe t’ua zgjidhin problemet me të cilat ata përballen çdo ditë.
Ata kanë, dërrasë të zezë, banka dhe karrige gjysmë të thyera, dysheme që ta zë frymën nga papastërtia dhe vjetërsia shumëvjeçare, sfungjerë për pastrim të dërrasës së zezë dhe insekte (bubashfaba) duke u ngjitur nëpër mure gjatë mbarëvajtjes së procesit mësimorë, kaq, kaq kanë ata, asgjë më shumë.
Mësuesit tanë tashmë nuk i kanë duart e lira për një edukim e arsimim më të mirë të fëmijëve derisa, prindërve u lejohet të kenë qasje shumë direkt në përzierjen e fokusit të tyre si psh: “mos e ul fëmijën tim me këtë fëmijën tjetër sepse ai nuk është i denjë për të,...” , "pse e qortove fëmijën tim sepse ai është një fëmijë perfekt….”, "pse nuk i ke tregu fëmijës tim që kemi këtë apo atë detyrë në shtëpi derisa, fëmijët tjetër po i tregon...”, “pse djali/vajza ime në shtëpi është i shkëlqyeshëm e në klasë nuk po di asgjë…”, “ti je mësues asgjë më shumë dhe nuk ke të drejtë ta qortosh asnjëherë fëmijën tim, sepse unë kam shumë besim në të dhe se ai asnjëherë nuk më gënjen mua, unë e njoh atë, e njoh sepse e kam fëmijë të shpirtit tim…" etj.
Disiplina nuk përkufizohet në këtë formë, është gabim! Vlerat që ka një mësues duhet të ngrihen. Derisa nuk mësohemi që mësuesin ta shohim si institucion, nuk do të kemi as sistem disiplinorë ( e që është shumë i nevojshëm të ketë qasje në shkollat tona).
Disiplina nuk nënkupton diktaturë, kuptojeni këtë.
Disiplina ka të bëjë me rregullin e shkruar apo të pashkruar.
Disiplina krijon lumturi dhe asnjëherë depresion dhe sjellje të çrregulluara të personalitetit.
Me aq sa kanë dhe me çka përballen çdo ditë, ia dalin mjaft mirë! Së pari, ata nuk paguhen njëjtë ashtu sikurse mësimdhënësit e cikleve të larta. Kush janë ata që flasin keq për mësues, a qysh në fillim i nënçmojnë duke i krahasuar dukshëm me mësimdhënës të cikleve të larta!
A nuk është baza e dijes klasa e parë deri në klasën e pestë!?
A nuk e kanë të njëjtin shkollim mësuesit dhe mësimdhënësit e cikleve të larta!?
A janë mësuesit më të padijshëm sesa mësimdhënësit që japin vetëm një lëndë mësimore ( pa nënçmime dhe me shumë respekt për ta)!?
A janë mësuesit ata që në të njëjtën kohë përveç dijes bazike, duhet të merren edhe me sjelljen e fëmijëve tanë!?
Apo, nxënës quhen vetëm ata që vijojnë mësimin nga klasa e gjashtë e lartë ( pa asnjë nënçmim për vlerat e tyre)!
Si mund t’u jepni pagë më të lartë një arsimtari që mbanë një lëndë mësimore, e t’i nënçmoni e t’i përbuzni ata që, përveç që duhet të merren me rritjen dhe sjelljen graduale të fëmijëve të vegjël, duhet t’i durojnë zhurmat e tyre me tinguj të stërzgjatur, duhet të shpjegojnë një numër mbi 30 herë, një fjalë me rrokje mbi 30 herë, disa fjali mbi 30 herë, zbritje e mbledhje numrash 30 herë, të dëgjojnë lexime me e pa kuptim, e sërish t’i udhëzojnë të vegjlit në rrugë të mbarë, etj.
Duhet të dimë se, vitet e para të jetës shkollore nuk janë vite vetëm të njohjes dhe mësimit të fëmijëve, por gjithsesi edhe krijimi i sjelljeve të mira dhe zhvillimi i karakterit të tyre.
A nuk i ka një mësues mbi 7/8 lëndë mësimore, me të cilat duhet të merren pothuajse çdo ditë!?
Ju lutem, nëse nuk e mëson tabelën e shumëzimit në klasën e dytë apo të tretë, atë nuk mund ta mësosh apo ta kuptosh mirë në klasën e gjashtë apo të shtatë. Besoni se është vonë, shumë vonë të mësosh shkrim e lexim në klasën e shtatë.
Baza e dijes është fillimi, asnjëherë fundi!
Mësuesve tanë po ua humbin vlerat, andaj të bëhemi bashkë në mbrojtjen e tyre. Vullneti i tyre, dije për fëmijët tanë! Mos i dekurajoni më shumë, krijoni kushte më të mira për ta, vullneti i tyre për mbarëvajtje të procesit mësimorë, nuk mungon! Nuk na duhen më shumë mure, më shumë shkolla, na duhen më shumë kushte për mësim dhe më shumë disiplinë, nëse jemi në kërkim të cilësisë!
Opinion nga Arieta Mjeku Azizi
(Portali Shkollor)
Tronditjet në shoqërinë tonë shqiptare/ Përse të rinjtë po rriten “të mbyllur” në një shoqëri të hapur?
Roli i mësuesit në zhvillimin e personalitetit të fëmijës
Dallimet midis shkollës tradicionale dhe shkollës moderne