Një përgjigje për Mimi Kodhelin, Alketa Ipeku: Unë jam mësuese, nuk jam TI!
Mos na fyeni inteligjencën Mimi ne jemi mësuese, jemi nëna. Ne edukojmë breza, po ju çfarë misioni keni? Nuk keni përballë kundërshtarët politikë me të cilët jeni mësuar t’i hidhni baltë njëri - tjetrit. Mos na fyeni. Na lini të punojmë të qetë.
Sapo dola nga bangat e universitetit fillova punën si mësuese. U bëra e tillë e më pas u bëra nënë. Ky profesion u rrit bashkë me fëmijën tim të parë. I rrita së bashku me misionin për të përçuar dije e dashuri.U përkujdesa se në çdo ditë të punës sime jo vetëm jepja po dhe merrja dije e dashuri. U mësoja nxënësve të donin gjuhën shqipe dhe letërsinë, sikurse u kam theksuar se mbi të gjitha duhet të bëhen njerëz, qytetarë të denjë për tëardhmen e vendit me të cilin i kam tëlidhura rrënjët fort. Kanë kaluar vite e breza nxënësish të cilët sot janë anembanë vendit e jashtë tij në profesione të ndryshme madje shumë prej tyre i kam kolegë dhe ndjehem krenare për çfarë u kam dhënë e kam marrë prej tyre. Jam ende mësuese me 19 vite punë mbi supe dhe e dua profesionin tim, emocionohem si ditën e parë të punës për çdo detyrë të realizuar bukur, shqetësohem nga çapkënllëqet e moshës së nxënësve, përlotem nga çdo urim apo fjalë e tyre po nuk e gjej dot veten në fjalët që thonë për mësuesit. Nuk di qëkur është paturpësi të kujdesesh për veten, të shkosh në parukeri, të bësh manikyr apo pedikyr dhe pse unë nuk jam tip i tillë. Nuk di që qëkur është krim të lyesh buzë e vetulla dhe pse mbaj mend qënë vegjëli (e nuk gjeje lehtë) mësueset e mia e përdornin buzëkuqin. Megjithatë doja të të thoja ca fjalë Mimi. Nuk ma nxë goja të të vë ndonjë titull. As të njoh e as më njeh po nuk mund të me fyesh në atë çka është më i shtrenjtë pas familjes po i rëndësishëm se me të e mbaj. Duhet të dini se keni ardhur në pushtet nga votat e shumë mësueseve anëtare të PS, nuk i njoh ato që të votuan ty, po ndjehem e privilegjuar për ato që njoh unë dhe aderojnë në forcën tënde politike. Janë fisnike e me halle mbi supe. Duhet të dini se me pagat e problemet që kanë, pjesa më e madhe e mësuesve e shohin parukierin kur duan të presin flokët se për t’i lyer , vetëshërbim. Ty ta mban xhepi ndoshta të ndërrosh modelin a bojën e flokëve sa herë të të teket. Duhet të dini se për veshjen ka një kod etike për mësuesit e nëse ka nga që nuk i zbatojnë ju kujtoj se keni gurin e arrën në dorë ndaj merrni masa. Duhet të dini që në qeverisjen tuaj na është lehtësuar puna e ditarit e kemi me copa letre sikurse na keni shtuar evidenca pa fund duke i hequr vlerën dokumentit zyrtar regjistrit. Duhet të dini që mësuesit përballen jo vetëm me fyerjet tuaja, po shpesh herë dhe nga ato të njerëzve të tjerë të pandërgjegjshëm e që Dispozitat Normative të hartuara nga specialistët tuaj e kanë lënë të pambrojtur. Duhet të dini që mësueset sot bëjnë dhe rolin e psikologut i cili mungon në shkolla (1 ditë në javë është e pamjaftueshme prania e tij në shkollë), po paradoksi qëndron në faktin se është pikërish ky i fundit që duhet të japë vlerësim për ne dhe pse na njeh veç si figurë. Duhet të dini se në më shumë se dy muaj karantinë, veç mësimit online, i kthyet mësuesit në regjisorë, montazhierë, aktorë dhe në një garë të pa shpallur mes njëri- tjetrit për video pavarësisht në e kishin teknologjinë e duhur a jo. Sa shumë duhet të dini se me çfarë përballen mësuesit sot! E ju që jeni të zgjedhura me votat tona, që flisni për barazinë gjinore, dhunën ndaj femrës sot fyet pikërisht gjininë tuaj. Ne nuk jemi ushtarake, jemi mësuese e vishemi e sillemi në përputhje me profesionin tonë. Jam mësuese dhe nuk e shoh veten larg mësuesisë, ndaj bëni mirë t’i pyesni mësueset me të cilat mund të keni kontakte qoftë dhe në kohë fushate se ndoshta mësoni pak më shumë për ne. Kolege e mike të miat mësuese, kudo jeni, njihemi ose jo. Mos e dhëntë zoti prekeni nga fjalët e Mimit e rrini pa u martuar ( ju beqaret) pa larë, pa krehur, pa lyer se do u dukemi nxënësve jashtëtokësore se ato/ata janë një hap para nesh. Shumë janë si fëmijët tanë, të tjerë në kufijtë e mbijetesës, e disa janë si fëmijët tuaj që s’u mungon asgjë dhe nuk e njohin tregun apo dyqanet e thjeshta, po veç ata firmato. Mos na fyeni inteligjencën Mimi ne jemi mësuese, jemi nëna. Ne edukojmë breza, po ju çfarë misioni keni? Nuk keni përballë kundërshtarët politikë me të cilët jeni mësuar t’i hidhni baltë njëri - tjetrit. Mos na fyeni. Na lini të punojmë të qetë, na krijoni kushtet në shkolla, na lini në hallet e problemet tona. Unë dhe gjithë koleget e mia do mbajmë gjithnjë titullin mësuese, po ju?! Ju do keni gjithmonë një “- ish” përpara .
Nga Alketa Ipeku
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Si të përgjigjeni saktë në testimin me shkrim dhe me gojë (arsim)
Në ndihmë të mësuesit kandidat ose praktikant
Rëndësia e bashkëpunimit mësues-prind për mirëqenien e fëmijës dhe për një proces të suksesshëm mësimor