Nis viti i ri shkollor, 29 mijë nxënës ulen në bankat e shkollës për herë të parë
Në të gjitha institucionet e arsimit parauniversitar ka nisur sot viti i ri shkollor 2023-2024. Për herë të parë në shkollë do të shkojnë rreth 29 mijë nxënës, ndërsa në klasat e 10-ta, rreth 27 mijë nxënës.
Sot nisi viti i ri shkollor 2023-2024. Rreth 29 mijë nxënës do të ulen në bankat e shkollës për herë të parë ndërsa në klasat e 10-ta rreth 27 mijë.
Këtë vit të ri shkollor kanë përfituar tekste falas të gjithë nxënësit e arsimit bazë nga klasë e parë deri në të 9-tën si edhe 16 kategori në nevojë, të veçanta në arsimin e mesëm.
Ata janë që nga statusi i jetimit, me vështirësi ekonomike në familje, nxënësit me aftësi të kufizuara, komuniteti rom dhe egjiptian, etj.
Risia këtë vit është se të gjithë nxënësit nga klasa e parë në të tretë, tekstet do të jenë falas me vetëm një përdorim, që do të thotë se nxënësit nuk e kanë detyrimin që në fund të vitit shkollor t’i dorëzojnë tekstet. Për shkak të moshës së vogël dhe vështirësisë që kanë për t’u kujdesur mirë për librin, por se shumë tekste janë me shënime dhe kjo bëhet e vështirë që nxënësit e brezit tjetër t’i përdorin.
Për herë të parë në këtë vit shkollorë, në klasë të parë janë pranuar edhe fëmijët që janë 5 vjeç por që brenda vitit do të mbushin 6.
Gjithashtu gjatë këtij viti shkollor përmes paketës “Siguria në shkolla” do të garantohet më shumë siguri e mbrojtje, për të parandaluar çdo lloj rreziku që mund t’i shfaqet nxënësve.
Krahas fëmijëve në sistemin arsimor janë edhe 31 mijë mësues, ndërsa procesi mësimor do të zhvillohet në 1700 shkolla të shpërndara në të gjithë vendin. Rreth 800 punonjës të shërbimit psiko-social janë në shërbim të nxënësve me numër të shtuar kabinetesh të shërbimit Psiko-Social, nga rreth 400 në rreth 560.
Klasat burimore për nxënësit me aftësi ndryshe, nga 120 bëhen 279 (rreth 280), ndërsa 100 shkollave ku ka laboratorë Smart (smartlab) do t’i shtohen këtë vit edhe 200 shkolla të tjera, të cilat së bashku me laboratorët shkencorë do ta rrisin më shumë cilësinë e mësimdhënies.
Sipari i vitit të ri arsimor në shkolla nis me himnin e flamurit
Ora e parë e mësimit në të gjitha shkollat e vendit ka nisur me himnin e flamurit duke çelur siparin e vitit të ri arsimor. Ministrja në detyrë e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi ka uruar nxënësit dhe mësuesit në nisje të vitit të ri arsimor. Kushi shprehet se himni kombëtar do të vijojë të këndohet çdo të hënë në të gjitha shkollat tona.
Më 19 janar të këtij viti, Ministria e Arsimit dhe Sportit mori vendimin për të kënduar Himnin çdo fillimjave në shkolla, i cili është pritur mirë nga nxënësit.
Udhëzimi për vitin shkollor 2023-2024
Në bazë të udhëzimit të Ministrisë së Arsimit, ky vit që nis në 11 shtator do të përfundojë në 14 qershor. Sa i takon pushimeve ato do të ndahen në dy periudha. Pushimet për rreth dy javë do të zhvillohen në muajin dhjetor, ndërsa 7 ditë të tjera janë planifikuar në javën e parë të Prillit. Sipas vendimeve të marra, provimet kombëtarë të arsimit bazë do të zhvillohen ndërmjet datave 17-18 Qershor. Nxënësit do të testohen në lëndët Matematikë, Gjuhë e Huaj dhe Gjuhë Shqipe.
Kaltra Tafani
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Udhëzuesi i përditësuar për mësimin në kushtet e shtëpisë
Letër e hapur për prindërit, mësuesit e institucionet: Për të mos neglizhuar asgjë në edukim!
Nis Programi Kombëtar i Zhvillimit Profesional të Mësuesve