Nis fushata e orientimit drejt arsimit profesional, Manastirliu nga Durrësi: Zgjedhja e zanatit, punë e sigurt
MAS ka nisur fushatën e orientimit drejt arsimit profesional. Nga shkolla e mesme profesionale “Hysen Çela“ në Durrës, ministrja Manastirliu është shprehur se zgjedhja e zanatit, ofron punë të sigurt, ndërkohë që ajo tha se qysh në klasat e gjashta do të krijohet bërthama e këshillimit të karrierës.
Ka nisur nga shkolla e mesme profesionale “Hysen Çela“ në Durrës, fushata e komunikimit intensiv të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, në bashkëpunim me Ministrisë e Financave dhe Ekonomisë, bashkitë, strukturat arsimore, mësues, nxënës dhe prindër, për orientimin e nxënësve drejt arsimit profesional, si rruga drejt punësimit të sigurt.
Ministrja e Arsimit dhe Sportit Ogerta Manastirliu, tha se ky komunikim intensiv do të shtrihet në të gjithë shkollat e vendit, për të orientuar nxënësit drejt arsimit profesional dhe marrjes së një zanati.
“Ne, si Ministri e Arsimit dhe Sportit kemi vendosur të bashkojmë forcat me gjithë strukturat, për t’i dhënë të gjithë nxënësve tanë dijet, njohuritë dhe aftësitë e duhura drejt punësimit të sigurt. Fushata që ne kemi nisur do të shtrihet në të gjitha qytetet e vendit dhe ka për objektiv që të informojë mësuesit, prindërit, nxënësit se sa i vlefshme është zgjedhja e një zanati, se sa e vlefshme është zgjedhja e një profesioni që në moshë të hershme”, - nënvizoi Ministrja Manastirliu.
Gjatë fjalës së saj, Ministrja e Arsimit dhe Sportit e vuri theksin tek fuqizimi i bërthamave të këshillimit të karrierës në shkolla. “Kemi vendosur që bërthama e këshillimit dhe drejtimit të karrierës në shkollë të mundet të operojë duke filluar nga klasa e gjashtë. Klasa e gjashtë, duke filluar nga ky vit, në kurrikulën e saj, do të ketë të përfshirë edhe orientimin e karrierës dhe kjo do të shtrihet edhe në klasën e shtatë, të tetë, përveç klasës së nëntë që aktualisht e ka këtë drejtim. Këshillimi i karrierës që në moshë të hershme do të përfshihet në mënyrë intensive në kurrikulën shkollore, në mënyrë që trinomi që ne kemi kaq të rëndësishëm: prind, nxënës, mësues, të mundet që të bashkërendojë edhe zhvillimin profesional të karrierës së çdo nxënësi”, -theksoi Ministrja Manastirliu.
Të pranishëm në aktivitet ishin edhe Kryetarja e Bashkisë së Durrësit, znj. Emiriana Sako, zv/Ministrja e Ekonomisë dhe Financave Olta Manjani, dhe përfaqësues të strukturave arsimore, të arsimit profesional, përfaqësues të biznesit, etj.
Zv/Ministrja e Financave dhe Ekonomisë nënvizoi rëndësinë e nxitjes së orientimit drejt arsimit profesional nga të gjithë strukturat . “Ministria e Financave dhe Ekonomisë si Ministria përgjegjëse për arsimin profesional dhe Ministria e Arsimit dhe Sportit si Ministria përgjegjëse për pjesën tjetër të sistemit arsimor në Shqipëri, tashmë kanë bashkërenduar energjinë dhe punën, në mënyrë që të rrisin vëmendjen dhe të promovojnë arsimin profesional”,- tha Manjani.
I pranishëm në këtë aktivitet ishte dhe përfaqësuesi i biznesit, Luan Bregasi, i cili u shpreh se për nxënësit e arsimit profesional, biznesi është i hapur dhe ofron mundësi të mëdha punësimi. “Trendi i orientimit të nxënësve drejt arsimit profesional është në rritje, biznesi e mbështet këtë projekt të qeverisë shqiptare dhe ne kemi sot shkolla dhe ambiente të shkëlqyera për arsimin profesional, çka tregon se e ardhmja e Shqipërisë është arsimi profesional. Ne ju shohim si uji i pakët ju nxënësit e arsimit profesional”, - u shpreh Bregai.
Durrësi është qyteti i parë ku ka nisur fushata e komunikimit të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit dhe Ministrisë e Financave dhe Ekonomisë me mësuesit, nxënësit dhe prindërit për orientimin drejt arsimit profesional, për të vijuar në të gjithë vendin. Në këtë aktivitet morën pjesë përfaqësues nga Ministria e Arsimit dhe Sportit, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Bashkia e Durrësit, përfaqësues të biznesit, drejtues dhe përfaqësues të drejtorisë arsimore dhe të arsimit profesional, nxënës dhe mësues të shkollave profesionale dhe shkollave të arsimit të përgjithshëm të qytetit të Durrësit. Komunikimi intensive për arsimin profesional do të vijojë në të gjithë vendin.
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Letër e hapur për prindërit, mësuesit e institucionet: Për të mos neglizhuar asgjë në edukim!
Hartimi i projektit kurrikular
Kualifikimi i mësuesve sipas udhëzimit të ri