MASR

Nikolla përuron gjimnazin e rikonstruktuar të Rrëshenit

Investimi që arrin shumën e 120 milionë lekëve është kryer sipas të gjitha standardeve evropiane, ku përveç ambienteve mësimore, shkolla është e pajisur me palestër dhe fusha të posaçme sportive.

Është përuruar në qytetin e Rrëshenit, përfundimi i punimeve për rikonstruksionin e Shkollës së Mesme të Përgjithshme të qytetit. Në aktivitet morën pjesë Ministrja e Arsimit, Rinisë dhe Sporteve, Znj. Lindita Nikolla dhe Kryetari i Bashkisë së Rrëshenit, Z. Ndrec Deda. Investimi që arrin shumën e 120 milionë lekëve është kryer sipas të gjitha standardeve evropiane, ku përveç ambienteve mësimore,  shkolla është e pajisur me palestër dhe fusha të posaçme sportive. 


Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Znj. Lindita Nikolla, pasi ka falënderuar pushtetin vendor për kryerjen e investimit, deklaroi se qeveria dhe MASR në veçanti do të ndërmarrin një sërë masash për të rritur cilësinë e shkollës,  por edhe transparencën e procesit mësimor.


“Unë do t’ ju përkrah dhe do jem krah jush për çdo kërkesë dhe nevojë tuajën: si biblioteka, mjete didaktike etj. Ne duam ta kthejmë shkollën në një pikë rëndese të komunitetit. 

Qeveria ka shpallur si prioritet mësuesit, e unë jam shumë e lumtur për këtë angazhim të Kryeministrit. Mësuesit janë heronjtë tanë dhe duhen çmuar e vlerësuar për tu dhënë peshën dhe vendin që meritojnë në shoqëri. Por ky është dhe angazhim e përgjegjësi për ju, ne do jemi aty krah jush për çdo gjë: kualifikim, mbështetje me rritjen e pagës, trajnime e aftësime dhe çdo gjë që do të përkthehet në arritje të nxënësve”, - tha Znj. Nikolla.


Duke e zbërthyer me detaje reformën e re në strukturën e Arsimit Parauniversitar, Ministrja Nikolla deklaroi se kjo reformë ka dy komponentë: transparencën dhe pjesëmarrjen e prindërve direkt në procesin e mësimdhënies, si dhe inspektimin e vazhdueshëm dhe rritjen e cilësisë së mësuesve. Në lidhje me transparencën, Znj. Nikolla deklaroi se: 


“Reforma në arsim është mision, nuk ka reformë në arsim nëse ka mësues që dhunojnë apo që shkelin etikën. Nuk mund të pretendojmë se ofrojmë standard evropian të cilësisë në arsim, nëse nuk kemi mësues të atyre standardeve. Brenda nëntorit ne do të ofrojmë një instrument në duart e prindërve për të denoncuar dhe për tu paraprirë problematikave që shfaqen në ambientet e shkollave tona. Ne nuk mund të lejojmë që shfaqje banale të një apo dy mësuesve, të jenë fytyra e arsimit”.


Në lidhje me rritjen e niveleve të mësuesve, Ministrja e Arsimit, Sporteve dhe Rinisë, theksoi se nuk do të ketë më blerje të krediteve me lekë nga mësuesit, por do të ngrihet një strukturë e re dhe me standarde evropiane që do të trajnojë arsimtarët.


“Zyrat arsimore do të ristrukturohen thelbësisht, do ju rikthejmë inspektimin, si dhe do të ngremë në nivel rajonal një sistem inspektimi. Nuk mund të lejojmë, që të rrëshqasin problemet pa i vënë re. Ndarja dhe organizimi i ri do të sjellë një nivel të lartë transparence,  efiçencë dhe përgjegjshmëri institucionale”, - tha ministrja. 


Znj. Nikolla, gjithashtu ka bërë të ditur edhe një nga objektivat e reja që ka vënë Ministria, për të lehtësuar ngarkesën si për nxënësit, por në veçanti për familjet.


“Një tjetër angazhim yni është t'u ofrojmë fëmijëve mundësinë të përgatisin detyrat e shtëpisë në shkollë, ky është një angazhim i ri i yni për të ofruar barazi në përgatitjen arsimore për ditën e nesërme”, - theksoi ministrja, e cila elaboroi më me detaje përsosjen e shkollës si qendër komunitare, ku prindërit do të përfshihen në procesin e përzgjedhjes së teksteve dhe funksionimit të shkollës.


Ndërsa kryetari i Bashkisë së Mirditës, z. Ndrec Dedaj, u shpreh se gjimnazi është shprehje tjetër e vizionit për arsimin dhe edukimin e fëmijëve. Kryebashkiaku i Mirditës në fjalën e tij bëri edhe një thirrje për stafin e mësuesve, nxënësve dhe prindërve të këtij gjimnazi.


"Është një shkollë me standarde europiane. I bëj thirrje mësuesve, nxënësve dhe prindërve të këtij gjimnazi që me këtë investim europian të sillemi në mënyrë europiane në mënyrë që ta mirëmbajmë këtë shtëpi të përbashkët të dijes."


(Portali Shkollor)

2,848 Lexime
7 vjet më parë