Në shkollën "Scanderbeg Parma" nxënësit mësojnë me abetaren e ALBAS-it

Në shkollën shqipe "Scanderbeg Parma" nxënësit e klasës së parë mësojnë me abetaren e shtëpisë botuese ALBAS

Në shkollën shqipe "Scanderbeg Parma" nxënësit e klasës së parë mësojnë me abetaren e shtëpisë botuese ALBAS. Nxënësit dhe mësuesit janë të kënaqur me tekstin prandaj kanë vendosur të mësojnë me librat tanë.

Zonja e Parë e Shqipërisë Odeta Nishani vizitoi shkollën shqipe "Scanderbeg Parma" e shoqëruar nga presidenti i shoqatës zoti Shpendi Ndreu. Zonja Nishani u prit në ambientet e shkollës shqipe nga stafi pedagogjik i shkollës. Përgjegjesi i shkollës zoti Durim Lika i shoqëruar nga mësueset i uroi mirëseardhjen zonjës Nishani duke e njohur me historinë, sukseset dhe problemet e shkollës.

Zonja Nishani e emocionuar falenderoi të gjithë të pranishmit dhe i uroi nxënësve vazhdimësi në trashëgiminë e vlerave kombëtare. Nxënësit për nderin e zonjës Nishani kënduan himnin shqiptar, recituan dhe u përgjigjën disa pyetje nga mësuesit e tyre.

Nga këshilli pedagogjik i shkollës iu kërkua:

Krijimi i një portali me informacione elektronike për abetaren, gjuhën, letërsinë, historinë, gjeografinë, muzikën dhe traditat shqiptare ku cilido mund të shkarkojë materiale të tilla për përdorim në klasë apo në shtëpi. Kjo aq më tepër që gjuha shqipe bashkon kombin shqiptar të coptuar në shumë shtete bashkë me numrin e lartë të emigrantëve në të gjithë botën.

Dhurimi i një biblioteke me veprat më të rëndësishme të shkrimtarëve të trojeve shqiptare.

Zv. presidentja e shoqatës zonja. Vojsava Tahiraj i kërkoi Zonjës së parë që shkolla të njihet dhe kordinohet në shkallë shtetërore në Shqipëri dhe në vendet ku jetojnë emigrantët. Kryetarja e qendrës “Laboratorio Famiglia” zonja Alida Guatri falenderoi Zonjën e Parë për vizitën dhe theksoi rëndësinë e komunitetit shqiptar.

1,864 Lexime
8 vjet më parë