Digjitalizimi dhe një orë me “deputetët” e klasës së 10-B

Stafi i Portalit Shkollor ishte në Shkodër për të parë nga afër se si po ecën procesi mësimor në klasat digjitale. Synimi ynë është t’u gjendemi pranë mësuesve dhe nxënësve dhe t’u ofrojmë asistencën tonë aty ku ata kanë hasur vështirësi.

Në drejtorinë e shkollës na pret drejtoresha Albana Bushati. Që në komunikimin e parë telefonik ajo na uroi mirëseardhjen, por e thënë nga afër “mirëseardhja” duket më e ngrohtë. Në këtë shkollë procesi i digjitalizimit është mirëpritur nga mësuesit dhe nxënësit.

Ne ishim të pranishëm në një orë mësimi në klasën e 10-B. Nxënësit janë të dashur, kuriozë dhe shumë të komunikueshëm. Ajo çka vihet re është dëshira e tyre e madhe për komunikuar dhe për të mësuar gjëra të reja, por dhe harmonia mes tyre është për t’u admiruar.

Shikojeni këtë djalë në foto. Mbase nuk do ta besoni, por ky është bashkëpunëtori i Portalit Shkollor. Ogert Ogi na tregoi se dëshiron të bëhet gazetar dhe ne e ftuam të jetë pjesë e stafit tonë. Është një djalë i zgjuar dhe presim shkrime të mirë nga ai.

Në mesin e 36 nxënësve të kësaj klase dy nxënësit me rezultate më të larta në mësime janë Migena Bajraktori dhe Albi Çulaj, ky i fundit është edhe senatori i klasës. Në mur është e vendosur një pikturë e cila na tërhoqi vëmendjen. Është pikturuar Nënë Tereza dhe ky punim është realizuar nga Indira Sheqi, nxënëse e kësaj klase.

Do të qëndronim gjatë në këtë klasë me këta nxënës të mrekullueshëm të cilët nuk të lënë të mërzitesh, por ata bëhen serioz pasi sapo bie zilja, kujtohen për orën e ardhshme. Në orar këtë orë kanë matematikë. Ju do mendoni se ata nuk e duan këtë orë dhe do na kërkojnë të qëndrojmë dhe pak mjafton që të shmangin këtë orë mësimi, por në fakt e keni gabim. Ata vlerësojnë çdo orë mësimi dhe tani është koha e shifrave, e formulave...

Ne ju urojmë suksese në mësime të gjithë nxënësve, apo siç ata vetëquhen me shaka“deputët e klasës së 10-B”. E di, sapo të dëgjoni fjalën parlament do mendoni për opozitën. Epo po ua shuajmë kureshtjen, opozita janë mësuesit, mazhoranca janë nxënësit. E më tej rolet janë të ndara, të gjithë janë deputet por ka ministra, këshilltarë...  Zgjedhje e zgjuar!

2,679 Lexime
8 vjet më parë