“Në shkollë çdo ditë gdhend e rrënjos pjesë nga vetja”
Të drejtosh një shkollë është art më vete, sepse çdo ditë gdhend dhe rrënjos pjesë nga vetja, pjesë nga shpirti dhe qënia jote. Është art për të cilin duhet të punosh e ta mishërosh në fillim dhe më pas ai punon e udhëzon vet për ty
Suzana Rama, drejtoreshë e shkollës “Numani” në Fier, gjatë një interviste për Portalin Shkollor, tregon sfidat e një udhëheqësi profesionist në shkollë, marrëdhëniet me nxënësit, mësuesit dhe prindërit.
Çfarë do të thotë për ju të drejtoni një shkollë?
Së pari, dua t’ju falenderoj për intervistën dhe për interesin që keni treguar. Të drejtosh një shkollë është art më vete, sepse çdo ditë gdhend dhe rrënjos pjesë nga vetja, pjesë nga shpirti dhe qënia jote. Është art për të cilin duhet të punosh e ta mishirosh në fillim dhe më pas ai punon e udhëzon vet për ty. Synimi kryesor i drejtuesit të shkollës është të sigurojë drejtim dhe menaxhim profesional, me synim rritjen e suksesit të shkollës. Drejtuesi është përgjegjës për krijimin e një mjedisi edukativ, nxitës, motivues e produktiv për stafin, nxënësit po ashtu dhe për partnerin e pandashëm që është prindi. Drejtuesi është udhëheqës profesional në shkollë dhe së bashku me të tëra organizmat që veprojnë në të është përgjegjës për:
- Krijimie vizionit, përmbushjen e misionit dhe vendosjen e një drejtimi strategjik për shkollën.
- Interpretimin korrekt të legjislacionit aktual shkollor.
- Menaxhimin e ndryshimit dhe planifikimin për të ardhmen e shkollës.
- Sigurimin e suksesit dhe përmirësimit të shkollës nëpërmjet vetëvlerësimit.
- Sigurimin e cilësisë së lartë në mësimdhënie e në të nxënit e të gjithë nxënësve.
- Garantimin e mundësive të barabarta për të gjithë.
- Sigurimin e përkrahjes së komunitetit të gjerë të shkollës.
- Zhvillimin e vet profesional dhe të të gjithë stafit të shkollës.
Cila është vështirësia më e madhe gjatë punës tuaj?
E vetmja vështirësi që has gjatë gjithë punës është reflektimi që më duhet të bëj gjithmonë mbi:
- A kam bërë maksimumin tim apo ka akoma më tepër?
- A kam cënuar padashje të drejtat e personazheve të shkollës apo jo?
Mendime si këto më rrahin tërë kohën në kokë për të më kujtuar se gjithmonë duhet dhënë më e mira e mundshme.
E mbani mend ditën e parë të punës?
Ka qënë dita më e bukur dhe me më shumë emocione, por e shoqëruar dhe me shumë pikëpyetje nga ana tjetër. Si do t’ju dukem nxënësve ditën e parë? A do të jem në lartësinë e duhur për ta? Po në kolektiv a do të di të integrohem? Por këto pikëpyetje me punën e palodhshme dhe përvojën e gjatë u zhdukën njëra pas tjetrës.
Çfarë kërkoni ju nga mësuesit?
Nga mësuesit kërkoj të jenë të ndërgjegjshëm, të japin maksimumin e tyre, që të nxjerrin orë me cilësi dhe rendiment të lartë dhe po ashtu të dinë të vjelin frytet e punës së tyre nëpërmjet artit të bukur e frytdhënës të komunikimit e mësimdhënies, të dinë të falin dashuri dhe respekt jo vetëm tek nxënësit e prindërit, por edhe midis kolegëve duke krijuar kështu një frymë të mirë bashkëpunimi. Mësuesi duhet gjithmonë të ecë me të renë duke e gërshetuar me përvojën dhe traditën.
Si është marrëdhënia juaj me nxënësit? Po me prindërit?
Përgjigjen e kësaj pyetjeje e marr çdo mëngjes tek përqafimet e fëmijëve, tek lulet e freskëta që më dhurojnë dhe tek falënderimet e sinqerta që ata falin kur mbarojnë një cikël shkollor e u duhet të largohen. Si me nxënësit, ashtu dhe me prindërit marrëdhëniet janë shumë të mira. Sidomos roli i prindërve në shkollën tonë ndihet së tepërmi dhe shpaloset ndjeshëm në aktivitete dhe projekte shkollore. Është një trinom i pandashëm ky mësues-nxënës-prind që të shoqëron gjatë gjithë jetës shkollore, hap pas hapi, dhe në themel të këtij bashkëpunimi gjendet dhe suksesi i shkollës tonë.
Cili është mesazhi që ju u përcillni sot nxënësve dhe mësuesve nëpërmjet Portalit Shkollor?
Mesazhi që dua t’u jap si mësuesve, ashtu edhe nxënësve është: të jenë në radhë të parë qytetarë të denjë dhe që asnjëherë të mos shkëputen nga dija, nga pasioni dhe kurioziteti për të renë dhe leximi i përhershëm i literaturave të ndryshme qofshin këto shkollore apo jashtëshkollore. Mësuesit dhe nxënësit duhet të dinë ta bëjnë të veten të renë dixhitale duke qenë kështu bashkëkohorë dhe të aftë për të përballur çdo vështirësi që iu del gjatë rrugës. Dixhitalizimi i mësimdhënies është një nga metodat më frytdhënëse në artin e bukur të mësimdhënies dhe mësimnxënies.
Suzana Rama, mësuese e gjuhës dhe letërsisë, drejtoreshë e kopshtit, shkollës 9-vjeçare dhe të mesme “Numani” në Fier.
(Albina Hoxhaj, Portali Shkollor)
Letër e hapur për prindërit, mësuesit e institucionet: Për të mos neglizhuar asgjë në edukim!
Hartimi i projektit kurrikular
Kualifikimi i mësuesve sipas udhëzimit të ri