Analizë

Në klasë të parë pa mbushur 6 vjeç?

Regjistrimi i fëmijëve në klasën e parë është kthyer në shqetësim për mijëra prindër. Ende nuk është marrë vendim ligjor për propozimin e qeverisë që fëmijët e moshës 5 vjeç, të cilët mbushin 6 brenda dhjetorit mund të futen në klasë të parë që në shtator. Analiza e mëposhtme trajton pasojat e çështjes.

Kohët e fundit autoritetet arsimore kanë urdhëruar shkollat të mos pranojnë regjistrimin në klasën e parë të fëmijëve që nuk kanë mbushur 6 vjeç ose të kthejnë në parashkollor ata që janë regjistruar tashmë edhe pse nuk i kishin mbushur 6 vjeç në shtator. Ky vendim, jo i ri në fakt, ka ngjallur shqetësime të mëdha e të kuptueshme mes prindërve. 


Nëse një fëmijë është mjaftueshëm i zhvilluar, por mbush 6 vjeç, ta zëmë, në tetor apo nëntor, a duhet penguar për t’u regjistruar në klasë të parë megjithëse niveli i tij është i njëjtë apo ndoshta edhe më i lartë se i 6-vjeçarëve të tjerë?  


Në realitet shkollat i grupojnë nxënësit thjesht sipas moshës, por dihet se niveli i zhvillimit intelektual të fëmijës nuk varet ekskluzivisht nga mosha, por edhe nga faktorë të tjerë. Kështu për shembull një fëmijë 5 vjeçar i rritur në një mjedis nxitës për të mësuar me shumë gjasa është më i përgatitur sesa një 7 vjeçar i cili është rritur në një mjedis dekurajues, përfshirë edhe ndjekjen e një shkolle që eventualisht i ka ofruar shumë pak në mësimdhënie. Le të marrim një rast që është qartësisht i dukshëm. Sot kemi 5 vjeçarë që e flasin anglishten praktikisht si gjuhë të nënës dhe nga ana tjetër kemi edhe maturantë apo studentë që nuk dinë asnjë fjalë anglisht. E njëjta gjë mund të mendohet edhe në fusha të tjera të dijes. Familje të ndryshme investojnë në mënyrë dhe nivele të ndryshme te fëmijët. Rezultati është i parashikueshëm: disa fëmijë janë më të përgatitur për klasën e parë sesa të tjerët, në anglisht, matematikë, etj, etj.  


Problemi i parë me vendimin e mbajtjes së kufirit të ngurtë është ai i përsëritjes së vitit shkollor për qindra nxënës të cilët aktualisht janë në klasën e parë dhe nuk kishin mbushur 6 vjeç në shtator 2022.

Ndërprerja e klasës së parë dhe rikthimi në parashkollor do të shkaktonte një traumë të rëndë psikologjike për ta. Nga ana tjetër, këta fëmijë do të detyrohen të përsërisin një vit shkollor të një niveli më të ulët. Të njëjtën traumë do të përjetojnë edhe fëmijët të cilën janë regjistruar në parashkollor pa mbushur 5 vjeç, sepse në fund të vitit do të detyrohen të përsërisin parashkollorin. Nëse mbledh të dy kategoritë në Shqipëri duhet të jenë me mijëra raste të tilla.  


Studimet e shumta në botë kanë vërtetuar me kohë se një fëmijë më i përparuar se të tjerët ka një probabilitet shumë të lartë për t’u ftohur me shkollën dhe për të rënë në mësime sesa një fëmijë i zakonshëm. Paradoksalisht ata që bien më lehtë nga mësimet nuk janë vetëm ata që nuk ndjekin dot ritmin e të tjerëve, por edhe ata që e tejkalojnë atë ritëm dhe u duket tepër i ngadalshëm. Përfytyroni, për shembull, sikur jeni mjek dhe një ditë ju urdhërojnë të bëni punën e infermierit (me gjithë respektin për infermierët).  


Në shumicën e vendeve perëndimore madje ekziston edhe praktika e kapërcimit të viteve. Kështu për shembull në Francë, një komision i veçantë përcakton përmes një testi, nëse fëmija mund të kapërcejë një klasë duke kaluar, ta zemë, nga klasa e dytë në klasën e katërt. Në SHBA kjo procedurë zhvillohet përmes protokolli të quajtur Iowa Acceleration Scale që u mundëson shkollave të testojnë dhe përcaktojnë nivelin e nxënësit dhe eventualisht kalimin në një klasë specifike më të lartë se ajo që i takon moshës së tij.  


Një nga alternativat e kapërcimit të klasave është edhe ajo që quhet “Ability Grouping” ose “Grupimi sipas aftësive”. Është fjala për ndarjen e nxënësve në grupe mësimi sipas kriterit të nivelit të tyre brenda një klase. Në kushtet e Shqipërisë kjo është e pamundur, sepse do të kërkonte qindra, në mos mijëra mësues shtesë. Krijimi i grupeve brenda një klase nga i njëjti mësues do të ishte i pamundur sepse do të përgjysmonte kohën e mësuesit për secilin nxënës dhe do të dëmtonte rëndë rendimentin e punës së tij. 

 

Në rastin e Shqipërisë nuk bëhet fjalë për kapërcim klase, por thjesht për lejimin e vijimit të vitit shkollor të nxënësve që janë thjesht 2-3 muaj më të vegjël se të tjerët, por duke qenë plotësisht të aftë për të përballuar nivelin. Në fund të fundit nuk ka asnjë prind aq të papërgjegjshëm sa të regjistrojë fëmijën e tij në klasë të parë nëse e di se nuk është gati për të.  


Këto janë arsyet kryesore përse një vendim i tillë duhet peshuar me shumë kujdes për të shmangur dëme të konsiderueshme dhe me pasoja afatgjata te të vegjlit tanë.  


Nanila Allkja Biçaku 

© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

4,114 Lexime
1 vit më parë