Natasha Shuteriqi Poroçani: Vëllimi i dytë i librit "Bëmat e Estes dhe Kokosë" vjen me një nivel tjetër rrëfimi
Shtëpia botuese "Albas", sjell për lexuesit e vegjël, vëllimin e dytë të librit "Bëmat e Estes dhe Kokosë" me autore Natasha Shuteriqi Poroçani. Mbi risitë dhe surprizat e vëllimit të dytë na flet vetë autorja në një intervistë për Portalin Shkollor.
Shtëpia botuese "Albas", sjell për lexuesit e vegjël, vëllimin e dytë të librit "Bëmat e Estes dhe Kokosë" me autore Natasha Shuteriqi Poroçani. Mbi risitë dhe surprizat e vëllimit të dytë na flet vetë autorja në një intervistë për Portalin Shkollor.
- Cili ishte frymëzimi për të shkruar librin "Bëmat e Estes dhe Kokosë"?
Për të shkruar letërsi për fëmijë ka qenë që herët një dëshirë dhe pasion i imi. Gjithçka besoj vjen nga dashuria që unë kam për ta. Janë ëmbëlsi, dashuri dhe frymëmarrje. Unë asnjëherë s’do resht së menduari për mënyrën se si ta çoj fjalën e bukur te fëmijët. Kjo më jep një lloj qetësije dhe paqeje, pa të cilën tashmë nuk bëj dot.
Por ka edhe një arsy personale: janë tri nipërit e mi, të cilët kanë qenë burim frymëzimi me përditshmërinë e tyre. Ata rriten çdo ditë mes dashurive dhe bëmave që mosha ua shfaq aq të bukura e aq të natyrshme. Këtë natyrshmëri kam dashur edhe unë të përcjell në "Bëmat e Estes dhe Kokosë", që në fakt janë bëmat e të gjithë fëmijëve, pa asnjë dallim.
- Dimë se vëllimi i parë pati një sukses të jashtëzakonshëm, cili ishte "sekreti"?
Mendoj se sekreti pikë së pari qëndron te sfida që unë ndjeva ndërsa shkruaja: është shumë e vështirë të konkurosh me fantazinë e fëmijëve dhe sidomos me gjuhën e tyre.
Jam përpjekur të jem aftër modeleve dhe etapave evolutive të fëmijës. Në këtë mënyrë besoj jam pranuar lehtësisht nga ata. Së dyti ka qenë një sprovë jo pak e lehtë gjetja e mekanizmave gjuhësorë për të vajtur te fëmijët. Jam përpjekur të mendoj dhe flas si ata, por edhe të aktivizoj fjalor të pasur, i cili sot për fat të keq, po limitohet për shkak të mënyrave të sipërfaqshme me të cilat po operojnë jo vetëm fëmijët.
Dhe së treti, më besoni kisha kritikë të rreptë. Sapo e mbaroja një rrëfim, ia lexoja nipërve të mi, të cilët jo vetëm më kërkonin shpjegime për sa nuk kuptonin, por edhe më jepnin vërejtjet e tyre për gjithçka që nuk u vinte e saktë në vesh a në mendime.
- A mendoni se vëllimi i dytë do i rrëmbejë zemrat e të vegjëlve ashtu si vëllimi i parë?
Shpresoj shumë që edhe i dyti të ketë fatin e të parit. Këtu humori është edhe më i plotë, më gjithpërfshirës. Personazhet janë një vit më të rritur dhe bëmat e tyre kanë një nuancë më të bukur e më gazmore. Por edhe mesazhet jam përpjekur t’ua jap edhe më të fshehura, që të mos tingëllojnë si moralizime.
- Si është i ndërtuar vëllimi i dytë, sepse nga titulli protagonistët janë të njejtët. Pra, cila është risia e këtij vëllimi?
Siç edhe e përmenda, personazhet janë më të rritur dhe kanë një nivle tjetër rrëfimi. Jam përpjekur të krijoj një raport më të sofistikuar midis fëmijëve dhe prindërve, ku kam vendosur si prioritet marrëdhënien: e drejtë dhe përgjëgjësi.
Veç kësaj, kam marrë përsipër modestisht, të zgjoj fjalët e fjetura. Në vëllimin e parë vetëm sa e kam cekur këtë problem. Në këtë vëllim janë më të thelluara ushtrimet gjuhësore, të cilat ngacmojnë fjalorin pasiv dhe shtojnë risi në komunikim.
- A do jetë libri i pasjisur me një aparat pedagogjik? Cila është rëndësia e tij?
Sigurisht që tashmë është në stilin tim të punës paisja e librave për fëmijë me aparate pedagogjike. Mendoj që kjo është dosmosdoshmëri për këtë lloj letërsie, sepse nxit te fëmija përqëndrimin, mendimin kritik dhe vetëvlerësimin. Për më tepër, nëse bazohemi te standartet kurrikulare shkollore mbi aftësitë që duhet të fitojë fëmija deri në klasë të 5, ato janë të lexuarit dhe të kuptuarit e teksteve. Ndaj mendoj se kjo është vlerë e shtuar për librin.
- Do të krijoni sërish kënde dhe klube leximi në mënyrë që të vegjëlit të njihen dhe të diskutojnë rreth vëllimit të dytë?
Në fakt kam nisur të lexoj në “klube leximi” siç i quaj unë. Është shumë këndshëm sepse ti e prek emocionin drejtpërsëdrejti. Sheh fytyrat e fëmijëve, lexon mendimet e tyre dhe je para pyetjeve e kritikave që nuk t’i kursejnë fare.
- Finesa, humori dhe pasioni ju shoqëron gjithnjë në krijimtarinë tuaj. Kjo është një nga arsyet e suksesit tuaj. A keni diçka tjetër ndër duar, të cilën mund ta ndani me ne?
Duke qenë se brenda këtij viti unë pata dy botime për fëmijë: Splash, një vëllim me poezi që u botua në qershor dhe tani Bëmat e Estes dhe Kokosë 2, mendoj që kam nevojë për një kohë refleksioni ndaj asaj që kam shkruar.
Ju faleminderit!
(Intervistoi P.Shtini; Portali Shkollor)
Teste për vetëkontroll dhe teste për vetëvlerësim
“Fshesarja e Republikës”, Anisa Markarian rrëfehet për romanin e saj të ri
"Më quajnë Nexhmije Pagarusha", intervistë me autoren Meliza Krasniqi