Botim i ri

“Nata e Ustikës” nga Petro Marko, botimi i ri i ALBAS

Romani “Nata e Ustikës” nga shkrimtari shqiptar Petro Marko, është botimi më i ri i ALBAS, në vazhdën e ribotimeve të kolanës së këtij autori. Në këtë vepër, ai ofron një pasqyrë të jetës së rëndë dhe të vuajtjeve të të burgosurve politikë shqiptarë dhe të tjerëve që ndodheshin në ishullin famëkeq të Ustikës.

Ngjarjet në këtë roman zhvillohen në ishullin famëkeq të Ustikës (në veri të Sicilisë). Ky roman është një sintezë e kalvarit të mundimeve të qindra të burgosurve me kombësi të ndryshme, mes tyre edhe mjaft shqiptarë. Në këtë mjedis të zymtë do të ndriçojë dashuria e Andreas dhe Sonjës.   


Rrëfimi bëhet në vetën e parë, gjatë të cilit ndërthuren mjeshtërisht dhe natyrshëm mendimet e protagonistit kryesor (lehtësisht i identifikueshëm si autori), që zbërthejnë edhe më shumë ndjesitë e tij të brendshme.

 


 

* * *


As unë nuk e di se ç’ndjeva, kur dëgjova të shqiptohej emri im nga goja e një vajze. Isha mësuar të dëgjoja emrin tim nga goja e karabinierëve: “Andrea Bora, gati për hetuesinë!”, nga goja e gardianëve: “Andrea Bora, takim!”, nga goja e oficerëve të kuesturës “Adrea Bora, fol!”... 


... Sonja dhe unë dhe deti e qielli... Qielli e deti e unë e Sonja... dhe i hodha dorën në flokë. Dhe ajo, ngadalë, mbylli sytë e unë e putha aq shumë sa, kur u përmendëm, pa menduar fare, i thashë: – Kjo është e nesërmja jonë... Kjo! – dhe e putha përsëri... Dola në kuvertë. Qielli ishte plot me yje. Dallgët përplaseshin. Era e vjeshtës së parë fishkëllente në katart. Vjeshta e parë... Prekja e parë e duarve të panjohura... Nata e fundit me të... Vapori i zi çante dallgët. Era më rrihte fytyrën. Po ktheheshim. Larg ishin brigjet e Shqipërisë. Ne e njohim fytyrën e saj. Si fytyrën e nënës. Po ajo, a do të na njohë? Se ne po kthehemi nga ferri dhe ferri, ndoshta, na ka shpërfytyruar. A do të na njohë, vallë?



Shënim: Librin e gjeni në libraritë fizike Albas (Tiranë, Prishtinë, Tetovë, Preshevë) dhe online në këtë link; gjithashtu shumë shpejt edhe në Panairin e Librit.


© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

906 Lexime
2 muaj më parë