Vëzhgim

Nanila Allkja Biçaku: Ndryshimet e ligjit në arsimin parauniversitar, çfarë duan realisht mësuesit

A po pyeten mësuesit për sugjerimet që ata kanë në lidhje me ndryshimet që do të ndodhin në ligjin e arsimit parauniversitar? Në Portalin Shkollor, PO. Nga vëzhgimi ynë, mësuesit, si zbatuesit kryesorë të ligjeve, na i kanë thënë pikë për pikë se çfarë është e rëndësishme të ndodhë në shkollat në Shqipëri.

Kjo periudhë në fushën e arsimit po përkon me ndryshime të reja në ligjin e arsimit parauniversitar. Dikasteri i MAS-it ka lajmëruar tashmë disa prej tyre, të cilat do të zbatohen në vitin e ardhshëm shkollor 2022-2023, ndërkohë që po vijohet me konsultimet publike. Procesi sigurisht që kërkon pak kohë dhe padyshim pjesë e tij duhet të jenë edhe mësuesit, “motori” i vërtetë i cili vë në lëvizje një nga hallkat më të rëndësishme të shoqërisë, arsimimin dhe edukimin e brezave të rinj. 


Por, a po pyeten mësuesit për sugjerimet që ata kanë? 


Edhe pse për arsimtarët kjo periudhë përkon me pushimet e gjata të verës, gjithsesi atyre nuk u kanë shpëtuar risitë që kanë ndodhur ose që duhet të ndodhin në ligjin për arsimin parauniversitar. 

Portali Shkollor Albas, si një media e pavarur online, kushtuar tërësisht arsimit, iu është gjendur gjithmonë pranë mësuesve, duke i mbajtur në koherencë me gjithçka ndodh në fushën ku ata operojnë. Por informimi nuk është e vetmja anë. Portali Shkollor u ka ofruar atyre ndihmë konkrete për zbatueshmërinë e kurrikulave nëpërmjet modeleve të gatshme, materialeve ndihmëse, rasteve që frymëzojnë; ndërkohë që serioziteti i faqes me mbi 60 mijë ndjekës të Portalit Shkollor është faktuar edhe te përcjellja e problemeve që mësuesit realisht kanë pasur dhe kanë. Të gjitha problematikat e tyre janë përcjellë pranë zyrës së shtypit të Ministrisë së Arsimit dhe nuk kanë qenë të pakta rastet që janë marrë në vlerësim. Për këtë, modestish parapëlqej të shkruaj një herë tjetër. 


Grupimi juaj në këtë media modeste është zë! 

Pra, PO, ju jeni lexuar dhe dëgjuar për çka ju shqetëson në punën tuaj. 


Në një nga temat e fundit për diskutim, ju kemi pyetur se cilat janë propozimet tuaja mbi ndryshimet e ligjit për arsimin parauniversitar.

Nga shumica e përgjigjeve të mësuesve diçka është e sigurt: ata kërkojnë të trajtohen me dinjitet, si nga ana financiare, ashtu edhe nga ana profesionale. Statusi dhe paga janë dy treguesit më të rëndësishëm që do t’u jepnin arsimtarëve vendit, që ata pretendojnë se e kanë humbur në shoqëri me kalimin e viteve. 

Por, pikë për pikë, si më poshtë, sugjerimet e mësuesve shqiptarë për ndryshimin e ligjit të arsimit parauniversitar janë këto: 

  1. Të rriten pagat e mësuesve dhe të vendoset pagesa e vjetërsisë së tyre në punë. Gjithashtu, të unifikohen rrogat si në institucionet e arsimit publik, ashtu edhe në atë privat. Të rishikohen disnivelet e pagave ndërmjet mësuesve që japin mësim në cikle të ndryshme dhe normat. Çdo mësues që ka 15-20 vite në arsim, të ketë statusin e mësuesit dhe përfitimet e veta. Të paguhen orët e konsultimeve. 
  2. Statusi - Profesioni i mësuesit të futet te profesionet e vështira. 
  3. Të ulet numri i nxënësit në klasa, jo më shumë se 25 nxënës në klasë. Por e njëjta gjë duhet të ndodhë edhe në kopshte. Grupet të jenë me më pak fëmijë. 
  4. Të ulet mosha e pensionit të mësuesve. 
  5. Të hiqet praktika mësimore “3 lëndë në 6 orë”. Sipas komentuesve, këto orë kanë qenë një shkatërrim total për nxënësit. Mësimi 45 minuta, sipas tyre, ka qenë më efikas.
  6. Të mos ketë mësim me turne. 
  7. Të shtohet numri i psikologëve dhe i punonjësve socialë në të gjitha ciklet. Ky shërbim duhet të jetë i pranishëm edhe në kopshte edhe në parashkollor. 
  8. Të ketë internet dhe kabinete laboratorike në çdo shkollë. Në disa shkolla, stafi pedagogjik po punon me kompjutera shumë të vjetër. 
  9. Notat të vendosen në regjistër.
  10. Të paguhet praktika mësimore dhe stazhi.
  11. Të shtohen orët për aktivitete kulturore artistike.
  12. Të veçohet letërsia nga gjuha shqipe. Tekstet të jenë unike. 
  13. Provimet e lirimit dhe të maturës të realizohen nga mësuesit e shkollës.
  14. Çdo mësues të marrë shpërblimin për Vitin e Ri ose pagën e 13-të. 
  15. Të sigurohet edukimi dhe promovimi i talenteve nga klasa e 3-të në të 9-të.
  16. Të përfshihet që këtë vit shkollor futja e nxënësve në klasë të parë që mbushin 6 vjeç deri më 31 dhjetor të atij viti kalendarik.
  17. Të shikohet një përfshirje për nxënësit me AK, pa cenuar gjithëpërfshirjen në funksion të ruajtjes së cilësisë në orën e mësimit. Aktualisht, në shumë raste dëmtohet rëndë cilësia e orës së mësimit.
  18. Mësuesi/ja që mbetet pa ngarkesë mësimore në shkollë, të mos dalë jashtë sistemit, por të mbahet në dispozicion të ZVA-ve, sipas profileve për të punuar në shkollat që ka mungesa ditore nga mësuesit. Nëse nuk zbatohet kjo, t’u krijohet mundësia IA, të zhvillojnë orët nga mësues të shkollës kundrejt pagesës me orë suplementare.
  19. Në çdo shkollë me deri në 900 nxënës, të ketë mësues me ulje ngarkese 2-5 orë në varësi të numrit të nxënësve, i cili do të kryejë funksionin e sekretarit në shkollë.
  20. Në çdo shkollë me mbi 900 nxënës të ketë sekretar, që të jetë përgjegjës për bazën materiale në shkollë, me qëllim që të jetë një shkollë funksionale në çdo kohë për komunitetin.
  21. Tekstet të jenë falas, të pakthyeshme, ose nxënësve t’u krijohet mundësia ligjore t’i marrin kundrejt pagesës nga distributori i shkollës apo në librari.
  22. Të luftohet punësimi politik (në krye të IA-ve ka militantë partiakë të paaftë). Vëmendje t’i kushtohet edhe meritokracisë në punësimin e mësuesve.
  23. Inspektim i herëpashershëm mbi nivelin etik, profesional e shkencor të punonjësve arsimorë.
  24. Të hartohen tekste të posaçme për kategorinë e fëmijëve me AK, sipas nevojave që ata kanë.
  25. Drejtuesit e shkollave të jenë të profilizuar.
  26. Thjeshtim i planeve mësimore. 
  27. Drejtoria Arsimore të plotësojë kërkesat për staf edhe për kopshtet private.
  28. Të respektohet uniforma e shkollës.
  29. Ulje norme për mësuesit/et që administrojnë SMIP.
  30. Në çdo Drejtori Arsimore të ketë specialistë të IT-së për të rregulluar defektet në laboratorët e informatikës.
  31. Të rishikohet edhe një herë ligji për Masterin, për t'ua njohur mësuesve. 
  32. Grupi i tretë i kopshtit dhe parashkollorët të kenë të njëjtin program mësimor, vetëm të mësuarit e shkronjave kapitale (pasi në klasat e para vijnë edhe nxënës që nuk i njohin shkronjat).
  33. Të forcohet roli i rrjetit profesional. Mësuesit/et t’i përfitojnë kreditet në bazë të kualifikimit brenda rrjetit dhe jo t’i blejnë pa u kualifikuar, thjesht për t’i pasur në dosjen e tij/saj.


Të gjitha komentet e mësipërme përbëjnë një listë të gjatë të kërkesave që mësuesit kërkojnë nga MAS, ndaj shpresohet që të gjitha këto kërkesa të dëgjohen dhe të fillojnë të realizohen, sepse realisht janë mësimdhënësit ata që përballet çdo ditë me vështirësitë që i dalin gjatë procesit të punës. Para se ligjet të nxirren dhe të zbatohen, mësuesit duhet të dëgjohen pasi ata do të jenë zbatuesit e vërtetë të tyre. 

Nga vëzhgimet, prej vitesh tashmë, dhe kontaktet me mësues nga e gjithë Shqipëria dhe jo vetëm, mund të them se ata janë të pamotivuar. Motivimi i mësuesve është urgjencë kombëtare! 

Ata ndihen të dëshpëruar, të lodhur, të pashpresë! Perceptimi se mësuesi e merr rrogën kot, duhet të zhduket. Duhet kuptuar se të dyja palët (shteti dhe mësuesi) investohen në këtë profesion. Harxhohet kohë dhe para. 

Për arsimin duhet të ketë një strategji dhe vizion duke bërë pyetje, të tilla si: “Çfarë niveli kemi, ku duam të shkojmë, si arrihet?”. Të bëhet çmos që nxënësit “elitarë” të mbahen këtu. 


Nga ana tjetër, me dëshirën më të madhe ju drejtohem të gjithëve JU mësues: pavarësisht gjithë problematikave, mos u dorëzoni asnjëherë ta bëni punën tuaj me pasion. Dashuria për fëmijët, për nxënësit është ndryshimi më kryesor. Mjafton që herë pas here ta nisni ditën në shkollë duke organizuar një kohë kushtuar për ta, aty në klasë, në mënyrë që ata jo vetëm të përvetësojnë lëndët në shkollë, por të bëhen qytetarë të denjë të këtij vendi.


Puna e mësuesit është e vetmja punë që nuk e merr vlerësimin në të tashmen, por në të ardhmen. Mësuesi nuk ka në dorë jetën e një njeriu, por të ardhmen e një kombi...




Nanila Allkja Biçaku, gazetare/ kryeredaktore e Portalit Shkollor Albas

© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

7,022 Lexime
2 vjet më parë