Ejani në Pedonale!

“Mozaik kulturor” në Pedonale, ALBAS pjesë e panairit nga datat 22-25 qershor

Shtëpia Botuese Albas do të jetë pjesë e panairit “Mozaik kulturor” në Pedonalen e Tiranës, për të prezantuar botimet e saj përballë punëve dhe koleksioneve të familjeve autoktone, nga data 22 qershor deri më 25 qershor, nga ora 10:00 -21:00.

“Ejani në Pedonale” do të jetë motoja që do të bashkojë për katër ditë rresht qytetarët e Tiranës e të Shqipërisë, por edhe turistët e shumtë, në panairin “Mozaik kulturor”. Panairi i zejeve, artizanatit dhe i botimeve, kryesisht me autorë shqiptarë, do t’u krijojë mundësinë të gjithë artdashësve dhe dashamirësve të letërsisë të njihen, të shijojnë, të blejnë, por edhe të marrin pjesë në aktivitetet e organizuara nga data 22 qershor deri më 25 qershor, nga ora 10:00 -21:00 , në Pedonalen e Tiranës. 


Shtëpia Botuese Albas do të jetë pjesë e këtij panairi për të prezantuar botimet e saj ndër vite por edhe më të rejat. 


Panairi “Mozaik kulturor”


Projekti “Mozaik kulturor” u hartua nga HAP-HAT Association of Professionals, me drejtuese znj. Gladiola Dona dhe ka objekt kryesor promovimin dhe përcjelljen e vlerave të trashëgimisë kulturore shqiptare.  Prezantimi i botimeve të viteve të fundit nga shtëpitë botuese kryesore shqiptare përballë punëve dhe koleksioneve të familjeve autoktone do të jetë një përzierje e larmishme, që do të nxisë kureshtjen e qytetarëve. Risjellja në vëmendje të mjeshtërive të hershme shqiptare, si rrobaqepësia, qëndistaria, veshjet popullore, poçaria, pikturimi etj, ndërthurur me letërsinë e botuar, do të mundësojë realizimin e aktiviteteve verore në zemër të kryeqytetit.


Kryesisht fëmijët dhe të rinjtë do të jenë në qendër të aktiviteteve kulturore, që të pajisen me njohuritë e nevojshme në lidhje me zejet dhe mjeshtëritë e hershme të popullit tonë, ndërthurur edhe me teknologjinë. Ata do të orientohen që të zhvillojnë imagjinatën drejt traditave shqiptare, si punime me grep, thurje me shtiza, modelime, ndërthurur me lexime dhe vënie në skenën e improvizuar të pjesëve letrare shkruar nga autorë shqiptarë. 


Të shumta do të jenë aktivitetet që lidhin me librat dhe leximin. Çdo shtëpi botuese pjesëmarrëse është ftuar të bëhet pjesë e programit për të folur rreth botimeve, leximit, autorëve dhe përkthyesve, teknikave të të shkruarit, të përkthimit, për rëndësinë që ka shkrimi i gjuhës shqipe sipas rregullave standarde të drejtshkrimit. Pjesë e këtij aktiviteti do të jenë disa universitete private, të cilët, me botimet e tyre dinjitoze prej kohësh janë bërë pjesë e kërkimit shkencor në vend dhe më gjerë. Ata inkurajojnë, mbështesin dhe promovojnë krijimtarinë e pedagogëve dhe akademikëve. Një vend i veçantë i është lënë atelies së traditës shqiptare, e cila do të jetë e hapur për t’u parë nga afër nga të gjithë kureshtarët dhe do t’u shpjegohet me imtësi mënyra e ndërthurjes së elementeve dhe përbërja e tyre. Pjesë e ekspozitës do të jenë edhe suveniret nga treva të ndryshme të Shqipërisë.


Shtëpia Botuese “ALBAS”


Shtëpia Botuese “ALBAS” është themeluar në vitin 2000 dhe që në fillimet e saj ajo ka pasur si politikë botimet shkollore. Me seli në Tiranë, Tetovë dhe Prishtinë, ALBAS jo vetëm që e sjell tekstin shqip sa më afër nxënësve në këto vende, por edhe e harton atë sipas kërkesave të veçanta të sistemeve arsimore në këto vende. Për lëndët me rëndësi kombëtare, si gjuha shqipe dhe historia e Shqipërisë, ALBAS bashkëpunon me autorë të njohur të këtyre tri vendeve, me qëllim që këto tekste të kenë një frymë sa më të hapur mbarëkombëtare shqiptare. Po kështu, ALBAS-i u vjen në ndihmë mësuesve me materiale ndihmëse, libra mësuesi, zbërthime planprogramesh e objektivash etj. Përveç kësaj ALBAS-i ka një numër të madh botimesh ndihmëse për mësuesit dhe nxënësit; ku hyjnë librat e mësuesit dhe seria e botimeve enciklopedike; atlaset, lexime plus, fleta pune etj., të cilat përfshijnë të gjitha lëndët që zhvillohen sot në shkollë. Prej vitesh ALBAS, përveç teksteve shkollore, merret dhe me botimin e letërsisë artistike, si për fëmijë, ashtu edhe për të rritur. Sa i përket letërsisë për fëmijë, mes botimeve të shumta, vlen të përmendet ripërkthimi ose botimi për herë të parë i veprave të letërsisë klasike për fëmijë. Po ashtu, ALBAS prej vitesh ka hedhur në treg serinë “Klasikë dhe Modernë”, ku çdo vit sillen botime të reja me ripërkthime ose përkthime për herë të parë të veprave më të rëndësishme të letërsisë klasike botërore, gjithmonë të përkthyera nga origjinali. ALBAS ka botuar disa nga autorët bashkëkohorë më të njohur, mes tyre dhe nobelistë, si: Olga Tokarczuk, Herta Müller, W.S. Reymont, M. Le Clézio, John Updike, Don DeLillo, J. C.Oates, Georgi Gospodinov, Claudio Magris etj. Viteve të fundit i është kushtuar vëmendje e veçantë edhe librave kulturologjikë, universitarë, shkencorë, si dhe motivues, duke e bërë ALBAS-in një nga botuesit me fushën më të gjerë të botimeve dhe me ritëm konstant të botimeve vjetore.


Bashkohuni në Pedonalen e Tiranës, për të kaluar ditë të gëzueshme verore!

Nanila Allkja Biçaku 

© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

1,213 Lexime
1 vit më parë