Mos fli gjumë nxënës i dashur!
Përballja më normale me një mësues me përvojë gjithnjë nis me pyetjen: "A kanë ndryshuar nxënësit nga një brez në tjetrin?”; "Janë më të vështirë për t'u motivuar dhe përshtatur me shkollën brezi aktual apo vite me parë brezat ishin më të vështirë"?
Përballja më normale me një mësues me përvojë gjithnjë nis me pyetjen: "A kanë ndryshuar nxënësit nga një brez në tjetrin?”; "Janë më të vështirë për t'u motivuar dhe përshtatur me shkollën brezi aktual apo vite me parë brezat ishin më të vështirë"?
Për t'iu përgjigjur këtij lloj interesi, mësuesit i duhet jo vetëm kthimi në kohë por mbi të gjitha gjykimi i thelluar mbi tjetërsimin e interesit të brezave për arsimin. Mësuesi shqiptar, sigurisht mësuesi profesionist, është punëtor. Përfshihet në punën e tij duke lidhur fort pasionin me profesionin. Si një profesionist që vit pas viti vetëkualifikohet ashtu si mjeku; duke u ushtruar në njerëz, mësuesi formon tek brezat metodat se si ato do të vetënxënë. Pa fajësuar askënd, dua të specifikoj se dëshira e mirë e mësuesve për të përcjellë saktësi dhe zotësi shkencore, po edukon nxënës dembelë. Mësuesi vetëm flet. Nxënësi vetëm dëgjon. Reduktimi i ngarkesës mësimore, detyrave të nxënëve, përgjegjësive të tij mbi të nxënit, po formon çdo ditë e më tepër nxënës "të heshtur".
Gjithçka që ofrohet në tekstet mësimore, gjithçka që përcillet nga mësuesi teorikisht apo praktikisht, meret si e mirëqënë nga nxënësi pa përpjekjen më të vogël për të vërtetuar saktësinë shkencore.
Avancimi teknologjik, shpërndarja e informacionit në kohë rekord, ka mundësuar letargjinë kritike të nxënësit. Ai nuk është skeptik ndaj asaj që lexon dhe dëgjon në klasë. Edhe në rastet kur dyshon në atë që dëgjon, preferon të heshtë duke marrë me vete bindjen që në shkollë ekziston kulti i pagabueshmërisë.
Çfarë duhet bërë në tilla raste kur "heshtja kritike" shndërrohet në epidemi akademike?
Edhe sa kohë duhet të presë mësuesi pa reaguar kur nxënësi edhe për detyrën më të thjeshtë lundron në internet?
Si duhet nxitur gjithëpërfshirja dhe puna studimore e nxënësit?
Do të vazhdojmë të vlerësojmë detyrat e Google dhe Wikipedia-s apo do të motivojmë nxënësin të jetë nxënës i vërtetë??
Një mësues i mirë, profesionist, me pasion kundrejt punës që bën, duhet të mësojë të krijojë klasën e tij të mbushur me njerëz të lirë. Po po, me njerëz të lirë. Fjala e lirë nxit kritikën dhe kritika ushqen arritjet. Në momentin që nxënësi do të bëhet kërkues për atë që studion, dyshues për atë që dëgjon dhe do të lihet i lirë të flasë, formimi i tij nuk do të jetë më mekanik, skematik, i orientuar, por i thelluar në punë kërkimore dhe studimore.
"Edhe nxënësi më i mirë nuk ia kalon mësuesit të tij" për kohën që jetojmë është thjesht klishe. Prova që e vërteton është zotërimi i teknologjisë. Ajo sot është në duart e nxënësve.
Ndaj, nxënës i dashur zgjohu! Mos fli!
Reflekto ndaj çdo teksti që lexon!
Kundërshto nëse nuk je dakort me konkluzionet dhe rezultatet e një ore mësimi!
Puno dhe sfido veten!
Përdore mësuesin për t'i marrë gjithë saktësinë shkencore!
Shfrytëzoje shkollën si laborator të vetes!
Heshtja jote është prishja e një brezi...ndërtimi i një të ardhmeje pa të ardhme.
Koleg i nderuar!
Nuk je mësues i mirë nëse vetëm flet. Përballë teje nuk ka objekte, janë njerëz.
Mësoju të jenë të lirë për të folur, për të dyshuar, për të ndryshuar...
Mësoju të mos jenë gjumashë dhe kopjacë!
(Alma Mara; Portali Shkollor)
Ese: Mjedisi dhe njeriu
Urim për nxënësit e mi!
Stop trafikimit të qenieve njerëzore