Intervistë

“Modeli im, mësuesi i fizikës”

Mësuesja e letërsisë në shkollën “Zihni Magani” në Peqin Liljana Kaziu, në një intervistë për Portalin Shkollor tregon për punën, nxënësit, shkrimtarët e preferuar...

“Që herët jam munduar të kisha një pikë referimi, njëmodel të cilit do të doja t’i ngjaja. Ky model ishte ish-mësuesi im i fizikës të cilin e vlerësoja për pasionin, korrektësinë dhe përkushtimin që ai tregonte gjatë orës së mësimit”, kështu shprehet mësuesja e letërsisë Liljana Kaziu. Mësuesi, gjithmonë mbetet një model për nxënësit, me siguri që ka nxënës që pikë referimi kanë mësuese Liljanën.

Mësuese Liljana, çfarë është letërsia për ju?
Letërsia është lënda që njeh nxënësit me periudhat, përfaqësuesit dhe veprat kryesore të letërsisë shqiptare dhe botërore, zhvillon të menduarit kritik e krijues, analitik dhe sintetik të tyre, duke zgjeruar njohuritë e përgjithshme në letërsi si dhe mprehtësinë e të shqyrtuarit të shprehësisë artistike e imagjinare, për të ndërtuar imazhin e tyre për botën.

Cili është shkrimtari juaj i preferuar?
Shkrimtari im i preferuar është Ismail Kadare.

A keni ju një person të cilit do të donit t’i ngjanit?
Që herët jam munduar të kisha një pikë referimi, një model të cilit do të doja t’i ngjaja. Ky model ishte ish-mësuesi im i fizikës të cilin e vlerësoja për pasionin, korrektësinë dhe përkushtimin që ai tregonte gjatë orës së mësimit.

Si është marrëdhënia juaj me nxënësit?
Marrëdhënia me nxënësit është e ngrohtë, e bazuar në mirëkuptim, tolerancë dhe respekt reciprok.

Çfarë teme i tërheq nxënësit më shumë në orën e letërsisë?
Nxënësit në orën e letërsisë i tërheqin më shumë orët e diskutimeve të librit sepse ju jepet mundësia të shprehin mendimet e tyre, opinione dhe vlerësime të lira rreth veprave.

Si titullohet eseja më e bukur që keni lexuar?
Ndër vite kam lexuar shumë ese të shkruara bukur, të argumentuara dhe të detajuara. Nuk mund të veçoj një ese, pasi gjatë gjithë eksperiencës sime si mësuese kam vlerësuar maksimalisht shumë nxënës për krijimet e tyre unike.

Cilaë shtë vështirësia më e madhe që hasin nxënësit në këtë lëndë?
Vështirësia më e madhe e nxënësve në këtë lëndë qëndron në procesin e të krijuarit, në përdorimin e strategjive të larmishme e të domosdoshme si dhe të shprehësisë artistike.

Si e nisni ju një orë letërsie ?
Një orë letërsie nis me fragmente nga veprat, vlerësime të kritikës për autorin ose veprën e tij.

A përdorni vargje, fragmente teksti apo ngjarje për të përcjellë indirekt mesazhe të caktuara tek nxënësit?
Përdor vazhdimisht.

Cilat janë vargjet më të dashura për ju?
Vargjet më të dashura për mua janë të lirikut të madh Lasgush Poradeci.

(Portali Shkollor)

7,421 Lexime
7 vjet më parë