Viti i Ri Akademik

Ministrja Kushi uron studentët dhe pedagogët për fillimin e vitit të ri akademik

Kushi: "Ky vit, përvojë unike në jetën universitare. Kemi në fokus rritjen e cilësisë në arsimin e lartë dhe ndërkombëtarizimin e universiteteve".

Përmes një mesazhi në rrjetin e saj social, Ministrja e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi ka uruar të gjithë studentët e pedagogët që nesër nisin vitin e ri akademik 2021-2022.


"Ky fillim viti është një moment veçanërisht i rëndësishëm për të gjithë ne, sepse përkon pikërisht me fundin e emergjencës së një pandemie që na detyroi të heqim dorë dhe të sakrifikojmë shumë gjëra prioritare të jetës sonë. Por së bashku ne ia dolëm që të përshtatemi në kohë rekord me kufizimet dhe kushtet e reja. Madje edhe në muajt më të vështirë të krizës ne nuk qëndruam në pritje, por kemi kërkuar të gjitha mënyrat e mundshme se si të vazhdonim përpara me leksionet, seminaret, konferencat e çdo aktivitet tjetër pjesë e kurrikulave universitare", shprehet fillimisht Ministrja Kushi.


Ajo nënvizon se fatmirësisht, "sot falë efekteve pozitive të fushatës masive të vaksinimit, por edhe falë një ndërgjegjësimi më të lartë personal dhe kolektiv për të respektuar protokollet e institucioneve shëndetësore, më në fund ne po e nisim vitin e ri akademik me prezencë fizike në auditore", teksa shprehet e kënaqur që universitetet tashmë i kanë marrë të gjitha masat e duhura për të garantuar mjedise të ngrohta, mikpritëse dhe plotësisht në dispozicion të studentëve.


Ndërkohë, Ministrja Kushi përsërit apelin ndaj të gjithë të pavaksinuarve që nuk kanë pasur mundësi, për tu vaksinuar në vijim: "Ne besojmë që universiteti nuk formon vetëm profesionistë apo shkencëtarë të fushave të ndryshme, por formon qytetarët e një shoqërie, të cilët mësojnë të jenë anëtarë të një komuniteti duke respektuar të drejtat e njëri-tjetrit. Dhe kjo është e pamundur të realizohet duke qëndruar përpara ekranit të një kompjuteri apo telefoni celular, por vetëm nëpërmjet ndërveprimit me pedagogët tuaj, kolegët dhe duke u parë sy me sy me njëri-tjetrin", shton ajo. Ndërsa cilëson se ky vit do të jetë një sfidë e re edhe për shkak të objektivave madhore që janë vendosur për rritjen e cilësisë në arsimin e lartë dhe ndërkombëtarizimin e universiteteve, Ministrja Kushi shprehet besimplotë se ky vit do të jetë një përvojë unike në jetën universitare: "Ju rikujtoj që pjesa më e madhe e pasurisë së vërtetë që kemi, jo vetëm njohuritë por edhe marrëdhëniet, miqësitë, madje dhe ndjenjat që i mbartim gjatë gjithë jetës sonë, fitohen në auditore, biblioteka, korridore dhe të gjitha mjediset universitare. Fillim të mbarë të vitit të ri akademik!  Përqafime, Evisi!", - mbyll mesazhin e saj Ministrja Kushi.


© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

1,944 Lexime
3 vjet më parë