Aktualitet

Ministrja Kushi sfidon Vokshin: Do largohem nga detyrat nëse provon akuzat

Ministrja Evis Kushi, pas denoncimit të publikuar nga deputetja Albana Vokshi, e ka sfiduar publikisht se nëse provon akuzat e ngritura ndaj saj do të largohet nga detyra, në të kundërt do të mbajë përgjegjësi morale dhe ligjore për shpifje.

Ministrja e Arsimit Evis Kushi, reagon për denoncimin që bëri këtë të enjte deputetja e PD Albana Vokshi. Kjo e fundit publikoi mesazhin e një personi që pretendonte se ishte mësuese në Elbasan, ku thuhej se mësuesit që kryen provimin sot në Tiranë kishin marrë pyetjet dhe përgjigjet.


Kushi sfidon publikisht Vokshin, duke i kërkuar të provojë akuzat ndaj saj dhe stafit dhe nëse ndodh, ajo do të japë dorëheqjen sot nga detyra e ministres. “Unë që sot largohem nga detyra nëse ajo i provon akuzat, por, në të kundërt, deputetja do të mbajë përgjegjësi morale dhe ligjore për shpifje”, shkruan ministrja e Arsimit. 


Reagim i Ministres Kushi:


Sfidoj deputeten Albana Vokshi që të provojë akuzat e saj në lidhje me ndërhyrjen time apo të stafit tim në procese testimi dhe vlerësimi të mësuesve. 

Unë që sot largohem nga detyra nëse ajo i provon akuzat, por, në të kundërt, deputetja do të mbajë përgjegjësi morale dhe ligjore për shpifje.

Që sot do të depozitoj padinë në gjykatë. Qytetarët nuk mund të helmohen çdo ditë me shpifje. Është turp dhe e pafalshme që, për qëllime politike, të shpërdorohet besimi i qytetarëve nga karrigia e deputetit, duke sajuar akuza që cënojnë besueshmërinë dhe nxitin pasiguri te mësuesit dhe nxënësit për proceset vlerësuese në sistemin arsimor. 

Të dashur mësues, ne do të vazhdojmë çdo ditë të punojmë së bashku për të përmirësuar më tej sistemin tonë arsimor, duke mos u dekurajuar nga asnjë sulm politik. 

Të dashur nxënës, ne bëjmë çdo ditë e më shumë përpjekje për të garantuar barazi, transparencë dhe meritokraci në vlerësimin e arritjeve tuaja.



©Portali ShkollorTë gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

3,327 Lexime
2 vjet më parë