Ministrja Kushi: Për ne mbrojtja e nxënësve është e shenjtë. Nuk tolerojmë askënd që cënon mirëqenien e nxënësve!
"Dënoj fort rastin e punësimit me kontratë të një mësuesi në Berat, që në vitin 2003 është dënuar nga gjykata për pedofili"- kështu ka deklaruar Ministrja e MAS, Evis Kushi për këtë rast ndërsa ka thënë se ky person është hequr nga puna dhe po hetohen rrethanat e punësimit të tij.
Ministrja e MAS Evis Kushi ka reaguar fort për rastin e punësimit në Berat të një mësuesi i cili më parë ka qenë i dënuar për pedofili.
Kjo është deklerata e plotë e Ministres Kushi:
"Dënoj fort rastin e punësimit me kontratë të një mësuesi në Berat, që në vitin 2003 është dënuar nga gjykata për pedofili. Pavarësisht se gjykata nuk ia hoqi të drejtën e rikthimit në detyrë dhe të ushtrimit të profesionit, edhe pse prokuroria e kërkoi një gjë tillë, është e pafalshme që persona të tillë të hyjnë qoftë edhe për një orë të vetme në mjediset e shkollave tona. Ky person është larguar menjëherë nga detyra dhe ndërkohë kemi nisur një hetim administrativ për të gjetur personin apo personat përgjegjës, që me neglizhencë apo paaftësi, nuk kanë marrë informacionin e duhur dhe kanë lejuar punësimin e tij. Për ta do të merret menjëherë masë ndëshkuese. Për ne mbrojtja e nxënësve është e shenjtë dhe nuk tolerojmë askënd që cënon mirëqenien e tyre. Ndërkohë, ne në MAS do të rishikojmë menjëherë bazën ligjore dhe nënligjore, për të forcuar rregullat dhe procedurat e punësimit apo shkarkimit të mësuesve, për të mos lejuar që të ndodhin më raste që mund të përbëjnë rrezik për fëmijët tanë".
Ministrja Kushi bëri një thirrje për të gjithë:
"Ju lutem të gjithëve, prindër, nxënës, mësues, apo përfaqësues të komuniteteve, denonconi cdo rast që cënon, apo dyshoni se rrezikon, të drejtat dhe sigurinë e fëmijëve në shkollë apo jashtë saj".
N.Allkja Biçaku
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Sugjerime për përmirësimin e udhëzimit mbi ndalimin e telefonave celularë në mjediset shkollore
OBSH: 98% e shkollave në Shqipëri tejkalojnë kufijtë e ndotjes PM 2.5, rrezik për fëmijët
Hartimi i projektit kurrikular