Zyrtare

Ministria e Arsimit dhe Sportit: Të hënën nis shkolla

“Ministria e Arsimit dhe Sportit bën me dije se ditën e hënë me datë 16 Janar 2017 do të nisë procesi mësimor i rregullt në të gjitha institucionet arsimore në Republikën e Shqipërisë. Suksese!”

Ashtu siç ishte vendosur nga qeveria, procesi mësimor në vend do të nis ditën e hënë. Lajmi konfirmohet nga vetë Ministria e Arsimit, e cila me anë të një njoftimi në rrjetin social ‘Facebook’ ka bërë me dije se mësimi në të gjitha institucionet arsimore do të nisë më 16 janar, pasnjë ndërprerje prej më shumë se 2 javësh.

“Ministria e Arsimit dhe Sportit bën me dije se ditën e hënë me datë 16 Janar 2017 do të nisë procesi mësimor i rregullt në të gjitha institucionet arsimore në Republikën e Shqipërisë. Suksese!”, citohet në mesazhin e MAS.

Kujtojmë se ministria ka dhënë 2 herë urdhër për shtyrjen e hapjes së shkollave si pasojë e gripit. Mbyllja e çerdheve, kopshteve, shkollave erdhi pas vendimit të datës 3 janar të Ministrisë së Shëndetësisë, ku u vendos shtyrja e datës së fillimit të shkollave për shkak të situatës gripale në vend dhe qeveria vijoi masat parandaluese duke caktuar tre ditë të tjera pushimi.

Këshilli i Ministrave vendosi fillimisht të caktojë ditë pushimi datat 4, 5 dhe 6 janar, për një nga prindërit që kanë fëmijë të mitur dhe që frekuentojnë /  ndjekin ose jo çerdhet, arsimin parashkollor dhe arsimin fillor, të cilët janë nëpunës civilë apo punonjës të tjerë të administratës publike, në nivel qendror dhe vendor, si dhe në institucionet e tjera shtetërore. Më pas erdhi vendimi i dytë i Ministrisë së Shëndetësisë, më datë 7 janar për mbylljen e shkollave deri më 16 janar.

3,214 Lexime
7 vjet më parë