PANAIRI I VOGËL I LIBRIT

Minipanairi i librit në Kalanë e Tiranës, Albas ekspozon më 21-23 tetor titujt e rinj

Të gjithë dashamirësit e librave nuk kanë pse të presin panairin e librit, tashmë online të nëntorit, për t’u njohur me titujt e rinj apo për t’i blerë ata. Në Kalanë e Tiranës, për tri ditë me radhë, 21-23 tetor, shtëpia botuese ALBAS prezanton në minipanairin e librave titujt e saj të rinj.

Në Kalanë e Tiranës prej disa ditësh po zhvillohet një minipanair librash, teksa lexuesit kanë mundësi të njihen nga afër me titujt e rinj, por gjithsesi duke respektuar masat apo rregullat antikovid. 


Nga sot, 21 tetor deri më 23 tetor shtëpia botuese ALBAS ekspozon në stendat e saj botimet më të fundit. Në këto stenda të dedikuara mund të gjeni dhe të njiheni nga afër me librat e rinj për të gjitha moshat, për të rriturit dhe fëmijët, klasikët e letërsisë. 



Në këto stenda syve tuaj nuk do t’ju shpëtojnë as lodrat e gdhendura me dru, të quajtura ndryshe lodrat “Pino”, të cilat përmbushin kriteret më të larta të sigurisë, pasi janë të testuara dhe akredituara në laborator në përputhje me standardet EN71 dhe direktivës Evropiane për siguri të lodrave.

Disa nga titujt e rinj për këtë vit janë: “Kush do të qajë kur të vdesësh?” dhe “Murgu që shiti Ferrarin” nga shkrimtari kanadez Robin Sharma përkthyer përkatësisht nga Olta Canka dhe Gent Sinani; romani artistiko-shkencor “Infiniti blu” nga Mimoza Hafizi, romani “Më fal” nga Ida Hegazi Hover përkthyer nga Myrteza Shini, libri psikologjik “Selfie: Uni i unit” nga Will Storr etj. Por nuk mungojnë as titujt e rinj nga letërsia klasike për fëmijë si “Aventurat e Tom Sojerit” nga Mark Twain, “Gostia e konteshës Berta dhe tregime të tjera” nga Alexandre Dumas etj. 

Drejtori i shitjeve i Albas, Parid Agolli, na ka pohuar se ka pasur pjesëmarrje të lexuesve dhe interesi i tyre ka qenë i konsiderueshëm pas librave të rinj

“Lexuesit janë tërhequr sidomos pas librave të rinj. Interes kanë pasur edhe për librat e fëmijëve dhe lodrave dedikuar atyre, që ne i kemi bërë pjesë të stendave tona përgjatë këtyre tri ditëve. Kalaja e Tiranës na ka mundësuar një ambient të këndshëm”, ka thënë Z.Agolli. 


Ai gjithashtu ka ftuar të gjithë të interesuarit për të marrë pjesë në këtë panair të veçantë duke thënë se stendat qendrojnë të hapura nga ora 9 e mëngjesit deri në orën 9 të mbrëmjes.  



Përgatiti Nanila Allkja Biçaku  

Portali ShkollorTë gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

2,024 Lexime
4 vjet më parë