OPINION

Mimoza Zeneli: Reflektimi i një mësuesi pas mësimit në distancë

Kur perdja mbyllet dhe bie qetësia, telefonat nuk zhurmojnë më aq fort, detyra nuk të vijnë më pa fund për korrigjim, fillon dhe reflekton. E siç është dhe e natyrshme për mendësinë e një mësuesi, reflektimi bëhet mbi bazën e një inserti: di/dua të mësoj/mësova/dua të di ende.

Pak ditë na ndajnë nga përfundimi i vitit shkollor. Udhëzimi i fundit ishte një lehtësim i madh për të gjithë mësuesit. Vlerësimi i nxënësve me teste, në lëndë të caktuara ndihmonte në lulëzimin e plagjiaturës. Në vend të nxënësit do të korrigjonim familjarët, librat e hapur gjatë testimit dhe google, e si pasojë vlerësimet nuk do të ishin reale. 


Kur perdja mbyllet dhe bie qetësia, telefonat nuk zhurmojnë më aq fort, detyra nuk të vijnë më pa fund për korrigjim, fillon dhe reflekton. E siç është dhe e natyrshme për mendësinë e një mësuesi, reflektimi bëhet mbi bazën e një inserti: di/dua të mësoj/mësova/dua të di ende. 


Çfarë dija në datën 9 mars për mësimin në distancë? 


- Dija që më duhej internet, një telefon, një kompjuter, kufje dhe dëshira e nxënësve për të më ndjekur. 


Çfarë doja të mësoja? 


- Si të ruaj të gjithë detyrat, testet në një folder? Si të vlerësoj një detyrë që më vjen me foto? Si të ruaj gjithçka më ka ardhur në telefon diku tjetër, se telefoni më bllokohet nga kaq shumë detyra? Si mund të telefonoj më shumë se 4 persona njëherësh? Si të përdor zoom? Si të bëj kur fëmijët më flasin të gjithë njëkohësisht? Si të ndaj tabelën me nxënësit në zoom? Si të përdor Edmodo? Si të përdor google class? Si të bëj një prezantim në powerpoint? Si të rregjistroj dhe zërin tim ndërsa bëj një prezantim? Cilat janë metodat e mësimdhënies online? Si mund t’i mësoj të gjitha këto që përmenda për një javë?! 


Çfarë mësova? 


- Të gjitha të mësipërmet në një kohë rekord. As vetë nuk e besoj dot që ia dola. 

Si ndihem? 

- I rraskapitur. 


Çfarë dua të mësoj ende? 

  • A do të merret në konsideratë trajnimi i të gjithë mësuesve për metoda mësimdhënieje online e instrumenta të mësimdhënies online? 
  • A do të ketë unifikim të librave në shkollat publike, që materialet online të jenë të njëjtat në klasa të caktuara?
  • A mund të kemi libër digjital, që në rast emergjence mësuesi të ketë çfarë të shfletojë për mësimin online?
  • A do të ketë një platformë të mësimeve online, që në rast emergjence të mos gjendemi të papërgatitur por të kemi paketën gati për çdo lëndë? 
  • A do të mendohet ndonjëherë të ulet numri i nxënësve në klasa, që mësuesit të mos i mbetet koka ulur në letra e korrigjime por të ketë kohë edhe për punë krijuese, në mënyrë që nxënësit t’i bëhet ora e mësimit sa më interesante e ta dojë shkollën?
  • A do të vijë dita të kemi në shkolla internet e tabela interaktive, që mësuesi të mos ndihet më i sfiduar nga nxënësi që gjen gjithçka në internet, por ta bëjnë ndërthurjen e njohurive të librit dhe kërkimet në internet në klasë?
  •  ....etj 


Ndoshta duhet të mendojmë për disa nga këto pika se siç thotë populli: “Zahiretë e dimrit mbillen e mblidhen në behar”.


Nga Mimoza Zeneli

Nëndrejtore në shkollën "Sabahudin Gabrani", Tiranë

 

© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

5,148 Lexime
4 vjet më parë